Familja shqiptare e integruar në Gjermani deportohet

Familja shqiptare e integruar në Gjermani deportohet
 

Ndërkohë që Gjermania po kërkon në mënyrë të dëshpëruar për mjeshtrit në ndërtim dhe infermierë, shënohen jo pak raste kur shqiptarë me këto profesione që ndodhen tashmë në këtë vend, të deportohen në vendin e tyre.

Xhezo Ajazaj, 31-vjeç, është një shtrues pllakash, ndërsa gruaja e tij Artjola, 29-vjeçe, ka punuar si infermiere geriatrike. Sidoqoftë, bashkëshortët dhe tre bijat e tyre tani janë deportuar nga Gjermania në drejtim të Shqipërisë.

Gazeta gjermane "Bild" shkruan se komisioni i emigracionit kishte folur në favor të drejtës së saj për të qëndruar në vend, por çdo gjë shkoi si mos më keq, pasi familja largohet përpara Krishtlindjeve nga Gjermania.

Gazeta shkruan se familja shqiptare ka udhëtuar tri vite më parë nga Shqipëria për në Berlin, duke u "larguar nga atdheu i tyre për shkak të korrupsionit të përditshëm".

Në Berlin, familja aplikoi për azil dhe mori një pranim të përkohshëm. Xhezo shpejt pati një punë të qëndrueshme si shtrues pllakash. Gruaja e tij dëshiron të bëjë një trajnim të duhur si infermiere geriatrike. Dy vajzat Klara (8) dhe Lejman (4) flasin gjermanisht, ndërsa më e vogla Carolina (6 muaj) ka lindur në Gjermani.

Megjithatë, senatori i Brendshëm Andreas Geisel duket se ishte kundër familjes.

Menaxheri Martin Habeland thotë se shqiptari kishte një punë të qëndrueshme dhe të sigurt për vitet e ardhshme.

Reinhart Kraft (79 vjeç), pastor në pension nga Lichtenrade, ka njohur familjen për vite të tëra dhe i ka ndihmuar ata të mësojnë gjermanishten.

"Ata kanë ndërtuar diçka këtu, fëmijët janë këtu në shtëpi," thotë ai.

Autoritetet thonë se Shqipëria konsiderohet një vend i sigurt i origjinës.

"Nuk ka asgjë të keqe me faktin se familja në Berlin përpiqet për një karrierë të ardhshme. Vetëm procedura e azilit është mënyra e gabuar për ta bërë këtë", thanë autoritetet lokale.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: