Dashnor Diko: Si na përjashtuan nga shkolla për ëndrrën e lirisë

Dashnor Diko: Si na përjashtuan nga shkolla për ëndrrën e lirisë
Dashnor Diko, një ditë të bukur, vendosi të nisë biznesin e të mos merret me artin profesionalisht. Bëri një zgjedhje drastike, - midis qetësisë dhe mirëqenies familjare e jetës me zhurmë e sfida të artistit, zgjodhi familjen. Por deshi s'deshi, ai nuk u harrua asnjëherë dhe këngët e tij ende këndohen. Kjo e bën të lumtur djalin, tashmë burrë, që dikur këndonte fshehurazi nga Liqeni, pa menduar se bashkë me miqtë e tij, Aleksandër Gjokën, Redon Makashin, Elton Dedën etj., do të përbënin themelin e muzikës moderne shqiptare. Vjen në një intervistë ekskluzive për “Albanian Free Press” këngëtari buzagaz i viteve '90, Dashnor Diko...

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Kur jeni ngjitur në skenë për herë të parë?

Unë kam filluar, si shumë fëmijë të brezit tim, me festivalet e pionierëve. Për tre ose katër vjet, kam kënduar me Irma Libohovën, të dy si solistë, me profesor Robert Radonë. Kam marrë pjesë në disa festivale fëmijësh, ku në njërin prej tyre mora edhe çmim, zura vendin e dytë. Më pas, vazhdova të këndoja me aktivitetet e ndërmarrjeve, ku kam punuar edhe gjatë kohës dyvjeçare të ushtrisë, në të cilën isha në Tiranë fatmirësisht; këndoja në aktivitetet artistike të ushtrisë. Në mënyrë më profesionale, angazhimi im ka qenë më pas, në Pallatin e Kulturës, me kompozitorin Vladimir Kotani, ku aktivitetet ishin të shumta. Ishin kohë kur, sigurisht, duhet të ishe brenda kontureve ose limiteve që të diktonte sistemi që jetonim në ato vite. Ishim statikë, fiks, të ngurtë.

Ju keni pasur që në shkollën e mesme, miqësi me këngëtarin Aleksandër Gjoka. Na tregoni diçka rreth asaj periudhe..

Me Sandrin kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi shokë të ngushtë, si vëllezër. Kemi ndjekur shkollën e mesme të Politeknikumit dhe ishim shokë banke. Por nuk zgjati deri në fund, ha ha ha. Ishim dy çuna pak të prapë, të lëvizshëm, na përjashtuan nga shkolla.

Po arsyeja, çfarë kishit bërë?

Atëherë të quanin rebel, por po ta kujtosh sot, nuk bënim asgjë jashtë shkathtësisë djaloshare. Ne deshëm pak më shumë liri me veten, por jo me efekte anësore, pra pa i bërë dëm kujt. Ne kishim shumë ide, ëndrra brenda vetes, të cilat prisnin me padurim të shpërthenin, më saktë. Të gjitha këto në lidhje me muzikën, na i çonin shumë larg bisedat me Sandrin. Imagjinata fluturonte shumë lart, se çfarë do të bënim me talentin tonë, ku do këndonim. Ëndërronim të mbushnim stadiumet, të këndonim me flokë të gjatë e të veshur me lëkurë. Uronim me shpirt që të ndërronte sistemi e të ishim të lirë të këndonim si kolegët tanë në botë, si ata që i kishim idhuj e që i ndiqnim fshehurazi në TV ose radio. Këto ishin dëshirat e kohës për shumë bashkëmoshatarët tanë. Erdhi një kohë që, Zoti lart na dëgjoi dhe sistemi u përmbys, kështu filluam të realizojmë gradualisht ëndrrat tona të kahershme.

Dhe cili qe hapi i parë që bëtë?

Ne krijuam Grupin X bashkë me Sandrin, një nga grupet e para që janë krijuar, prej vitit 1991. Por edhe më përpara, ne këndonim tek kodrat e Liqenit Artificial, bashkë me Sandrin dhe shokë të tjerë. Atje ka qenë universiteti ynë, shkolla jonë e muzikës, sepse as unë, as Sandri, nuk kemi edukim të mirëfilltë muzikor, jemi autodidaktë. Na mjaftonte një kitarë në dorë dhe ne arrinim të realizonim gjithçka.

Po muzikën që dëgjonit dhe pëlqenit, ku e dëgjonit?

Ka qenë koha e hit parade-it që transmetonte televizioni italian, në orën 1 pa çerek të drekës, - e mbaj mend edhe orën. Kanë qenë spektaklet e Canzonissima, që transmetohej po në televizionin italian, ditë të shtunë. Dëgjonim shumë radiot sllave, “Pozdravin” ose disa televizione të ish-Jugosllavisë. Me ato kanoçet që sajoheshin në ato vite, me zhurmues, herë me sinjal e herë pa sinjal, ne përpiqeshim të ndiqnim muzikën e kohës. Sot, kur ia tregoj këto djemve të mi, u duket e pabesueshme.

Nuk kishit frikën se mund të arrestoheshit?

Kemi pasur incidente me policinë, sa të duash. Unë edhe sot nuk e kuptoj, ishte një paradoks. Në Tiranë ka pasur dyqan ku shiteshin vegla muzikore, pra mund t’i blije e t’i përdorje. Por kur të shikonte policia me kitarë në dorë, andej nga Liqeni, ishte sikur të të shikonte me ndonjë karabinë, pra me armë. Ishte një konotacion negativ, e quanin kitarën si një punë armiqësore. Por ai ishte vendi ynë i shenjtë, ku ne nxirrnim të gjithë dufin, gjithë ndjenjat e ndrydhura nga sistemi, në lidhje me muzikën.

Cilët kanë qenë idhujt tuaj në ato vite?

Adhuroja Bob Marley-n dhe ende sot e dua muzikën e tij. Përpiqesha të këndoja si ai, pavarësisht se me anglishten nuk i kisha punët aq mirë. Por kujtoj me nostalgji se, këndoja shumë edhe këngët e John Lenon.

Në ato vite, ëndërroja të kisha dy djem e të quheshin Xhon dhe Bob, dhe ashtu quhen. Por duke dëgjuar, si e thashë më lart, radion jugosllave, më pëlqente shumë grupi “Fisnikët”. Kanë pasur këngë tepër të bukura, që i kanë mbijetuar kohës, sepse ky grup edhe sot, është nga më të mirët. Më pëlqenin këngët shqip të trevave shqiptare jashtë kufijve, sepse ishin një hap më përpara, kishin një trajtim ndryshe muzikor. Në orkestrim ishin më të lirshëm, më të evoluar, ndryshe nga ne këtu nën sistemin socialist.

Kur nisi periudha e artë e festivaleve?

Isha i angazhuar në aktivitetet muzikore të Pallatit të Kulturës, dhe ishte nisma e vyer e kompozitorit Vladimir Kotani, i cili na ingranoi në festivale. Në ato kohë, nuk ishte e lehtë të hyje në festival. Gradualisht u bëmë pjesë e tij, u bë si një ring, ku më të mirët sfidoheshin mes tyre, nuk kishte më parti e socializëm që të ndalonte. Karriera ime erdhi gjithmonë e me këngë më të bukura, me turne e koncerte pa ndërprerje, deri në fillim të viteve 2000, kur vendosa të ndryshoj aktivitet. Deri në ato kohë, artisti vlerësohej vetëm në bazë të meritave dhe talentit.

Dhe përse vendose ta ndërpresësh karrierën befas?

Nuk ndodhi befas. Unë nuhata diçka që mu duk me rëndësi. Nuhata që muzika e mirë e lehtë filloi të merrte një farë tatëpjete, sa i takon cilësisë dhe shijeve të publikut. U kthye në konsum, muzika u ngacmua. Muzika e ka bukurinë e saj po ta lësh të ecë në rrjedhën e saj, lirshëm, pa ndërhyrje. Po filluan ndërhyrjet pastaj, prishet gjithçka. Këngëtari duhet të marrë vlerë për aq sa e meriton, mua nuk më pëlqenin lavdet e pamerituara, ndaj vendosa të tërhiqem. Por kjo jo sepse mua më është larguar muzika nga vetja. Muzikën e kam brenda vetes e me të do të vdes!

Kur mblidheni me miqtë tuaj artistë, këndon ndonjëherë?

Ndodh edhe të këndojmë, por mbi të gjitha, na pëlqen pjesa e të ndenjurit bashkë. Ne kemi shumë se çfarë të tregojmë. E gjithë jeta ime artistike ka shumë kujtime të bukura. Mirë është të njihesh me shumë njerëz në jetë, por që të mbash një shoqëri duhet të investosh për të. Tek unë, kjo pjesë nuk ka munguar asnjëherë. E them pa modesti se, unë kam ditur të mbaj marrëdhënie të mira me ish-kolegët e miqtë e këngës. Nuk kam asnjë “hasmëri” ose armiqësi nga njerëzit që më rrethojnë.

Ndoshta kjo ndodh, sepse keni qenë gjithmonë pozitiv si karakter...

Marrëdhëniet me kolegët e me miqtë, i kam ruajtur me dashuri, qysh në fillimet e para të karrierës,para dhe pas viteve ’90. Nëse nuk je pozitiv, çdokush mund të zgjedhë të largohet nga ty. Por po nuk ia pate tjetrit me të keq, nuk ka asnjë arsye të largohet. Kështu që për mua, ka vlerë të ruajmë respektin me njëri-tjetrin, kudo ku na ka çuar jeta.

A të ftojnë të rikthehesh në skenë?

Ka pasur shpesh kërkesa ose dëshirë nga miqtë e mi, për të kënduar me ta. P.sh., mikesha ime Aurela Gaçe më ka bërë ftesë për të kënduar bashkë, në një nga netët që ajo organizon, live. I jam përgjigjur që preferoj të mbahem mend si atëherë, në ato maja karriere e në atë pozicion ku e kam lënë, pra në kulmin tim. Dëgjo Juela. Unë çdo gjë e marr me përgjegjësi, ndaj për mua skena dhe muzika janë përgjegjësi e madhe. Nuk mundem të marr përsëri një hap të pamenduar mirë. E kam lënë duke kapur një kulminacion, jo vetëm unë, por thuajse gjithë brezi im dhe rikthimi është thikë me dy presa.

Sot këngët e tua, p.sh., do mateshin me klikime, do të kishin miliona klikime...

Nuk para e ndjek You Tube-in, por ndihem mirë kur dëgjoj që edhe sot e kësaj dite, kënga ime më e suksesshme pëlqehet ende, një këngë që ka 20 vjet që është krijuar.

E keni fjalën për këngën “Banania”? Si lindi ajo këngë?

Mua më kanë pëlqyer gjithmonë ritmet latine ose reggae, pra këngë harmonike, që dëgjohen e mësohen shpejt nga publiku, që nuk ta lodhin veshin. Ideja e kësaj kënge ka qenë e Edmond Mancakut, i cili duke njohur shijet e mia muzikore dhe karakterin e zërit tim, nderoi këtë këngë, pjesë e së cilës u bë dhe poeti i mirënjohur, i ndjeri Alqi Boshnjaku, për të cilin ruaj një kujtim dhe respekt maksimal. Në bazë të muzikës, ai përshtati tekstin, duke u bërë bashkë me Shpëtim Saraçin i cili bëri orkestrimin. Kënga pati sukses të madh, të cilin nuk e prisja, jo deri aty sa kënga të vlerësohej me çmim të parë. Mendoja se do të ishte një këngë e gëzueshme dhe kaq. Por edhe sot e kësaj dite, ajo këndohet dhe pëlqehet. Është normale që ndihem krenar, ndihem shumë mirë që edhe të rinjtë, e njohin dhe e këndojnë. Ajo që më bën të ndihem më mirë, është që kam lënë një gjurmë në muzikën shqiptare, ka këngëtarë që kanë me dhjetëra albume, por asnjë këngë nuk u mbahet mend. Është më mirë kur realizon këngë pak e saktë, këngë që pëlqehen e këndohen, që ngjallin alegri dhe humor të mirë, me mesazhin se jeta është e bukur e se duhet jetuar. Kam shumë vite që jam shkëputur nga muzika, por them me vete se paskam lënë një gur të fortë.

Por djemtë, ngjasuan nga ju?

Djemtë e mi kanë pasur e kanë pasion sportin e notit. Të dy janë stërvitur për mjaft vite. I madhi sot jeton e studion për IT në SHBA, ndërsa djali im i vogël, që është 16-vjeçar, edhe ai notar, ka vesh për muzikë, por unë nuk ia kam ushqyer këtë pasion. Më saktë, u kam lënë rrugë të lirë të zgjedhin pasionet e tyre. Thjesht i kam përkrahur, bashkë me bashkëshorten.

Jam kureshtare, si u njohët me bashkëshorten?

Bashkëshortja ime, ashtu si unë, është marrë për shumë vite me biznesin e saj, në fushën e veshjeve. Por më pas, vendosi t’i përkushtohet plotësisht kujdesit për djalin që jeton këtu dhe familjes. Me të kam një raport mjaft të mirë dhe në harmoni, njësoj si në fillimet tona. Ajo është këshilluesja më e mirë në biznes, pasi i mendon gjërat më në detaje. Jemi njohur që fëmijë, pasi të dy jemi nga Korça. Unë kam lindur në qytetin e Elbasanit, por me origjinë jam nga qyteti i Korçës. Pushimet e verës i kaloja atje, pasi kisha të afërmit e mi dhe po aty u njoha edhe me bashkëshorten.

Dashuria mes nesh ka ardhur gradualisht, pasi në fillim kemi qenë miq të mirë. Më pas kaloi në një stad tjetër, por kemi njohje të hershme, madje dhe familjet tona njiheshin. Nga kjo dashuri, erdhën në jetë edhe dy djemtë tanë, që janë edhe lumturia jonë më e madhe, kryevepra jonë.

Çfarë është peshkimi për ty, pasion?

Është shumë më tepër, është vetë jeta, mendimet e mia, horizonti im i lirisë. Jam i pasionuar pas peshkimit, deri në çmenduri, deri në rrezik. Sa net kam kaluar i vetëm me gomonen time, në det të hapur deri në mëngjes. Çdo gusht, shkoj në Sarandë, ku kaloj një muaj e nuk bëj plazh, por peshkoj në Ksamil. E kam shëtitur tërë bregdetin shqiptar duke peshkuar. Pas familjes, është e vetmja gjë për të cilën shpenzoj në mjete e pajisje. Mendja më rri tek deti dhe tek peshkimi dhe pres me padurim verën. Edhe kur shkoj jashtë kufijve, për peshkimin informohem dhe blej gjërat më të reja.

 

Ke një miqësi speciale me këngëtarin Aleksandër Gjoka...

Sandri është një figurë e përhershme në jetën time. Do jem gjithmonë afër tij e ai pranë meje. Na lidhin shumë gjëra, dashuria për muzikën, vlerësimi për miqësinë, respekti dhe mirënjohja për njerëzit dhe familjen. Është më shumë se një mik. Përveç kësaj, edhe si artist, është i pakrahasueshëm!

 

Sot, çfarë e bën të lumtur Dhurimin?

Familja ime, mbi të gjithë djemtë dhe bashkëshortja, miqtë që nuk më lënë kurrë vetëm, sporti, palestra, në të cilën ushtrohem gjithmonë e, sigurisht, peshkimi dhe të ndenjurit me veten dhe detin. Puna ime e ndërtuar me sakrifica dhe e fundit, por jo më e parëndësishmja, muzika e mirë që ushqen shpirtin.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: