Bamirësi...për selfie!

Bamirësi...për selfie!
Nga Juela Meçani

Nuk jam as më zemërgjerë e as më zemërshtrënguar se shumë të tjerë. Thjesht, im atë, më ka mëkuar me dy pika fikse të karakterit të njeriut. E para, jep, kur mundesh, jep, dhuro, fal, ndihmo e mos e zë më në gojë. Jo për egoizëm, që të ndihesh mirë e të të lirohet shpirti ose sepse siç thotë populli, Zoti të shikon e të ndihmon edhe ty. Por thjeshtë e pastër, sepse kjo është ajo që duhet të bësh. Kaq. E dyta, mirënjohja është thelbi i njeriut. Mos harro kurrë ndër vite, kush t’u gjend pranë, atëherë kur kishe nevojë, qoftë edhe për një fjalë ose mbështetje. Pra kur ai ose ajo nuk kishte asnjë interes tek ti për të të ndihmuar, por thjesht ashtu e mendoi, e vendosi dhe e bëri.

Por kurrë, e theksoj, kurrë, nuk do të ndihmoja dikë, qoftë edhe i panjohur, për të bërë, më pas reklamë me këtë fakt. E shikoj si një nga veprimet më fyese që dikush mund të bëjë ndaj dikujt tjetër. Ndaj kjo epidemi bamirësie, e shoqëruar me foto, video, falënderime, emra e mbiemra, është, më së paku, e pështirë. Të jesh i varfër sot është të jesh shumicë. Ato familje që rrojnë me një rrogë janë të varfra, ato që jetojnë me dy paga të ulëta, mbijetojnë, ndërsa ata mijëra që kalojnë muajin me asistencë ose ndihmë sociale, janë të vobektë. Ka shumë edhe nga ata që nuk kanë as mure mbi kokë e as bukë dhe janë ata të cilët e kanë jetën në fije të perit. Por në të gjitha këto raste, asgjë nuk i bën këta njerëz, qenie pa dinjitet dhe personalitet. Nevoja i shtyn të kërkojnë ndihmë, qoftë edhe publike, por kjo s’do të thotë që, kur kjo ndihmë u jepet, fytyrat e tyre me lot e dhimbje, të “përplaset” pa mëshirë nëpër ekrane ose rrjete sociale, e madje t’u vihet përpara një mikrofon që me zë e figurë të falënderojnë “bamirësin” e radhës. Është ulëse, fyese, katile të bësh këtë. Nuk mund të quhet ndihmë e as bamirësi një vepër e tillë, ato pako ushqimore dhe elektroshtëpiake, nuk do i ndryshojnë jetën një familjeje në mbijetesë, por sigurisht do u japë pak frymëmarrje. Po dinjiteti i tyre? Po personaliteti përballë fëmijëve, komshinjve, farefisit? Kujt i shërben vallë kjo farsë e shëmtuar? Këtë show me hallin e tjetrit duhet ta përbuzim shpejt sepse nuk ka asnjë lidhje me mirësinë, është vetëm egoizëm. E mos mendojë kush se duke dhuruar një të njëmijtën e asaj që kemi, na lahen mëkatet e mëdha, në këtë botë. Thjesht, kemi shtuar ca mëkate të tjera. Janë me qindra biznese në këtë vend, veçanërisht të industrisë së lehtë, përpunuese e magazinuese. Sikur vetëm të funksiononte një rrjet që të menaxhonte prodhimin e pashitur të tyre, përmes, pse jo, edhe një detyrimi ligjor, siç e kanë vendet e perëndimit, në këtë vend të vogël, shumë familje, të paktën, nuk do të vuanin për bukën e gojës. Me krenari dhe dinjitet, këto familje ose edhe individë, pjesë e një database të mirëshkoqitur, do të kishin ku të drejtoheshin, pa u bërë personazh kronikash ose emisionesh, për të bërë lajm ose për audiencë. Nëse mekanizmat e ndihmës sociale nuk funksionojnë e nuk ndërthuren, ky nuk është faji i të varfërve, përkundrazi, tregon se fondet e shoqatave kanë shkuar në vila e bursa studimi të shtrenjta për ata që i menaxhojnë. Nuk ka Zot që fal shfaqje të shëmtuara, që i nxjerrin të pastrehët ose të varfrit, në shesh të mejdanit, në bulevard, në pikë të të ftohtit, që të hanë një vakt, qoftë edhe festiv. Jemi të lutur që të ndihmojmë, me sa mundësi kemi, por jemi të dënuar nëse pas kësaj ndihme, i fusim një selfie me portretet e dhimbjes, që u ka rënë fati i keq dyfish. Janë të varfër dhe janë të varfër shqiptarë!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: