“Boom” i turizmit, ndihmojnë hotelet dhe agjencitë turistike që të ecin para
“Boom”-i që po shënon sektori i turizmit kohët e fundit në vendin tonë, duket se po reflektohet edhe në ecurinë mjaft të mirë të biznesit të hotelerisë apo edhe të agjencive turistike si të tilla. Kështu, sipas të dhënave që referon vetë Instituti i Statistikave, rezulton se gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, i cili përkon në fakt me pikun e sezonit turistik në vendin tonë, hotelet kanë arritur që të sigurojnë një nivel të shtuar xhirosh deri në nivelin prej 17.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kurse agjencitë e udhëtimit e kishin këtë rritje deri në nivelin prej 24.4%. Kurse krahasuar tremujorin paraardhës, shitjet e tyre u rritën deri në nivelin prej 19.4%. Edhe ky një nivel mjaft i lartë, po të mendosh se kemi të bëjmë me një biznes modest në dukje, siç është ai i këtyre agjencive, përkundrejt industrisë, apo transporteve që kanë një hapësirë më të madhe në ekonomi. Nga ana tjetër, INSTAT-i raporton se punësuarit nëpër hotele gjatë këtij sezoni turistik u shtuan me 3.3%, kurse pagat e tyre u rritën jo pak, por deri në nivelin prej 13.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjë që vlen të thuhet edhe për biznesin e agjencive të udhëtimit, të cilat i shtuan punonjësit e tyre deri në 18.4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Dhe madje, edhe fondi i pagave të tyre u rrit deri në nivelin prej 10 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke treguar në këtë mënyrë, se ato vërtet kanë patur një ecuri të mirë biznesi gjatë tremujorit të tretë të këtij viti.
Po ngadalësohet edhe konsumi, qytetarët më pak blerje se më parë
Që bizneset kanë pakësuar xhirot e tyre gjatë këtij viti, sidomos në sektorin e tregtisë, kjo flet edhe për një pakësim të konsumit nga ana e qytetarëve. Kështu, sipas ekspertëve të statistikave, në një raport të mëparshëm, tregtia me pakicë ka regjistruar një ecuri negative në tremujorin e tretë të vitit, krahasuar me një vit më parë. Kështu, rritja vjetore e konsumit të qytetarëve është ngadalësuar ndjeshëm këtë vit, në krahasim me nivele prej 6% dhe 8% që u raportuan në dy tremujorët e fundit të vitit të kaluar. “Në grupin ‘Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara’, indeksi i volumit të shitjeve, është rritur me nivelin prej 1.7%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016”, citojnë ata. Duke konfirmuar kështu një nivel mjaft modest të rritjes së shitjeve, nëpër dyqane apo nëpër qendrat tregtare, rrjedhimisht edhe të konsumit të qytetarëve nëpër to.