GËZUAR E ME MEND NË KOKË! – ANALIZË NGA SONILA MEÇO

GËZUAR E ME MEND NË KOKË! – ANALIZË NGA SONILA MEÇO
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në vigjilje ndërrimi vitesh, nuk ia lejoj askujt të ma prishë rehatin me lajme të pabukura! Do njeriu të mblidhet me të vetët, ata që i sheh rrallë e më rrallë prej emigracionit, prindërit që plaken e kërrusen, fëmijët që duan edhe atë dhuratën që panë në instagram. Mirëpo, unë hyj tek ata njerëz që, mendoj se, gëzimin e një nate me të shtrenjtët, nuk e mbart dot vetëm një datë në kalendar dhe se, meqë asgjë e jashtëzakonshme nuk ndodh në konstelacione atë natë, veç një shpenzimi të harbuar për fishekzjarrë që çajnë qiellin, mund t’ia lejoj vetes të flas edhe për gjëra që na bëjnë të vrasim mendjen se me ç’do kalojmë vitin e jo një natë. Kush e ndjen se nuk tret dot gjelin e detit a bakllavanë, duke lexuar një analizë për ç’do “hamë” vitin e ardhshëm, le ta lërë pas 1 janarit për ta lexuar. Unë do ta shkruaj, se bashkë do t’i ndajmë hallet o popull, megjithëse vështirë se do bëhemi ndonjëherë bashkë për t’i zgjidhur.

Do t’jua lehtësoj analizën. Do flas për ekonominë dhe sesi e ka ndarë mendjen kjo qeveri me këtë model (ç’model për të qenë të saktë), të na përmirësojë jetesën. Gjithçka që kontribuon në rritjen ekonomike e zhvillim, parashikohet në rënie. Dhe unë po analizoj ata tregues që qeveria i vërtit me krenari në çdo konferencë shtypi, ata MAKROEKONOMIKE (që publiku të mos kuptojë asgjë).

Le të nisim me Investimet e Huaja Direkte dhe disa tregues produktiviteti

Përse janë të rëndësishme Investimet e Huaja Direkte? Së pari, në zhvillimin e vendit dhe mundësinë e zgjerimit të tregjeve. Nëpërmjet tyre ekonomia rritet, teknologjia përmirësohet, shtohen avantazhet konkurruese, ulet ndikimi i politikës, ryshfetit, nepotizmit, përmirësohet klima e biznesit. Po aq ndikojnë në përmirësimin e kushteve të punës dhe standardit të jetesës së punonjësve, paguhen më shumë taksa duke mbushur mirë edhe buxhetin e shtetit. Për një vend të varfër si Shqipëria, ato sigurojnë investimet kryesore, në një kohë që edhe vetë qeveria nuk përmbush të sajat. Situata aktuale është problematike në thithjen e tyre, mjaftueshëm të detyrojë Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, apo agjencinë ndërkombëtare vlerësuese, Standard and Poor’s. Çfarë plani mund të na dëshmojë sot qeveria, për thithjen e investimeve të huaja, sidomos pas alarmit të institucioneve ndërkombëtare? Pyetja bëhet edhe më e rëndësishme për një ndër arsyet madhore: Projekti i gazsjellësit TAP, që aktualisht zë pjesën më të madhe të Investimeve të Huaja Direkte, është drejt përfundimit. Mbi 80 për qind e tubave të gazsjellësit, Trans-Altantik, janë vendosur në Shqipëri dhe Greqi. Përgjatë dy viteve 2017-2018, TAP investoi një shumë prej 800 milionë eurosh, që është zëri më i rëndësishëm në stokun e investimeve të huaja në Shqipëri, në total 1,5 miliardë euro.

Nëse do të kërkojmë arsyet e këtij niveli, nuk do t’i gjejmë dot te deklaratat qeveritare, që pluskojnë mbi tymuese, duke rrezikuar të na asfiksojnë të gjithëve. Arsye nuk mund të jenë taksat e larta, pavarësisht se rritja e tyre është e ndjeshme në raport me taksën e sheshtë të viteve më parë, që mikloi jo pak investime të huaja. Shqipëria ka taksa të ulëta gjithsesi, në raport me vendet e zhvilluara. Por “taksa” që duhet të paguajnë këtu investitorët e huaj, shkon shumë më e lartë për shkak të korrupsionit, institucioneve të dobëta, pasigurisë, çështjes së pazgjidhur të pronave, mungesës së infrastrukturës dhe rritjes së ndjeshme të kriminalitetit. Për të mos folur për prekjen pa paralajmërim e fushata sensibilizuese të ligjeve që lidhen me procedura tatimore. Mbi 4 herë të prekura në 3 vjet. Si mundet një investitor i huaj të përballojë edhe këtë kosto, që nuk i lejojnë hartimin e strategjive dhe përshtatjen në kohë? Ngjan sikur bëjmë të pamundurën t’i bezdisim, përzëmë, marrim me shkelma e vënë prangat (këtu jo figurativisht). Nëse i referohemi të dhënave të Bankës Botërore, fluksi i Investimeve të Huaja Direkte ka rënë ndjeshëm pas vitit 2013. Çfarë ka bërë kjo qeveri për të tërhequr investimet e huaja? Cili qe “brand”-i i saj për të cilin flet shumë, por gjurmët nuk ia gjen dot kund? Mjafton të kërkojmë se, me çfarë konkurron sot ekonomia shqiptare në rajon e më gjerë, dhe se sa ka mundur të zbusë hullinë mes të pasurve e të varfërve?

Por edhe nëse ju thonë se kazani është ai që keqinformon, klikoni tek INSTAT, instituti i statistikave të cilit i referohet qeveria. Në një nga publikimet e tij për investimet e huaja direkte, INSTAT tregon se numri i ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, ka rënë me 5.2% në vitin 2016. Të paktën, 13 shtete kanë shënuar tkurrje të numrit të subjekteve që kishin aktivitet në Shqipëri, ku kryesojnë vendet e Europës Perëndimore. Vetë përfaqësuesja e Bankës Botërore për Shqipërinë, deklaroi disa javë më parë se, rritja ekonomike deri tani në Shqipëri, ka qenë e orientuar nga konsumi. Por, në të ardhmen, duhet të jenë domosdoshmërisht investimet ato që duhet ta nxisin, rekomandoi ajo. Pra, nuk mban më ujë, ky lloj pilafi, nëse do duam të hamë. Dhe faktet flasin vetë: Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, të ardhurat e Shqipërisë në vitin 2016, ishin sa 30% e mesatares së BE-së, po aq sa në vitin 2012 dhe më të ulëtat në rajon. Të ardhurat e Maqedonisë në vitin 2016, ishin sa 38% e mesatares së BE-së, nga 34% në 2012-n. Eurostat ka publikuar edhe Konsumin Aktual Individual, që është tregues i mirëqenies materiale të familjeve në Europë. Ky tregues për Shqipërinë, është jo vetëm më i ulëti në BE, por edhe në rajon. Por që të zbërthejmë deri në fund të vërtetat e ekonomisë sonë, produktivitetit të saj dhe mundësisë që i ofron çdo punonjësi, na shërben edhe një tregues që e mundëson Banka Botërore: Treguesi i produktivitetit të dukshëm të punës, matur përmes Vlerës Bruto të Shtuar për punonjës (prodhimit për punonjës). Pra, sa na shpërblen puna që bëjmë dhe si shpërblehemi për të rritur produktivitetin? Shqipëria renditet e fundit në rajon, me 10 mijë dollarë në vitin 2015, nga gati 15 mijë dollarë që është mesatarja e gjithë Ballkanit Perëndimor. Produktivitetin më të lartë e ka Kosova, me gati 18 mijë dollarë, e ndjekur nga Mali i Zi, Bosnja, Serbia, Maqedonia dhe vetëm në fund, vjen Shqipëria.

Le të vijojmë me rritjen ekonomike.

Në panoramën e grisë sunduese, institucionet që vënë alarmin janë ato që rreken të shuajnë edhe zjarrin, duke pikuar ca optimizëm mes rreshtave. Flitet për një mundësi rritjeje, duke iu referuar ekonomisë globale, procesit integrues në BE, por këto nuk varen nga ne. Çfarë kemi në dorë? Faktorë të brendshëm. Revista më e madhe ekonomike në vend, pak ditë më parë dëshmonte në editorialin e saj se biznesi me norma më të larta fitimi në Shqipëri është ai i lojërave të fatit. Çfarë ironie fati?! Në vendin ku kursimet bien ndjeshëm, luhet me fatin e jo me punën. Kjo është struktura e ekonomisë sonë, në të cilën janë përfshirë tashmë edhe koncesionet, apo PPP-të (Partneritetet Publik-Privat), që kanë arritur shifrën e 2 miliardë eurove. Dhe si për të rrotulluar mirë thikën që i ka hyrë në palcë shqiptarit, koncesionet janë më të përfolurat për korrupsion, mungesë eficience e nepotizëm. Duke krijuar edhe monopole që kanë mbyllur ekonominë, duke ulur edhe cilësinë e punëve me shmangien e konkurrencës së lirë.

Një paralajmërim të fundit na e dha Banka e Shqipërisë, e cila pak ditë më parë deklaroi se ekonomia shqiptare u ngadalësua në 6 mujorin e dytë të vitit, duke hedhur poshtë pretendimet e qeverisë për rritje ekonomike prej 4 për qind, referuar edhe ecurisë së pjesës së parë të vitit. Sinjalet ishin dhënë më herët nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, sipas të cilëve, në 2018-ën ekonomia shqiptare do të ngadalësohet drejt nivelit 3.7 për qind për shkak të rënies së investimeve të huaja. Sipas tyre, shkaku për këtë ngadalësim është përfundimi i gazsjellësit Transadriatik dhe kaskadës së Devollit, dy projekte madhore të cilët gjatë dy viteve të fundit kanë udhëhequr rritjen ekonomike të Shqipërisë. Dhe ja ku mbyllet ky rreth vicioz që luan me perceptimet e shqiptarëve. Një tregues si rritja ekonomike, që jo domosdoshmërisht dëshmon zhvillim, përdoret nga qeveria për të luajtur me shqisat e perceptimet tona. Rritja ekonomike, gjithsesi e ulët për një vend si i yni, mbahet nga dy projekte që, prej vitit të ardhshëm, nuk kontribuojnë më si më parë. Atëherë, ku do mbahet rritja dhe, më troç, ku do të mbahet ekonomia shqiptare, e kapur nga koncesionet, lojërat e fatit, një klimë politike e acaruar dhe paraja e pistë?

Ja të ndalemi pak tek inflacioni:

Sa herë të dëgjoni përfaqësuesit e ekonomisë e financave në vend t’ju thonë se treguesit makroekonomikë janë të qëndrueshëm, mund të bëni vetë një analizë elementare. Inflacioni, që mat nivelin e përgjithshëm të çmimeve është i ulët prej kohësh. Pra, edhe kostot e punës e prodhimit janë të ulëta. Biznesi shfrytëzon vetëm një pjesë të kapaciteteve të veta prodhuese, për shkak të kërkesës së ulët në treg. Kjo bën që inflacioni të jetë i ulët e të mos shohim rritje pagash. Ja pra ç’do të thotë të kuptosh se ç’po ndodh me ekonominë sot, duke u fshehur pas shifrash e frazash të ndërlikuara.

Motori i ekonomisë

Le të qëndrojmë edhe për pak tek kontribuuesit kryesorë të rritjes ekonomike. Banka e Shqipërisë, në analizën e saj më të fundit, vëren se nga ana e prodhimit, zgjerimi i rritjes reale të ekonomisë, u mbështet kryesisht nga aktiviteti ndërtues dhe ai i shërbimeve, ku kontributin kryesor e dha sektori i ndërtimit. Sektori i ndërtimit kontribuoi me 45% të rritjes ekonomike në gjysmën e parë të vitit 2017. Një sinjal shqetësues për shëndetin e ekonomisë, sepse bizneset e mëdha në tregti dhe industri, nuk po gjejnë alternativa për investime e dynden në ndërtim.

Me sy të lirë, e mandej mbështetur nga statistika, modeli ekonomik e ka rikthyer timonin nga ndërtimi, një deja-vu që i ka kushtuar jo pak stabilitetit të sektorit bankar në të shkuarën. Por kësaj here bankat kanë vendosur të qëndrojnë larg, sepse nuk janë më financuesit kryesorë të sektorit e për këtë ndihen të mbrojtura. Nga po vjen kjo para dhe pse rigjallërohet ndërtimi, kur në fakt shoqëria tkurret prej ikjes masive të shqiptarëve? Ja një tjetër sinjal i shëndetit të përkeqësuar të ekonomisë. Sektori i ndërtimit, bashkë me biznesin e lojërave të fatit, konsiderohen si mjeti më efikas i pastrimit të parave të pista. Ndërtimi shihet si sektori me kthimin më të shpejtë të investimit dhe një metode shumë efikase për pastrimin e parasë. Ndërtimi në periudhë afatshkurtër ka kthim të shpejtë të investimit dhe fitim të lartë, por, në periudhë afatgjatë, këto investime nuk janë produktive. Thënë ndryshe, nuk gjenerojnë punësim dhe të ardhura. Por, nëse në të shkuarën, flluska i plasi në duar sektorit bankar, kush do të lagë mirë e mirë duart kësaj here? Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e tretë të vitit janë dhënë gjithsej 310 leje ndërtimi, nga të cilat 65 në Tiranë. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, në gjithë Shqipërinë ishin dhënë vetëm 145 leje. Ndërsa për gjithë 9 mujorin janë dhënë gjithsej 608 leje, 167 prej e të cilave kanë qenë në Tiranë. Ekspertët kanë vërejnë se kjo ofertë që po krijohet me apartamente është me e lartë sesa kërkesa dhe flluska mund të çahet duke e rrezikuar tregun e ku banesat të mbeten pa shitur. Sërish kapitale të mobilizuara në llaç e tulla, kur Shqipëria ka nevojë për prodhim.

Ky është modeli i rritjes ekonomike të zgjedhur nga qeveria, ku ekspertë ndërkombëtarë e të huaj po ngjiren duke kërkuar që nga konsumi të kalohet në investime, të rriten eksportet dhe të ulet roli i shtetit në ekonomi. Por qeveria ka marrë përsipër të vendosë për gjithçka, kush investon, ku dhe çfarë. Si për ta vërtetuar këtë pohim ja ku vjen edhe një tjetër indeks, ai Ndërkombëtar i Sipërmarrjes 2018, hartuar nga Instituti për Sipërmarrje dhe Zhvillim GEDI. Shqipëria renditet e 83-ta në botë, ndërsa në Ballkan lë pas vetëm Bosnje-Hercegovinën. Shqipëria renditet e parafundit në rajon për klimën e biznesit dhe institucionet shtetërore janë ndër elementët që e përkeqësojnë këtë klimë. Po ashtu, krahasuar më një vit më parë, Shqipëria është përkeqësuar me 3 pozicione, ndërsa me dy vite më parë, ka humbur 7 pozicione. Pra, institucionet shtetërore ia bëjnë klimën të pamundur biznesit.

Nuk i kam hyrë në analizë pamundësisë së uljes së borxhit, ku një skemë që realizon qëllimin do të parashikonte sërish shtim taksash për shqiptarët. Kjo është Shqipëria e 2017-ës, me perspektivën e 2018-ës. Një model ekonomik ku po mësojnë dorën ata që fusin bakshishin në xhep e po e ushtrojnë vendçe ata që rrjepin ekonominë. Populli bën mirë ta dijë se jo me analizën time e as me opinionin që i serviret me bujari televizionit e portaleve, do të mund të shijojë pa andralla atë të shkretë darkë të ndërrimit të viteve. Madje, që në krye, e shkrova, kush ka stomak të dobët e ndjeshmëri të lartë, të darkojë një herë, të tresë edhe kuadratin më të fundit në tepsinë e bakllavasë dhe në mëngjes të 1 janarit 2018 le t’i bëjë një pyetje vetes: Kush do t’ia garantojë vaktin deri në darkën tjetër? Se ne, shqiptarët, e kemi zakon të vrasim mendjen se ç’do të hamë për një natë, e lëmë veten të ngopemi me reklama e propagandë për 364 ditë të tjera.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: