Administratori i Flamurtarit krah Igli Tares...mesazh nga Antalia për "rrëzimin" e Dukës

Administratori i Flamurtarit krah Igli Tares...mesazh nga Antalia për "rrëzimin" e Dukës
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit vendosi të thërrasë Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore, e cila do të mblidhet më 7 shkurt në Durrës. Deri tani kandidati i vetëm është kreu aktual Armand Duka, ndërsa pritet ndonjë kandidat tjetër.

Deputeti socialist Bashkim Fino që është përfolur kohët e fundit se do ta sfidojë, ka pak gjasa, ndërkohë që nga bota e sportit është drejtori sportiv i Lazio, Igli Tare, ai që shihet si ndoshta sfidanti i vetëm serioz që mund të futet në garë për postin e FSHF-së.

Janë disa klube të pakënaqura me kreun aktual Armand Duka, ku në krye qëndron Flamurtari i Vlorës e pikërisht prania e Igli Tares në Turqi, për të takuar administratorin e këtij klubi, Sinan Idrizi, flet shumë. – “Me Igli Taren në Stamboll për merkaton, ndërtimin e strukturave të Flamurtarit dhe jo vetëm… Nga kati 52 ju urojmë suksese në jetë,” ishte mesazhi i Sinanit

Pas publikimit të lajmit se nga 66 anëtarë të Asamblesë së FSHF-së që janë me të drejtë vote, 8 janë shoqata rajonale të futbollit amator që nuk figurojnë të regjistruara në gjykatë, pra janë shoqata fantazmë, të cilat njihen vetëm nga FSHF-ja por jo nga organet e shtetit shqiptar ka reaguar ashpër administratori i ekipit të futbollit të Flamurtarit, Sinan Idrizi.

Sinan Idrizi akuzon FSHF-në se nuk është e aftë të realizojë zgjedhjet. Idrizi thotë se Duka nuk ka moral që të rikandidojë për një mandat të pestë në krye të FSHF, ndërsa shton se herët ose vonë Shqipëria nuk do të jetë në dorë të kontrabandistëve.

Idrizi tha se vetëm sot kishte marrë 26 sms nga miq dhe drejtues klubesh, çka do të thotë se Flamurtari është vënë në lëvizje dhe është në krye të “opozitës”  për rrëzimin e Armand Dukës, por do të kenë këto klube një kandidat tjetër dhe a është ai Igli Tare? Kjo mbetet për t’u zbuluar në ditët e ardhshme. Pjesa më e madhe e votave për zgjedhjen e presidentit të ri të FSHF-së vjen nga përfaqësuesit e klubeve të kategorive të ndryshme të futbollit në Shqipëri.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: