Çelja e negociatave me BE-në, Bushati: Në shkurt pritet të vendosen binarë të rëndësishëm për procesin

Çelja e negociatave me BE-në, Bushati: Në shkurt pritet të vendosen binarë të rëndësishëm për procesin
Ministri për Evropë dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati foli gjatë një interviste në OraNeës për hapat që do të merren gjatë vitit lidhur me procesin e çeljes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Bushati përsëriti se ky është një vit shumë i rëndësishëm pasi në prill pritet nga ana e Komisionit Evropian që të vijë me një propozim për hapjen e negociatave për anëtarësim.

Më pas, ministri sqaron se në samitin e majit në Bullgari, gjatë presidencës bullgare e cila ka një fokus tek vendet e Ballkanit Perëndimor dhe tek procesi i zgjerimit, ne kemi mundësi të merrnim një mesazh të qartë politik që ne të kishim dritën e gjelbër për një vendimmarrje nga ana e vendeve anëtare të BE-së.

“Është një vit përcaktues, pasi në 2019, vetë Bashkimi Evropian përfshihet në një proces ripërtëritës për shkak të zgjedhjeve. Është përcaktues gjithashtu sepse jemi në fazën e konstituimit të disa prej qeverive në disa prej vendeve anëtare dhe konsiderohet si një moment oportum për Shqipërinë, për Maqedoninë dhe vendet e tjera të rajonit” u shpreh ministri Bushati.

I pyetur se kur do të mësojnë shqiptarët për hapjen ose jo të bisedimeve më BE-në, Bushati u shpreh se në shkurt do të kemi takimin e parë mes KE-së dhe vendeve anëtare ku Komisioni do të bëjë publik strategjinë e zgjerimit.

“Në këtë strategji do të përcaktohen linjat konkrete se si do të jetësohet procesi i zgjerimit. Ne urojmë që në shkurt të vendosen disa binarë të rëndësishëm për sa i përket këtij procesi. BE-ja do të rishikojë buxhetin e ardhshëm 7 vjeçar dhe ne shpresojmë që buxheti 2020-2027, të reflektojë qartësisht zgjerimin si një prioritet për Shqipërinë dhe vendet e tjera sepse nuk ka zgjerim pa faturë financiare. Ne presim që të ketë një fokus edhe tek procesi i ndërlidhjes që është iniciuar tek procesi i Berlinit por për ta jetësuar më tej në praktikë. Në prill, KE do të publikojë raportet individuale dhe ky është momenti ku ne presim që KE të konfirmojë progresin që ka bërë Shqipëria, sidomos sa i përket 5 prioriteteve, reforma në drejtësi që është konsideruar kryeprioriteti në këtë fazë ku jemi. Natyrisht, maji është një moment i rëndësishëm pasi do të mblidhet Samiti i Bashkimit Evropian. Në Bullgari do të kemi një samit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Ky është një vit përcaktues për një hap historik për sa i përket integrimit evropian” tha Bushati. /f.ç/Albanian Free Press Online/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: