Aurora Cakaj: Edhe më i pasuri ka nevojë për art dhe buzëqeshje

Aurora Cakaj: Edhe më i pasuri  ka nevojë për art dhe buzëqeshje
INTERVISTA/ Flet piktorja dhe ekonomistja Aurora Cakaj: Jeta ime,  mes  ekonomisë, poezisë  dhe artit pamor

 

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Z. ZHOLI

Aurora Ferhat Cakaj (Ndreu), ekonomiste në profesion, jeton në Tiranë prej shumë vitesh. Me pikturën, ajo ka filluar që në moshë të vogël, teksa bënte vizatimet e para dhe duke u rritur fizikisht e artistikisht në të njëjtën kohë. Para katër vitesh, ajo  mori në dorë penelin dhe hap pas hapi tani në këto çaste, në atelienë e saj modeste, ka gjithsej 250 punime në vaj, akrilik dhe karbon. Ja çfarë tregon ajo në një intervistë të posaçme për “Albanian Free Press” lidhur me këtë dëshirë të brendshme të saj për të pikturuar dhe paraqitur botën përmes ngjyrash...

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Z. ZHOLI

Para pak kohësh, ju hapët një ekspozitë  personale në Muzeun Kombëtar që pati sukses. Sa punë kishit dhe cili ishte qëllimi i ekspozitës?

E vërtetë, më në fund e gjithë puna ime e katër viteve u kurorëzua me çeljen e ekspozitës sime të parë personale “Aurora Borealis 1”; jo pa qëllim e vura këtë  titull. Aurora Borealis është një fenomen i rrallë që ndodh në Polin e Veriut. Një shpërthim ngjyrash ndriçojnë qiellin  polar, fenomen ky i cili ka emrin tim. Ky shpërthim  ngjyrash dhe talenti në artin e bukur të pikturës, ka ndodhur dhe me mua këto vitet e fundit. Ekspozita përbëhej nga 60 punime personale. Çdo pikturë  mbart me vete një histori reale. Pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme, i tejkaloi parashikimet e mia. Isha e rrethuar nga miq, familjarë, miq të artit, pedagogë, kritikë arti, si edhe piktorë të njohur gjithashtu. Miq e dashamires të shumtë si mësuesi im, piktori mirditor, z. Pjetër Marku; piktori i njohur, z. Kujtim Buza; Dr. i Shkencave, z. Skënder Demaliaj, mësuesit dhe studiuesit z. Besim Cengu dhe shumë të tjerë, të cilëve u jam shumë mirënjohëse që u bënë pjesë e gëzimit tim dhe më zbukuruan  mbrëmjen e 27 Tetorit 2017, e cila për mua do mbetet gjatë në kujtesën time.

Kush mbizotëron në pikturën tuaj, portreti, peizazhi, kompozimi, natyra e qetë, apo piktura moderne dhe abstraksioniste?

Kryesisht, punimet e mia në këtë ekspozitë  ishin peizazhe në bregdetin shqiptar, kryesisht deti Jon. Shumica e punimeve janë bërë këtë verë në Jug të Shqipërisë në periudhën e pushimeve, si dhe gjatë fundjavave në shtëpinë time, e cila tashmë është kthyer në një atelie të vërtetë arti, ku era e vajit dhe e terpentinës tashmë janë bërë pjesë e jetës. Gjinitë e pikturave janë të ndryshme, natyrë e qetë, portret, kompozim, peizazh, abstrakt, punime me gurë në strukturë. Janë punime në vaj, akrilik, punime mix, laps e karbon. Ajo që më pëlqen më shumë është deti, bluja e thellë, rëra dhe gurët, dallgët që përplasen në breg, flora dhe fauna, natyra shqiptare në veçanti. Këto dhe shumë të tjera zënë vend në pjesën me të madhe të punimeve  të mia.

Cilat ishin vlerësimet më të mira të vizitorëve?

U ndjeva shumë e vlerësuar nga kritikët e artit pamor dhe për këtë jam shumë e lumtur, pasi nga të pranishmit dhe nga vizitorët që pasuan në ditët e tjera  ndihej çudia dhe admirimi njëkohësisht, gjë që me stimulon të punoj fort dhe në të ardhmen.

Pas Tiranës, në Kosovë. Cili ishte qëllimi i vizitës në Kosovë?

Vizita ime në Kosovë nuk ishte e rastësishme. Kam lindur dhe jam rritur në një qytet kufi me Kosovën. E kam përjetuar luftën nëpërmjet  veprave  dhe romaneve e studimeve të tim eti, shkrimtarit Ferhat Cakaj, teksa nëna ime rrjedh nga një familje  me tradita atdhetare gjakovare. E kam adhuruar me forcën e shpirtit, traditën, atdhetarizmin, sjelljen, veshjet e tyre kombëtare, respektin për të rënët në luftën për çlirimin e Kosovës. Ishte 105-vjetori i Pavarësisë , gjithashtu në 28 Nëntor ditëlindja e heroit, djalit trim të Prekazit, udhëheqësit të UÇK, komandantit Adem Jashari, prandaj së bashku me piktorin e njohur Sulejman Përrenjasi, më dt 25 Nëntor 2017, një mëngjes me mjegull të dendur, menduam t’i dhuronim tre piktura vëllait të heroit z.Rifat Jashari. Portretin e heroit  të cilin e dhurova unë, pikturën “Rilindje” dhe “Bombardimi”  që u dhuruan nga piktori Sulejman Përrenjasi në shtëpinë muze, pikërisht aty ku ka ndodhur masakra dhe gjëma, duke prekur nga afër shtëpinë e shembur nga plumbat e bombardimet, më dukej sikur dëgjoja zërin e tyre. Hidhja vështrimin në  ne një fushë të bukur me bar të njomë, ku ishte muzeu dhe memoriali i familjes Jashari, si dhe 59 varre të familjes dhe fisit të Jasharëve, ku fëmija më i vogël i vrarë ishte 7 vjeç. Në krye të tyre, i madhërishëm  nën flamurin e kuq me shqiponjën dykrenare që valëvitej ishte ai, heroi i gjithë Kosovës trime, komandanti  Adem Jashari, të cilin e  kam skalitur  në një portret në vaj, ashtu madhështor, i gatshëm për flijim. Gjatë gjithë aktivitetit na shoqëruan  Hysen Grajcevski, poet kosovar me djemtë e tij dhe familjen, të cilëve u jam shumë mirënjohëse.

Teknika në vaj që ju përdorni, çfarë ka të veçantë?

Tek vaji kam gjetur veten. Teknika e vajit të mundëson të shprehesh maksimalisht  atë që ti ndjen. Me anë të kësaj teknike arrin të thellosh efektin fillestar emocional dhe pasurinë e dëshiruar koloristike.

A e përdorni akuarelin dhe pse?

Është një teknikë shumë e vështirë. Kam eksperimentuar dhe kam disa punime  në akuarel, të cilat do jenë për vitin 2018 në ekspozitën e radhës. Më pëlqen rrëshqitja e penelit ne letër, shpërbërja e përhapja e ngjyrës  duke krijuar forma  dhe  figura  të mahnitshme.

Piktorët tuaj me të pëlqyer në botë?

Piktorët me të njohur qe njeh historia e artit dhe që kanë dhënë kontribut të madh në kulturën botërore janë: Leonardo Da Vinci, Ticiani, Piter Paul Rubens, Rembrandt Van Rin, Vincent Van Gogh, Pablo Picasso, Jackson Pollock, etj.

A mund të jetohet sot me pikturë?

Ka shumë artistë që jetojnë dhe mbajnë familjet me këtë profesion, por të them të drejtën, është shume e vështirë. Vendi ynë i vogël ka aq shumë artistë, të njohur dhe të panjohur, të cilët kanë kapërcyer kufijtë shtetërorë me artin e tyre të bukur. Ka artistë që janë të kërkuar në treg falë punës  e artit që ofrojnë.

Cila është arma më e fortë e femrës në jetë?

Femrat  shpesh shihen për sharm, herë si modele apo balerina, por arma më e fortë e femrës në jetë janë butësia dhe zgjuarsia. Megjithatë mund të them se askush nuk  është aq i pasur, sa të mos i nevojitet një buzëqeshje dhe  askush nuk është aq i varfër sa buzëqeshja të mos e pasuronte. E kush me mirë se femra mund ta personifikojë të gjithë këtë...

Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?

Në vendin tonë vazhdon të jetë  një ndër problemet kryesore  barazia gjinore. Megjithëse dimensionet e lirisë janë zgjeruar, shoqëria është më e vetëdijësuar për të drejtat e grave  dhe rolin që ato duhet të kenë në shoqëri. Promovimi i të drejtave të grave dhe nismat për përmirësimin e statusit të tyre në shoqëri shpesh bëhet nga këndvështrime feministe. Tranzicioni  shqiptar i ka çuar femrat e vendit tonë  në dukuri dhe problematika të reja sociale siç janë tërheqja e tyre nga jeta ekonomike, zgjerimi i përmasave të dhunës në familje dhe trafikimi apo shfrytëzimi i tyre.

Nu vihet re maskilizmi i shoqërisë shqiptare?

Në shoqërinë shqiptare me orientim ende të fuqishëm maskilist, me doza të forta të mentalitetit tradicional,kultura atavike, që legjitimon pushtetin e burrave,vazhdon të mbijetojë dhe prodhojë steriotipet gjinore, dhunën, diskriminimin  dhe pabarazitë me gjininë tjetër. Prania ende e fuqishme e steriotipeve gjinore dhe dhunës në familje, është dëshmia më e qartë e problemit të pabarazisë gjinore.

TRADITA

 “Artdashësit po konsumojnë

 gjithmonë e më shumë art”

“Ka ndryshuar koncepti i njerëzve për artin dhe për pikturën në veçanti. Elementë të kësaj kulture kanë ekzistuar në Shqipëri dhe mund të themi që kjo kulturë është zgjeruar e nuancuar dukshëm. Kjo duket që nga prania dhe ndjekja e ekspozitave të pikturës nga qytetarë e artdashës. Sipas shkallës së kulturës e raporteve shoqërore të secilit. Artdashësit konsumojnë art. Një pjesë e mirë e tyre janë selektivë në zgjedhje të orientuar, si nga instinkti emotiv i tyre ashtu dhe nga emri i artistit”.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: