Kandidatët kuqezi, Mustedanagiç dhe Bushi entuziastë pas vëzhgimit të 2785 lojtarëve

Kandidatët kuqezi, Mustedanagiç dhe Bushi entuziastë pas vëzhgimit të 2785 lojtarëve
Periudha nëntor-dhjetor ka përkuar edhe me fazën intensive të seleksionimeve në Shqipëri dhe jashtë saj për datëlindjet e ndryshme.

Sipas FSHF-së, 2785 lojtarë, të datëlindjeve të ndryshme nga 2000 e deri te datëlindja 2006 kanë qenë në këtë periudhë të parë në fokusin seleksionues të trajnerëve të ekipeve kombëtare të moshave në FSHF. Pas përfundimit të fazës seleksionuese në Shqipëri në zonat rajonale, komisioni ka udhëtuar dhe ka kryer përzgjedhjet edhe në Greqi, Itali e Zvicër.

Ndërkaq, është në proces e sipër faza seleksionuese për datëlindjet 2000, 2001,2003 për Durrësin, Korçën, Elbasanin, Fierin dhe Shkodrën. Ndërsa ka përfunduar i plotë procesi për datëlindjet 2002, 2004 dhe 2006, si në Shqipëri edhe jashtë saj.

Të dy trajnerët e ekipeve kombëtare, përkatësisht të U-21 dhe U-17, Bushi dhe Mustedanagiç kanë shprehur sot përpara mediave feed-back-un pozitiv që kanë marrë nga vëzhgimi i fëmijëve, ku interesi ka ardhur ndjeshmërisht në rritje. Trajneri Mustedanagiç për këtë periudhë seleksionuese u shpreh: “Shumë i kënaqur për këtë periudhë vëzhgimi për lojtarët. Dyert tona do të jenë të hapura për prurje të reja. Ka pasur lojtarë që pas seleksionimeve, kanë rezultuar futbollistë të mirë. Unë jam shumë i kënaqur. Disa prej lojtarëve që kam parë do të jenë jo vetëm në ekipin e moshave, por dhe te kombëtarja e kolegut Bushi. Unë mendoj se është sukses nëse çdo vit do të nxjerrim nga dy lojtarë. Ka shumë futbollistë të talentuar në Shqipëri, të cilët po rriten çdo ditë, por njëherësh evidentohet edhe një përmirësim i ndjeshëm i infrastrukturës me dy-tre vite më parë. Shumë shpejt do të marrim vetëm lojtarët më të mirë nga jashtë, sepse shumica do të merren në Shqipëri”, u shpreh Mustedanagiç.

Nga ana e tij, trajneri Bushi u shpreh: “Është një punë e mirë e bërë nga stafi i FSHF, pasi nga këto seleksionime kemi përfituar shumë lojtarë si brenda dhe jashtë vendit.  Në Itali kishte më shumë lojtarë premtues. Mund t’ju them se shumë shqiptarë ishin të interesuar për këtë fazë, teksa vitin e kaluar ishin 70 vetë, ndërkohë që këtë vit ishin 120. Vazhdimësia në këtë moshë është delikate, sepse lojtarët mund të zbresin nga vlerësime të larta në nota të ulëta. Nuk duhen harruar kurrsesi këtu as lojtarët e kampionatit shqiptarë, edhe pse kanë disi probleme me ritmin”.

Për Greqinë, Italinë dhe Zvicrën janë parë të gjitha moshat dhe janë bërë shënimet përkatëse teknike teksa në grumbullimet e radhës lojtarët do të jenë në vëmendjen e trajnerëve. Faza seleksionuese vijon me përzgjedhjet dhe kombëtaret rajonale të datëlindjeve: 2000, 2001 dhe 2003.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: