I mori 100 euro qytetarit, pranga efektivit të policisë

I mori 100 euro qytetarit, pranga efektivit të policisë
Prangat janë shtrënguar në duart e një efektiv të Policisë Kufitare Vlore i dyshuar për korrupsion pasiv.

Bledar Shele është vënë në pranga nga SHÇBA pasi dyshohet se i kërkoi 100 euro një shtetasi në shkëmbim të lejimit të udhëtimit drejt Italisë, me pretendimin se nuk përmbushte tërësisht kushtet e kalimit të lirë në zonën “Shengen”.

Në kuadër të operacionit “Blue border”, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlore kanë goditur një rast të korrupsionit pasiv.

SHÇBA kishte regjistruar procedimin penal në Prokurori mbi bazën e informacioneve që kishte siguruar me herët.

Pas një hetimi me metoda speciale u bë e mundur të dokumentohej ky aktivitet pasditen e sotme.

Strukturat e SHÇBA kanë arrestuar në flagrancë Bledar Shelen, 39 vjeç, me detyre kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare në Portin e Vlorës.

Efektivi i pikës së kalimit kufitar dyshohet se i kërkoi 100 euro një shtetasi për të lejuar të vijonte udhëtimin drejt Italisë, duke pretenduar se nuk përmbushte tërësisht kushtet e kalimit të lirë në zonën “Shengen”.

Gjatë arrestimit në flagrancë, të ndaluarit iu sekuestruan sasia prej 100 eurosh në cilësinë e provës materiale.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: