Kamer Qaka: E vërteta ime e merkatos, më pëlqen futbolli latin

Kamer Qaka: E vërteta ime e merkatos, më pëlqen futbolli latin
Disa klube, me sytë nga Kamer Qaka në Rumani, për të forcuar mesfushën  

Të prekësh ekipin kombëtar është edhe një arsye më shumë për karrierë personale. Ja pse ëndrra e çdo futbollisti shqiptar apo të huaj, është të jetë pjesë e kombëtares së tij. Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Kamer Qaka, një mesfushor në pronësi të klubit rumun, Politehnica Iasi, disa javë pasi mori ftesë nga Christian Panucci, ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të rëndësishme europiane.  “Albanian Free Press” mëson se lojtari i është propozuar si përforcim dy klubeve të Seria A, fillimisht Sampdorias, gjithashtu edhe Benevento-s, në radhët e së cilës aktivizohen dy lojtarë të tjerë të kombëtares sonë, Ledian Memushaj e Berat Djimsiti. Por janë shumë klube të tjera që po monitorojnë lojtarin shqiptar të lindur në Norvegji.

Për të konfirmuar lajmin,  Qaka thotë: “Kam lexuar lajmet dhe kam biseduar për këtë, edhe me presidentin. Kërkesën për t’u larguar ai e ka cilësuar të drejtë, por do të flasim pas kthimit nga pushimet. Mund të përmend një fakt, se e vetmja skuadër që ka bërë ofertë, është Braga. Synimi im është të luaj në ligat më të mëdha, kur me 80% mundësi do të largohem”. Klubi i tij ka përcaktuar edhe shumën, një milion euro, për të lënë të lirë mesfushorin Qaka. Ndërsa futbollisti kuqezi, Kamer Qaka, 22-vjeç, e imagjinon veten në një kampionat “latin”.

“Për stilin tim të lojës, përshtatem më mirë në Spanjë, por edhe në Portugali apo Seria A, që janë të gjitha liga të mëdha. Mund të ketë lëvizje në javët e ardhshme, por dua të mos mendoj për këtë këto momente. Largimi i mundshëm i Qaka-s është konfirmuar edhe nga Adrian Ambrose, president i Politehnica Iasi. Përveç klubeve të huaja, në Rumani janë të interesuara të përfitojnë shërbimet e mesfushorit shqiptar edhe Steaua Bukureshti.

 

E ardhmja

Memushaj një dëshirë për Vlorën, Agolli e mbyll karrierën bardheblu

Janë disa lojtarë të Kombëtares shqiptare që pritet të ndryshojnë mjedis në janar dhe synohen nga klubet shqiptare, si përforcime të bujshme. Njëri prej tyre është Ergys Kaçe, i cili pret largimin nga Paok i Selanikut dhe synohet nga Skënderbeu. Tirana sezonin tjetër, po planifikon të ketë si dirigjent Ansi Agolli-n, i cili ka premtuar se do të rikthehet te skuadra ku nisi karrierën pas lamtumirës me Qarabag. Edhe Flamurtari me ambicie këtë sezon, ka hedhur sytë për emra të shquar, teksa është përfolur interesimi për Ledian Memushajn, pjesë e Benevento në Seria A. Burime pranë klubit Flamurtari, i thanë “Albanian Free Press” se, lojtarit në fjalë nuk i është bërë asnjë ofertë, sepse  ai nuk ka shprehur deri tani dëshirën për t’u rikthyer në Shqipëri.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: