VOTA NË OKB DHE FATI I SHQIPËRISË, PAS KËSAJ FUSHËBETEJE – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI

VOTA NË OKB DHE FATI I SHQIPËRISË, PAS KËSAJ FUSHËBETEJE – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Votimi në OKB i një rezolute që dënon vendimin e presidentit Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, ka trazuar rëndë diplomacinë botërore. Qëndrime politikanësh dhe analistë të ndryshëm, janë ndarë në gjykimet mbi këtë çështje, si dhe pasojat që mund të sjellë kjo lëvizje e Uashingtonit zyrtar, në zhvillimet e afërta në Lindjen e Mesme dhe më tej. Por përtej analizave dhe këndvështrimeve të ndryshme mbi njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet, premtim ky i bërë edhe nga tre presidentët e mëparshëm amerikanë, çështja tashmë shtrohet në qëndrimet që mbajtën vetë shtetet, si linjë zyrtare. Pasi beteja është shtruar në aulën e OKB-së, ku u diskutua pikërisht rezoluta anti-Trump për statusin e Jeruzalemit. Çështja tashmë nuk mbetet në rrafshin e deklaratave dhe qëndrimeve të politikanëve apo shtetarëve të cilat, gjithsesi, evoluojnë me kalimin e kohës. Është koha për një qëndrim konkret që mori vulë dhe firmë, çka është ose kundër interesit të shprehur nga SHBA-të, ose në konvergim me të.

Vetë ambasadorja e SHBA-ve në OKB, ishte e qartë në deklaratën e saj lidhur me votimin. “SHBA do të mbajë shënim për të gjitha ato vende, të cilat do të mbështesin një rezolutë që është në kundërshtim me interesat e saj”. Qëndrimi ishte i prerë dhe i qartë, e që përbën një paralajmërim për të gjitha ato vende që kanë luajtur me dy porta dhe qëndrime të dyfishta. Por është dhe një paralajmërim dhe për vende, të cilat ndonëse e kanë lidhur interesin e tyre strategjik në mbështetjen e SHBA-ve, po flirtojnë tashmë me të tjerë, për interesa të çastit.

Ajo çfarë na intereson tashmë në këtë përplasje që po ndodh në sallën e OKB-së, është sesi do të dalë imazhi dhe fati i mëtejshëm i Shqipërisë, pas kësaj fushëbeteje. Pasi vota që u dha, tregon jo vetëm qëndrim të Shqipërisë në këtë çështje, por edhe radhitje në palët e forcave që po maten me njëra-tjetrën. Vetë deklarata e ambasadores se do mbahen shënim për çdo votë të secilit vend, dëshmon se tashmë nuk është çështje qëndrimi në parim, por pjesëmarrje në shtab lufte të veçantë. Sipas qëndrimit të shprehur nga ministria e Jashtme, qëndrimi i Shqipërisë është në përputhje me atë të Bashkimit Europian. Çka në parim, është në përputhje me deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së, të cilët janë shprehur skeptikë, pasi nuk ka dy Jeruzalemë, por një, dhe se statusi si kryeqytet do të pengojë procesin e paqes midis Izraelit dhe palestinezëve. Gjithsesi, pavarësisht këtij qëndrimi të Unionit, është e qartë se në OKB, Europa nuk votoi si një njësi e vetme, por secili vend dha votën e tij në mënyrë të mëvetësishme. Dhe kjo votë sesi u dha, sidoqoftë ka krijuar debat në vetë shtetet përkatëse.

Ndërkohë në kahun tjetër, në Organizatën Islamike gjërat janë më të qarta, ku është dënuar me forcë vendimi presidentit Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet dhe tonet kërcënuese janë bërë më të zymta. Si personazhi më i fokusuar për këtë qëndrim të botës islamike, është bërë presidenti turk Erdogan, i cili prej mëse një viti, ka qenë shumë kritik ndaj SHBA-ve, duke lëkundur marrëdhëniet strategjike që kanë patur për dekada, këto dy vende. Shqipëria ka qenë pjesëmarrëse në konferencën e fundit të Organizatës Islamike, si një vend anëtar i këtij forumi, dhe në të cilin ka dalë një komunikatë vërtet agresive ndaj vendimit të SHBA-ve. Dhe në këtë deklaratë, nuk ka ndonjë shënim të veçantë poshtë saj që të specifikojë qëndrimin e mëvetshëm të Shqipërisë, lidhur me vendimin përkatës që kanë marrë vendet islamike. Tashmë, ndërmjet dy qëndrimeve që janë kundër vendimit të SHBA-ve, asaj të BE-së dhe asaj të vendeve islamike, Shqipëria deklarohet se është në përputhje me qëndrimin më të butë, atë të BE-së. Gjithsesi, qëndrimi mbetet sërish kundër.

Pyetja që shtrohet është sesi do të ndikojë kjo votë për vetë Shqipërinë dhe politikën e saj të jashtme? Vota kundër do të ketë padyshim një ndikim jo të mirë në të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe padyshim që do të lavdërohet më së tepërmi nga Erdogan dhe nga vendet islamike. Sa i takon BE-së, ai nuk ka ndonjë ndikim shtrëngues për politikat botërore, por thjesht për ato rajonale ku Shqipëria, thjesht, duhet t’i shërbejë stabilitetit. Për më tepër që vendi ynë nuk është vend anëtar i BE-së që të detyrohet të vihet në radhë në qëndrim me vendet e tjera të Unionit. Mesa shihet, kjo votë do të sjellë veç dëme, aq më tepër për konfiguracionet rajonale që ka politika e jashtme amerikane. Për këtë mjafton që të kujtojmë vetëm faktin që për bisedimet me Serbinë, përveç ndërmjetësimit të BE-së, Kosova ka kërkuar që pjesë e procesit të jenë edhe SHBA-të. Ndërkohë që Serbia, për të krijuar ekuivalencë, ka kërkuar që si ndërmjetëse për problemet e krijuara në qendër të Ballkanit, të jetë pjesë e procesit edhe Rusia. Pra, nëse e kërkon një mbështetje të qartë e konkrete të SHBA-ve për interesat e ngushta në Ballkan dhe ndërkohë i shkelet syri Erdoganit për votën në OKB, kjo veç do të ulë pikët për ne, si një vend që bën veç pirueta pragmatiste për interesa të ngushta dhe që nuk di ta lidhë fort spirancën e fatit të vet politik, tek vende të cilat kanë investuar për stabilitetin e këtij shteti.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: