Specialistët: Kujdes nga fishekzjarrët në natën e ndërrimit të viteve

Specialistët: Kujdes nga fishekzjarrët në natën e ndërrimit të viteve
Në prag të festave të fundvitit, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, bëjnë me dije se një kujdes i veçantë u duhet kushtuar fishekzjarrëve, pasi ato janë burim aksidentesh dhe dëmtimesh si djegie, shurdhim etj. Ato çlirojnë substanca toksike në mjedis, përhapin zhurma, shkaktojnë trauma te fëmijët dhe të moshuarit, deri në rrezik për jetën.

“U kujtojmë qytetarëve se, materialet piroteknike (fishekzjarrët), në rast se nuk përdoren në kohën dhe vendin e duhur, përbëjnë rrezik serioz për shëndetin.  Njëkohësisht u kërkojmë objekteve të licencuara për tregtimin e tyre, si dhe organeve tatimore që mbikëqyrin procesin, të tregohen të kujdesshëm në zbatimin e ligjit për tregtimin e materialeve piroteknike”, - theksojnë ekspertët e ISHP-së. Sipas tyre, nga eksperienca e viteve të kaluara, apelohet për kujdes në tregtimin dhe përdorimin e fishekzjarrëve, veçanërisht në ditët e festave të fundvitit. Gjatë fundvitit të kaluar, nga spitalet universitare në Tiranë, u raportua për disa raste të djegieve të gradave të ndryshme, dëmtimeve dëgjim, në shikim, etj., si pasojë e shpërthimeve të pakontrolluara të fishekzjarrëve.

Këshilla të rëndësishme

- Mbani larg fëmijët, ruani veten dhe të tjerët!

- Mos përdorni fishekzjarrë në mjedise të mbyllura (shtëpi, lokale, bare, zyra apo klasa shkolle)!

- Asnjëherë mos ndizni fishekzjarrët brenda sendeve të forta e të mbyllura si gota, shishe qelqi e kuti metalike!

- Udhëzoni fëmijët të mos përdorin fishekzjarrët si lojë, pasi mund të dëmtohen rëndë!

- Mos lejoni fëmijët të luajnë me fishekzjarrë apo t’i ndezin, pa praninë tuaj!

- Asnjëherë mos mbani fishekzjarrë në xhepa!

- Asnjëherë mos i vendosni ato në pjesë të trupit kur i ndizni, por mbajini në distancë të largët dhe të sigurt!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: