SHITEM – KOMENT NGA EDISON YPI

SHITEM – KOMENT NGA EDISON YPI
Nga Edison Ypi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Po të më blejë e djathta, i premtoj të djathtës se do t’i sjell gjithato të mira. Me britmat e mia sa patetike dhe ngordhalaqe si ekstremist majtist, si revolucionar i paepur, do tund dheun, do ja shkul së majtës dhëmbë e dhëmballë në emër të së djathtës historike, seriozitetit, konservatorizmit, ruajtjes së vlerave. Si fanatik i pamposhtur, si militant i kudondodhur, favoret që më ka bërë partia, do di t’i mbroj po të jetë nevoja, edhe me atë lëngun e kuq që quhet gjak. Në 364 ditë, do t’i xhvat Shqipërisë, ç'të më zërë dora! Këto gjynahe do t’i laj të gjitha në ditën e 365-të, kur do ngre sa më lart një flamur me shkabë që nxjerr zjarr nga goja, duke e valavitur era. Do uluras me gishta në vesh: "O sa mir me ken shqiptar, o sa keq me ken amerikan!" Pa e luajtur bythën vendit, do shkruaj në rrjetet sociale, statuse mallëngjyese mbi padrejtësitë historike që i janë bërë Shqipërisë në shekuj, duke e bërë sa më të vogël dhe sa më të pakët në numur. Europën do ta quaj si e ka quajtur Fishta, "kurva plakë". Amerikën të degjeneruar. Perëndimin të korruptuar. Ambasadorët e tyre do t’i shaj shtatë breza me libër shtëpie. Do simpatizoj, propagandoj, do ngre në qiell, lindjen, Turqinë, Arabinë, mullirin e kafes, shilten, haremin, lëngun e shegës. Do llap gjithandej, për t’i bërë të ditur Amerikës se, po na bëri shtetin e 51, po pranojmë, nuk kemi asnjë kundërshtim. Pasi të futemi në gjirin e saj të ngrohtë, pa llogaritur Zërin e Amerikës që e kemi albanizuar me kohë, s'do lemë gur pa ja shqiptarizuar Amerikës Hollivudin, Internetin, Alaskën. Përndryshe, nëse nuk na bën shtetin e 51 dhe të shtojë një yll në flamur, në djall Amerika me gjith Uillsonin, Harry T. Fultz-in, ambasadorët e saj të sotëm e të djeshëm, diversantat, bombardimin e Serbisë, pavarësinë e Kosovës! Do hiqem dhe si shkrimtar, si poet, përmes ca lëtyrave letrare që në bashkëpunim me ca çapaçulë, do t’i paraqesë si kryevepra, përmes falënderimeve dhe komplimenteve reciproke, në formën e një katarakti qurresh më të madh se uji, që do bjeri nga diga e hidrocentralit të Moglicës, për të vënë në lëvizje turbinat. Nuk do tu dal kurrë në krah liderëve të së djathtës, edhe në rastet e shpifjeve më monstruoze që do t’u bëjnë të majtët. Dy duar për një kokë. Le të mbrohen vetë ata. Në emër të Etikës së sjelljes njerëzore, me të majtët nuk do merrem. Jo se nuk e meritojnë, por sepse i kam frikë, se ata dreqër të marrin erzin. Kjo lloj sjelljeje patetike ndaj të majtës, nuk i sjell vota të djathtës. Përkundrazi, e rrënon. Por po të kesh parasysh se këtu nuk flitet për idealizmin që e braktisa për tu shitur, jam fare në rregull. Luani pra vendit, ju ish-deputetët dhe ish-ministrat e së djathtës, që keni vjedh si n'harradoz! Mos bëni si naivë! Mos u hiqni si shenjtorë! Më blini sa më parë. Se po s'më bletë ju, iki, shitem te e majta. Për të blerë njerëz si unë, të majtët e kanë provuar me fakte se nuk i kursejnë paret.

Që të jem në rregull me të majtët, fill pasi të më blejnë, do tu premtoj se, nga njëra anë, kryesisht përmes shoqërisë civile, do mbledh pará e pasuri në të gjitha mënyrat; nga ana tjetër, me lot krokodili në sy dhe rënkime mallëngjyese prej hoxhe ose prifti, do hiqem si mbrojtës i fukarenjve, të cilët për injorancën dhe sjelljen e tyre jo qytetare, i urrej, por më duhen për mbulesë propagandistike, për hedhje hi syve. Do shkruaj në të gjitha gazetat, sidomos ato të Sigurimit. Do ta paraqes sikur në Shqipëri, kurrë nuk ka pasur burgje dhe internime, por vetëm shkërdhata nomenklaturistë që kanë rivalizuar me njëri-tjetrin, me mënyrat më inteligjente, kryesisht me sfond seksual, përmes historive rozë me ngacmime reciproke mes kunatash e kunetërish, bijsh e baballarësh, të gjithë të panginjur me seks, deri në inceste të paimagjinueshme nga masat popullore, në kundërshtim flagrant me mësimet e pavdekshme të shokut kurvi. Krerët e së majtës, nuk do t’i mbroj drejtpërdrejt, por tërthorazi, duke sulmuar pa mëshirë krerët e së djathtës. Kujdes të veçantë do bëj ta zmadhoj sa më tepër hambarin e paçmuar të së majtës shqiptare, budallallëkun e të djathtëve, fanatizmin, egoizmin, perceptimin bukolik të jetës dhe botës, hajvanllëqet në arenën ndërkombëtare, që do të jenë kuajt e luftës për tkurrjen e pandalshme numerike elektorale të së djathtës. Nëse e majta do më blejë, do jap pra ndihmesë të madhe në shtimin e këtyre vlera të paçmuara kombëtare, që duhen ruajtur dhe kultivuar në mënyrë të vazhdueshme me kujdesin më të madh. Do kujdesem gjithashtu që, këto të mira të mëdha që do t’i sjell të majtës, të mos ja bëj kuturu, por me karar. Se mund të ndodhi që e djathta të përfundojë në zero, çka nuk është aspak në të mirën e së majtës, e cila në këtë eventualitet fatkeq, do marri të gjitha votat duke e lënë të djathtën gjithë kohën, me biberon në gojë, të ngjashëm me një condom. Situatë e pakëndshme kjo, që duke shkatërruar të djathtën e mykur, bën të pabesueshme të majtën e ndritur, si dhe dëmton rëndë pluralizmin.

Me gjithë këto premtime që po bëj dhe garancira që po jap tani që ndodhem mbi tezgë, gati për tu shitur, mund të ngjall zilinë dhe rivalitetin e dy krahëve për të më patur. Ku ma gjen të shitem te të dyja, edhe te e djathta edhe te e majta. Nga asnjëra te të dyja, për mua që më duhen pare, do ishte ideale. Unë me kontribute efektive, ata me pare të vjedhura, do korrim fitore të njëpasnjëshme. Por mbi të gjitha, do përparojë Shqipëria.

Ngaqë hajdutët nuk i nxjerrin kollaj paret, as për oportunista si unë, nuk përjashtohet mundësia që të mos më blejë as e majta as e djathta. Nëse kjo ndodh, do t’i them Nexhmies të më blejë. Nuk ka për t’i kursy kuçedra në prag ngordhjeje ca qime bythe marksiste-leniniste, në formë dhurate për Zotin, me e shpëtu veten nga flakët e Ferrit!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: