“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoqja Monika Kryemadhi: Kur po dëgjoja muzikën e filmit “Skënderbeu”, mendova se do e pësoja si ajo që u godit me shigjetë

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoqja Monika Kryemadhi: Kur po dëgjoja muzikën e filmit “Skënderbeu”, mendova se do e pësoja si ajo që u godit me shigjetë
Satirë

Antena jashtë Familjes" hapet sot, si përherë, me një lajm të mirë, të cilën gazetarja jonë Sonila, e solli dje për ju, të nderuar lexues.

"Gripi i Derrit nuk e ka prekur akoma vendin tonë." Ai ka prekur vendet përreth nesh, por nuk ja ka mbajtur të vijë e të hyjë te ne.

Gjithashtu, ne dje dhamë lajmin e mirë që ka të bëjë me bizneset e huaja në vendin tonë. Ato janë ulur në numër. Po shkojnë në vendet pranë nesh.

Përse themi që ky është një lajm i mirë?

Sepse në situatën kur në këto vende ka rënë Gripi i Derrit, ata njerëz që jetojnë aty, kanë më tepër nevojë sesa kemi ne, sigurisht.

Shqiptarët janë mirëkuptues, e si të tillë janë edhe tolerantë.

Ne i përshëndesim ata biznesmenë të huaj, qe shkojnë në vendet e prekura nga ky grip. Të tillë kemi qenë përherë ne shqiptarët, Shpirtmëdhenj.

E meqë ta llafi te mirëkuptimi. Kjo veti u tregua edhe dje, në protestën që organizoi opozita pranë Kuvendit. Dje, para gjithë botës, dy ish kundërshtarë të rreptë, si Luli dhe Monika, lanë mënjanë mëritë e vjetra.

U bashkuan dhe kundërshtuan së bashku emërimin, e Prokurorit të Përgjithshëm, por (jo) të Përkohshëm.

E meqë ra llafi te Prokurori, duam të urojmë shoqen Marku, për detyrën e re që mori dje mes tymit.

Ne kemi besim se, ajo do të jetë e pavarur. E nuk ka si të jetë ndryshe.

Fundja edhe ajo vetë do jetë ndjerë keq, që as deputetët e PS-së, nuk e votuan të gjithë, e nuk "do ja u mbaj vathë në vesh" këtë gjë.

Ne shpresojmë dhe urojmë që në krye të institucionit ku do punojë, të tregohet trimëreshë, me çështjet e mëdha. Ashtu siç është treguar edhe me dosjet e vjedhjeve të vogla, që ka hetuar këto vite.

Mos të pyes fare, as për Kryeministër, as për opozitë dhe as për President.

E meqë ra llafi te Presidenti. Antena jonë ka mundur të mbërthejë në valët e saj, komunikimin me shkrim të tij, me bashkëshorten. Ja bashkëllafosja e tyre.

Ilir Meta: Moni, ku je? Kam 10 minuta që te kam dërguar sms. Ku je futur?

Monika: Kam dalë në protestë. Hë, çfarë doje?

Ilir Meta: Ke bërë gjë për drekë, se dua të vij te ty për të ngrënë. Të marr edhe ndonjë lek nga dysheku, se kam mbetur pa asnjë kacidhe në xhepa.

Monika: Ik, o Like, se po më luan mendja e kokës! E shikon ç'bëhet ti?

Ilir Meta: Jo! Ç'po ndodh? Nuk kam televizor këtu në Presidencë. E kanë hequr para 7 vjetëve, e nuk kanë sjellë tjetër. Tani po e kuptoj se, përse në 21 janar, nuk doli Bamir Topi, e t'u thoshte protestuesve që të ruanin qetësinë. S'ka pasur tv ku ta shikonte ngjarjen.

Monika: O, ti e ke në terëzi, o Like! Mua më ka humbur këpuca.

Iliri Meta: Të ka humbur këpuca?! Ku? Mirë, mos u shqetëso për një këpucë, zemër!

Monika: Më thua edhe zemër, pale. Të më kishe zemër, nuk më lije këtu vetëm. Po kështu bëheni ju burrat, kur doni të hani. Kot nuk ka thënë Olta Xhaçka, kur njohu burrin në grevën e urisë që, dashuria kalon nga stomaku.

Ti, po je burrë, vjen këtu e më gjen këpucën!

Ilir Meta: Po të sjell unë një palë këpucë fringo, moj shpirt! Sa të shkoj e të ha diçka, e të marr ca lekë tek ai dysheku që e dimë vetëm ne të dy, e do shkoj të të blej këpucë të reja fare, nga më të mirat.

Monika: Nuk janë më te ai dyshek. I kam hequr lekët prej andej.

Ilir Meta: Ku i ke çuar, zemër? I ke futur në ndonjë vend të mirë?

Monika: Nuk ta tregoj. As e shoqja e Edit nuk ja tregon lekët burrit të vet.

Edhe Luli kështu më tha për gruan e tij. Ti, po je burrë, vjen këtu, e më mbron!

Ilir Meta: Po ç'të të mbroj unë, moj shpirt! Edhe të dua, s'mundem. Jam bërë kockë e lëkurë. Më merr era, jo më të ndeshem me njeri. Po u mbrojte vetë, mirë. S'kam pikë fuqie...!

Monika: Kështu jeni ju burrat, të lini në baltë. Shyqyr që kisha Kejdin këtu. Ju lëshua si sokoleshë dhe i rrëmbeu kartonin njërit...

Ilir Meta: Po kartonin ç'e do? Apo për të futur këpucët. Po dëgjoj një muzikë të filmit "Skënderbeu". Apo më bëjnë veshët mua, nga të pangrënët?

Monika: E ka vënë Luli, për t'u dukur trim. U tremba kur e dëgjova në fillim. M'u duk sikur do më qëllonin, siç qëlluan atë gruan me shigjetë, te filmi.

Erdhi Kejdi e më qetësoi, shyqyr! Ajo vajzë është heroinë!

Ika unë tani, se kam pune. Ik edhe ti e ha ndonjë pjatë fasule në shtëpi! Ama, mos të të gjej unë aty, kur të kthehem! Edhe mos e lër pjatën pa larë, dëgjon...!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: