Tërhiqen ujërat, por lënë pas dëme të jashtëzakonshme

Tërhiqen ujërat, por lënë pas dëme të jashtëzakonshme
Nga të dhënat paraprake, 3193 shtëpi, 7874 hektarë tokë e 40 biznese janë dëmtuar nga uji. Qindra automjete të dëmtuar dhe disa ura të rrëzuara. Nga dje, situata drejt normalizimit. Aeroporti dhe portet funksionojnë normalisht, ndërsa mësimi nuk do të rifillojë vetëm në 27 shkolla

Alket Aliu

Uji po tërhiqet nga zonat e përmbytura në të gjithë vendin. Ky është i vetmi lajm i mirë i këtyre tre ditëve të fundit nga pasojat e motit të keq, ndërsa dëmet që shkaktoi vërshimi i ujërave kanë qenë të mëdha.

Komiteti i Emergjencave Civile ka filluar të bëjë edhe bilancet e para, ku 3193 shtëpi, 7874 hektarë tokë e 40 biznese janë pushtuar nga uji, ndërsa 507 familje janë evakuuar dhe 1594 persona u shpëtuan.

Qindra automjete janë dëmtuar plotësisht apo pjesërisht, ndërsa dëme të shumta janë konstatuar në infrastrukturë. Disa ura janë rrëzuar nga vërshimi i ujërave.

Përmbytjeve nuk u kanë shpëtuar as shkollat. Në 27 prej tyre, mësimi nuk do të fillojë sot.

Situata është përmirësuar edhe në portet e vendit, të cilët bllokuan për dy ditë aktivitetin e ngarkim-shkarkimit, ndërsa anijet e tonazhit të vogël dhe të mesëm u urdhëruan të mos dilnin në det.

Tragetet kanë nisur lundrimin si zakonisht, pa pezullimet e lundrimit apo vonesat disaorëshe të ditëve të kaluara.

Pas pezullimit të disa fluturimeve, edhe në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit, fluturimet kanë nisur me oraret e zakonshme.

Edhe furnizimi me energji elektrike ka nisur të normalizohet, ndërsa një ditë më parë rreth 230 mijë abonentë kishin mbetur pa energji.

Në disa zona të vendit ende nuk ka furnizim të rregullt me energji elektrike dhe ujë të pijshëm.

Për përballimin e situatës u angazhuan mijëra efektivë të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe Shërbimit Zjarrfikës, pa llogaritur punonjësit e OSHEE, të spitaleve, bashkive, prefekturave dhe të Emergjencave Civile.

Ministria e Mbrojtjes vuri në dispozicion mjete transporti dhe helikopterë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: