Ahmetaj:Do lehtësojmë procedurat doganore për qytetarët dhe bizneset

Ahmetaj:Do lehtësojmë procedurat doganore për qytetarët dhe bizneset
 

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ishte në Doganën e Hanit të Hotit, për të parë nga afër realizimin e projektit të investimit për terminalin e ri dhe godinën, një investim në vlerë rreth 1.8 milionë euro financuar nga Komisioni Evropian. “Është një investim i Bashkimit Evropian prej 1.8 milionë euro. Qëllimi është i drejtpërdrejtë për të përmirësuar kushtet e punës por këtu ka një specifikë, investimi sjell pikën e kalimit kufitar në nivelin e kushteve standarde të Schengenit dhe do të përdoret nga 3 institucione shumë të rëndësishme. Do të përdoret nga Drejtoria e Policisë së Kufirit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe nga Agjencia e Kontrollit Ushqimor. Sigurisht që jo vetëm që rrit, përmirëson, kushtet e punës por rrit edhe cilësinë e shërbimit ndaj sipërmarrjes, ndaj qytetarëve, përshpejton dhe lehtëson tregtinë ndërkufitare, është dhe pjesë e projektit të madh të lehtësimit të tregtisë rajonale. Besoj që do të ketë efektet e drejtpërdrejta edhe në rritjen e të ardhurave, në transparencën e punës së 3 institucioneve Drejtoria e Policisë Kufitare, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Agjencia e Kontrollit Ushqimor, në raport me qytetarët dhe me sipërmarrjen,” tha Ministri Ahmetaj.

Pika e Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit, konsiderohet si pikë e kalimit kufitar të kategorisë së parë, bazuar në aktivitetin e përditshëm, funksionin dhe trafikun e transportit të personave dhe mallrave dhe është e vetmja pikë e kalimit kufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, e hapur për transportin e mallrave me natyrë tregtare në rrugë tokësore, por edhe një pikë kyçe në kalimin e aksit që lidh Italinë e Slloveninë me Ballkanin jugor. /s.i/afp.al/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: