Porti i Vlorës pezullon lundrimin, agjencitë shesin bileta, pasagjerët në pritje

Porti i Vlorës pezullon lundrimin, agjencitë shesin bileta, pasagjerët në pritje
Tetë autobusë me pasagjerë, makina të vogla dhe kamionë të transportit të mallrave nuk kanë mundur të udhëtojnë as këtë të diel nga porti i Vlorës drejt Brindizit, duke plotësuar 48 orë black out.

Të shtunën lundrimi u bllokua për shkak të motit të keq dhe pamundësisë së tragetit për tu ankoruar në port. Ndërkohë agjencitë vijuan normalisht shitjen e biletave për të dielën, ndërsa lundrimi nuk kryhet të dielën sipas kalendarit portual.

Kjo solli përplasje mes udhëtarëve dhe agjencive. Ndërsa siguria e portit për rreth 40 minuta nuk lejoi mediat të hynin në hapësirën e portit.

Pasagjerët thonë se kjo situatë nuk është normale, ndërsa shtojnë se valixhet e tyre me sendet personale gjenden prej 48 orësh në port.

Sipas kreu të portit të Vlorës, Admir Malaj, i cili sqaroi jashtë kamerave, janë agjencitë ato që duhet të kishin njoftuar pasagjerët për lundrim të hënën dhe jo të dielën.

Për të zgjidhur ngërçin zyrtarisht u komunikua edhe me shërbimet portuale të Brindizit për të kryer përpunimin e pasagjerëve këtë të diel, por pala italiane nuk ofron shërbim jashtë kalendarit zyrtar të lundrimit nga Shqipëria. /s.i/afp.al/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: