AZILKËRKUESIT DHE KRAHËT E TEPËRT TË PUNËS – OPINION NGA PLATOR NESTURI

AZILKËRKUESIT DHE KRAHËT E TEPËRT TË PUNËS – OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Shqiptarët ende ikin. Edhe një herë, këtë e rikujtoi zëvendësministrja e Brendshme, ndërsa deklaroi se vetëm kohët e fundit, janë riatdhesuar 500 shtetas shqiptarë nga vende si Franca, Belgjika dhe Gjermania. Si masë konkrete për ndaljen e këtij fenomeni të braktisjes së vendit, zyrtarja e lartë u shpreh se, ministria e Brendshme ka përgatitur një dosje për në Prokurori për agjencitë që merren me udhëtimet turistike.

Shqiptarët nuk kanë asnjë shans të përfitojnë status si azilkërkues, për t’u legalizuar si emigrant ekonomikë në vendet e Bashkimit Europian, pasi vetë statusi si një vend i sigurt, nuk ua mundëson këtë. Megjithatë, ata vijojnë të ikin duke shfrytëzuar çdo mundësi udhëtimi drejt Europës, a përtej. Deklarata e dhënë nga zëvendësministrja, që e sjell në fokusim këtë çështje të zbrazjes së vendit, vjen dy ditë pasi kemi festuar Ditën e Pavarësisë. Kur për 105-vjetorin e saj, u organizuan një sërë aktivitetesh për t’u ndier krenarë që arritëm ta bëjmë këtë vend, që tashmë kemi shtetin tonë, dhe nuk na mbetet tjetër veçse, që këtu duhet të ndërtojmë të ardhmen. Sidoqoftë, shqiptarët ikin. Ikin nga sytë këmbët, megjithëse e dinë se pak shanse kanë të përfitojnë statusin, pasi e dinë se jemi vend i sigurt e për këtë arsye, do t’i riatdhesojnë në Shqipëri.

Çdo qeveri, natyrshëm, duhet të merret me çështjen e dinjitetit të vendit të vet. Në këtë rast, mbushja e shesheve në qytetet evropiane, me shtetasit e tu që kërkojnë azil atje, padyshim që ul vlerat  dhe njollos fytyrën e shtetit. Pasi mesazhi qe jep nga jashtë, është se nuk arrin të mirëmbash qytetarët, t’u garantosh të ardhme, se nuk di të menaxhosh këtë pasuri të madhe njerëzore, e cila detyrohet që kontributin e vet ta japë jashtë e të përdoret përtej kufijve. Në këtë kuadër, hetimi mbi ato agjenci turistike që përfitojnë nga varfëria dhe angështia e njerëzve në kërkim të një punë dhe të ardhme të re, është padyshim kriminale. Porse, kjo është veç një anë e medaljes. Problem është se, çfarë bëhet për këta njerëz që t’u sigurosh shpresë dhe punë, vëmendje dhe shërbim, në mënyrë që të jenë kontribuues për vendin e tyre dhe jo krahë të tepërt pune.

Në një prononcim të djeshëm, të kryeministrit Rama në Parlament, që më së shumti i shërbente debatit me opozitën sesa vetë qytetarit, u relatuan shifra mbi punësimin. Nga 436 mijë vende pune që ishin të regjistruar në Librin e Punës në vitin 2013, tashmë në ditët e sotme, janë të regjistruar 640 mijë të punësuar. Dhe këtu nuk janë përfshirë të punësuarit në sektorin bujqësor. Pa hyrë në analiza ekonomike dhe në faktin se një pjesë e mirë nga shifra e shtuar, u përket shtetasve që dikur punonin në të zezë; pra, që ishin informatë, që nuk u paguheshin sigurimet e përfitimet e tjera të garantuara me ligj. Nga kjo anë është pozitive. Pra, marrja e sigurimit dhe përfitimet për pensionin. Por shifra e rritjes së punësimit, duke zbritur ata që punonin dikur në të zezë, rezulton e papërfillshme me raportet e rritjes së popullsisë. Plus që nga vetë shumica e kaluar, trashëguam gjithashtu një papunësi të lartë në shkallë vendi. Me kaq pak vende pune, rezulton se krahët e tepër e që nuk arrijnë të sigurojnë jetesën me një punë të ndershme, të jenë shtuar. Në këtë aspekt, ne vërtet i bie të jemi vend i sigurt, sipas parametrave europiane, po jemi në zgrip ekonomik mbijetese, kur papunësia është kaq e rënduar.

Ndaj dhe shqiptarët vijojnë të ikin. Ritmi i kërkesave për azil në vendet evropiane, vërtet ka rënë krahasuar me një vit më parë, kur ngjiteshim në krye të listave. Por më tepër sesa ndryshim mendjeje, është kuptueshmëria që do të kthehen e do t’u shkojnë dëm dhe paratë me të cilat do të udhëtojnë për në Europë. Ndërkaq, qeveria po e trajton çështjen e azilkërkuesve, thjesht si një ndër pikat për t’u përmbushur në dosjen e integrimit të vendit në BE. Thjesht si një detyrim ndaj kritereve për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe jo si një detyrim për qytetarët e vet, të cilët, ndërkaq, mbeten pika të rendit të ditës dhe krahë të tepërt pune.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: