LIMBO, REPUBLIKA E RE – OPINION NGA SONILA MEÇO

LIMBO, REPUBLIKA E RE – OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Detektivi më i famshëm në botë, Hercule Poirot, personazhi i Agatha Christie, në romanin e njohur “Vrasje në Orient Express”, teksa pyetej sesi arrinte të zbërthente me sukses të gjitha kulisat, apo enigmat në çështjet e ndjekura prej tij, gjegjej: “Unë shoh botën siç duhet të jetë. Kjo më ndihmon të dalloj “cenin” dukshëm, si hundën me defekt në fytyrën e njeriut”.

Dhe këtu mund të gjendet edhe enigma, për të kuptuar çfarë nuk shkon në këtë vend që, nga ngërçi ka kaluar në pamundësi totale për të funksionuar si shtet. E thjeshtë: Ne mund ta shohim Shqipërinë siç duhet të jetë, por ceni më i madh i saj, si hunda e shtrembër faqe saj, është se shtet nuk ka. Një monstër është ngritur në vend të tij, ku krahasimi më i mirë vizual dëshmohet me ato mijëra telat elektrikë që enden mbi kokën tonë. I shohim të koklavitur, të pamundur, nuk dimë ç’kalon në to, nga dalin, ku shkojnë, kush i furnizon, kush po i vjedh, kë kanë zënë përposhtë. Ama, në fund të ditës, presim atë dritën që na lë të shohim sa mund të shohim, mes kaosit.

Sot Shqipëria është në mision të pamundur shtetformues, me një bekim të rëndësishëm ndërkombëtar, me dhe pa Kushtetutë, pa sovranitet.

Një ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë, me një procedurë antikushtetuese, kundër frymës e germës së reformës në drejtësi, miratoi me 69 vota, Prokuroren e re të Përgjithshme të përkohshme. Pse është kaq e rëndësishme për shqiptarin e thjeshtë, që rend çdo mëngjes të kapë autobusin për të mbërritur në punën pa kontratë, pa sindikatë, që t’i dalë për zot, mes taksash që i lënë mjaftueshëm ta përballojë të paktën biletën e abonenë mujore? Sepse, si për të kujtuar se nuk jemi vetëm qenie biologjike, drejtësia është e vetmja mënyrë e rëndësishme dhe efektive për të siguruar përgjegjshmërinë e qeverisë dhe autoriteteve të tjera publike. Ndaj merr rëndësi në vendin ku ende prona nuk ka shkuar tek i zoti e ku e shkuara totalitare, ngre krye me zë e figurë.

Çfarë ndodhi një ditë më parë, qe jo vetëm shkelje e kushtetutës, por edhe një bekim që procedura të tilla të tërheqin zvarrë vendin, sa herë t’i teket një shumice. Tensioni kushtetues është tipik, jo vetëm për një vend si i yni. Nga njëra anë, ekzekutivi i fuqishëm që synon të gjejë hapësira ku mund ta sulmojë kushtetutën dhe, nga ana tjetër, një grup njerëzish, njohës të mirë të ligjit, që nuk kanë mbështetje, që e bëjnë të mundur llogaridhënien e qeverisë. Këtë gjë duhet ta bënte vetë Kuvendi, duhet ta bënte vetë grushti i njerëzve të ndershëm të sistemit të drejtësisë. Por as Kuvendi, as vetë drejtësia nuk kanë qenë të aftë të prodhojnë çlirimin e tensionit në favor të kushtetutës, por në kurriz të saj. Duke prodhuar jo më larg se dje, një republikë të re. Pikënisja e saj duhej të qe reforma në drejtësi, por nuk ndodhi kështu. Në histori, nisja e republikës së re, do të shënohet në datë 18 dhjetor, me zgjedhjen e një prokuroreje me detyrë të papërcaktuar në kushtetutë, me një akt antikushtetues, me procedurë në mungesë respekti të kushtetutës. Dhe jashtë normës zakonore shqiptare, pa konsensus, edhe pse në shpinë të kushtetutës. Që do të thotë, nga ky moment, të drejtat tona janë të kërcënuara, ekzekutivi fiton betejën e tensionit kushtetues, ndërkombëtarët mund të vendosin pa asnjë kufizim, mbi çdo zhvillim të brendshëm.

Dikush mund të replikojë, po kjo ndodhte deri më dje, pse shqetësoheni kaq shumë sot? E thjeshtë, sepse kjo është nisja e një republike të re, pas reformës në drejtësi që konsumoi energji, shpresa, financa e dëshirë për të bërë shtet. Kjo është nisja me një Kuvend dalë nga zgjedhje të dyshuara fort për blerje nga paraja e kanabisit. Kjo është nisja e një republike, ku nevoja për të bërë drejtësi, nis padrejtësisht. Dhe si qytetarë të një vendi ku Kushtetuta na jep të drejtën për tu shprehur, për të zgjedhur, për tu mbrojtur e kërkuar llogari të zgjedhurve tanë, ja se çfarë kemi të drejtë të dëshmojmë, atë që kuptuam nga dita e parë e Republikës së Re:

1. Prokurorja e re e Përgjithshme është zgjedhur sipas një procedurë antikushtetuese.

Neni 148/a, pika 1 e Kushtetutës përcakton se, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi.

Neni 148/ç përcakton se, prokurorë mund të jenë shtetasit shqiptarë, që emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe figurës së tyre, sipas ligjit.

Sot kemi Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm, post që nuk parashikohet në Kushtetutë, zgjedhur mes kandidatëve të përzgjedhur nga Komisioni i Ligjeve, të drejtë të cilën Kushtetuta ia njeh KLP-së, me 69 vota të shumicës, nga 84 që njeh Kushtetuta, pa iu nënshtruar vetingut, siç e përcakton Kushtetuta.

2. Për të sublimuar zgjedhjen e shumicës në krye të Prokurorisë, është vepruar në mënyrë antikushtetuese dhe jo transparente:

Nenin 179 i Kushtetutës përcakton se, Këshilli i Lartë i Prokurorisë krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në bazë të ligjit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhej të krijohej deri në shkurt të këtij viti. Mungesa e një kandidature që plotësonte kriteret e shoqërisë civile, bëri që KLP-ja të mos konstituohej në kohë. Dhe për t’i paraprirë kësaj situate, çuditërisht me një lëvizje prej orakulli, shumica miraton një ligj, si dispozitë kalimtare, për të zgjedhur një prokuror të ri, në rast se KLP-ja nuk ndërtohet. Nga e dinte shumica? Kësisoj, zgjedhja me shumicë të thjeshtë, pa KLP, bëhet fakt, duke shkelur me një dispozitë kalimtare Kushtetutën, megjithëse kjo e fundit nuk parashikon një të tillë për reformën në drejtësi.

Dhe ky kontekst antikushtetues, konsumohet në një kohë kur Prokuroria ka në dorë hetime të rëndësishme ndaj zyrtarëve të kësaj shumice. Dhe kur dy misione të rëndësishme që kanë asistuar nenet e reformës në drejtësi, nuk japin përgjigje ndaj pyetjeve të gazetarëve mbi opinionin e tyre për të pranuar një zgjedhje antikushtetuese. Po dje, përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së në vend, dënuan dhunën në Parlament e përshëndetën zgjedhjen e Prokurorit të ri, në shkelje të Kushtetutës.

Siç do thoshte Hercule Poirot, detektivi më i suksesshëm në romanet e verdhë të Agatta Christie, kur pyetej për suksesin e zbulimit të çdo konspiracioni: “Ekziston e drejta dhe e gabuara, asgjë e mesme.”

Jemi në limbo. Kjo është Republika e Re.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: