“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Rama shpallet lideri më seksi i teti në botë, ja pse Kryeministria kërkon rivlerësim

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Rama shpallet lideri më seksi i teti në botë, ja pse Kryeministria kërkon rivlerësim
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot me nënrubrikën e saj, PPSH (Përmbledhje Politike e Shartuar).

Po e hapim këtë nënrubrikë, me një lajm të mirë, që na vjen nga fusha e infermierisë.

Kolegia jonë Sonila, dje dha lajmin se, këtë vit janë larguar 617 infermierë drejt Gjermanisë. Themi lajm i mirë, pasi këta infermierë do të punojnë atje, ama do na sjellin euro në Shqipëri.

Nuk mendojmë se këto 10 ditë që kanë mbetur nga mbyllja e vitit, do të largohen infermierë të tjerë. E kush është ai që ikën, pa ngrënë gjelin e detit pranë prindërve të tyre.

Ajo që na bëri përshtypje nga ky lajm, është fakti se infermierët që shkojnë jashtë, nuk kanë eksperiencën e duhur. Studentët e infermierisë i bëjnë gjilpërat në tulet e pacientëve, e jo në manekina, si të njëjtët e tyre në Europë. Dhe mirë bëhet. Jo se nuk ka manekina.

Të tillë madje të veshur bukur, ka me mijëra në dyqanet tona, por mendojmë se nuk ka më mirë se të mësohet zanati në mish. Kjo gjë nuk përbën problem për pacientët shqiptarë. E ç'është për ta, një gjilpërë e futur gabim, kur në jetë, ju është futur "thika në palcë".

E meqë ra llafi te të veshurit bukur.

1. Flet zyrtari i Kryeministrisë: Dje, jurisë "Liderët më Seksi në Botë" i nisa foton me pantallona të lagura, të Kryeministrit

Kryeministri ynë, shoku Edi Rama, është përzgjedhur një nga udhëheqësit politikë më seksi në botë. Ai ka zënë vendin e 8-të në renditje.

Në gjuhën sportive, kjo do të thotë që, është futur në çerekfinale të konkurrimit ndërkombëtar botëror, apo siç i themi neve në gazetari, të kompeticionit internacional global.

Ne e përgëzojmë shokun Edi Rama, për këtë arritje! Mirëpo, me thënë të drejtën, nuk jemi shumë të kënaqur me këtë çmim. Ne mendojmë se në këtë renditje, është bërë padrejtësi e theksuar në votim. Ata që janë marrë me këtë punë, mbase kanë parë vetëm fotot kur shoku Edi është veshur me kostume dhe kollare.

Nëse do te merreshin dhe analizoheshin edhe pamjet e fotove kur Kryeministri ynë është i veshur me atlete, me pantallona të gjera tip penevrekësh,, ne jemi të bindur plotësisht se do kapte në konkurrim, një nga tre vendet e para.

Ne kontaktuam rreth kësaj çështjeje, me Kryeministrinë e cila na dha këtë përgjigje të shkurtër me shkrim. Ja letra:

Po, është e vërtetë që Kryeministri është renditur në vendin e tetë në konkurrim.

Pala jonë qeveritare, do kërkojë rivlerësim. Tani që Kryeministri është renditur në vendin e tetë, i bie që është i Pari, metaforikisht, pas Shtatë Mrekullive të Botës, pasi teta është numri i parë pas shtatës. Edhe kjo nuk është pak.

Mirëpo, si edhe në çështjet ekonomike edhe në këtë çështje, ne nuk jemi të kënaqur.

Ndaj kemi nisur në drejtim të vlerësuesve, disa foto.

Konkretisht, palës vlerësuese i dërguam disa foto ku, Kryeministri ka dalë me pantallona palë-palë, apo me penevrekë, si dhe disa foto me atlete.

Madje, unë vetë me dorën time, duke e kapur me delikatesë me gishta, mesin e fotos, futa në zarfin që ju nisëm atyre, edhe atë foton ku Kryeministri kishte dalë me pantallonat e lagura në vend të ligsht. Jam i bindur se kur juria ta shikojë këtë foto, do ta kalojë Kryeministrin, direkt në vend të parë të renditjes.

A duket më seksi Kryeministri gjëkundi tjetër, sesa te ajo foto...?

2. Tersi që ka mbërthyer Poloninë, pas vizitës së Kryeministrit tonë

Komisioni Europian po mendon t'i heqë të drejtën e votës Polonisë.

Shkakun nuk po zgjatemi ta shpjegojmë, por thjesht po themi rrjedhojat, e kësaj mase. Nëse i hiqet vota, Polonia nuk do të ketë mundësi të marrë ndihma nga BE-ja.

Kujtojmë që para disa ditësh, atë vend e vizitoi vetë Kryeministri ynë.

E sa shkoi ai atje, pas disa ditësh, Kryeministrja e tyre iku nga detyra. Këtë ne e kemi bërë të ditur... Mirë ajo që iku, por tani atyre do t'ju ikin edhe paratë.

Ne nuk duam të mendojmë se Kryeministri ynë ka qënë ters, pavarësisht se

gjërat e këqija po ndodhin pas vizitës së tij.

Urojmë që atij shteti, mos t'i ndërpriten ndihmat, pasi duke ikur ato, neve na hapet një gropë e madhe! Janë me mijëra polakë që vijnë në Shqipëri, për pushime verore, pasi ju pëlqejnë ujërat e ndryshëm të Durrësit.

Urojmë që Polonia t'i thërrasë mendjes e të bëjë siç thotë BE-ja, se ndryshe do të na lerë pa turistë, e me një gropë shumë të madhe më ekonomi! E për më tepër, do krijohet ideja te polakët që gjërat ju shkuan ters, që kur shkoi Kryeministri ynë atje.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: