DEAR, AMBASADOR! – OPINION NGA EDISON YPI

DEAR, AMBASADOR! – OPINION NGA EDISON YPI
Nga Edison Ypi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nga rilindasit e ndritur, te vdekatarët modestë të sotëm, prej më se një shekulli, shqiptarët e kanë të qartë se, marrëdhëniet Shqipëri-Amerikë janë për t’u pasur zili dhe për t’u marrë shembull. Shqiptarët gjithmonë e kanë pasur ndjeshmërinë dhe intuitën për të konstatuar, qysh herët, se zbatimi i Ligjit, Liria, mungesa e frikës, meritokracia, kompeticioni, efikasiteti, janë cilësi që gjithmonë funksionojnë, kurrë nuk të lenë në baltë, dhe demokracia amerikane është pikërisht ajo që u duhet, është pikërisht ajo që u vlen, prandaj Amerikën gjithmonë e kanë simpatizuar. Për këtë qasje kaq të arsyeshme dhe të ndritur ndaj Amerikës, që shumica e shqiptarëve e kanë pasur edhe në kohën e diktaturës, shqiptarët kanë vuajtur, janë sakrifikuar. Që Amerika në Shqipëri, dërgon ambasadorë të cilët jo domosdoshmërisht e kanë emrin Harry, mbiemrin Fultz, por edhe Lu; dhe jo me origjinë irlandeze, angleze, gjermane, italiane, franceze, por edhe kineze, është një ndër shembujt e shumtë që provon se, edhe Amerika, këtë e ka më se të qartë.

Megjithatë, i dashur, Ambasador, kanë dalë ca gërrxho që nuk janë të kësaj mendjeje! Mos ua vër veshin! Janë pak. Nuk kanë asnjë rëndësi. Nuk luajnë asnjë rol. E kanë nga mendësia komuniste e rrënjosur thellë me Rusi, Jugosllavi, Kinë, miqësi të rrejshme popujsh, dhe të tjera marrina. Merhumët në fjalë, janë aq të varfër në imagjinatë dhe aq fukarenj në shpirt, sa as mendja nuk u vete se, po të kishte qenë Shqipëria, për shembull, diku në ndonjë skutë të Azisë, dhe Amerika të mos kishte asnjë arsye të merrej me ta, do ishin zhdukur prej kohësh nga faqja e dheut, se do ishin shndërruar në kanibalë që do kishin ngrënë njëri-tjetrin. Këta mjeranë të pakët, ekzistenca e të cilëve vërehet vetëm falë internetit, kanë aq pak tru dhe aq pak ndjeshmëri, sa nuk duan t'ia dinë se, Amerika ka dhe hallet e veta. Ditëzinjtë kujtojnë se, Amerika gdhihet e ngryset me mendjen në hilet e tyre bizantiniste. Nuk e dinë se, Amerika nuk të fal peshkun, por grepin. Nuk arrijnë ta kuptojnë se Amerika dhe Historia e saj e mundimshme drejt Lirisë dhe mirëqenies, për të cilat ka derdhur lumenj djerse dhe gjaku, nuk është si Lindja dinake, që për ta rritur ndikimin e vet, mendjengushtëve që preferojnë favore imediate këtu dhe tani, u hedh të lëpijnë ndonjë kockë. Amerika është shumë më tepër se përfitim imediat. Amerika është shumë më tepër se kockë dhe lëpirje. Amerika është Frymë. Amerika është përvojë. Amerika është shembull si fitohet dhe mbrohet Liria, si begatohet vendi, si ruhet dinjiteti.

Duke qenë e shkruar edhe në Bibël edhe në Kuran: "Mos ndihmo askënd që nuk të kërkon ta ndihmosh!", ta qaj pak hallin që u dukesh disave, si ai qëllimkeqi i cili përpiqet të ndihmojë dikënd, i cili ndihmën e refuzon. Mos u dëshpëro! Nuk është ky rasti. Shqiptarët trushkulur që refuzojnë ndihmën e Amerikës dhe autoritetin e Ambasadorit, janë pak, nuk përfaqësojnë asgjë, nuk kanë asnjë ndikim. Nuk e di si e kanë thënë Konfuci apo Thomas Carlyle. Ne këndej i themi "S'ka pyll pa derra!" Përderisa ka atje të çvidhisur, që rrëmbejnë armën dhe vrasin fëmijët e një shkolle, s'ka pse të mos ketë këtu, të tillë të çmendur.

Falua, se po të quajnë ashtu si ty as ndërmend të vete, administrator apo guvernator! E bëjnë, sepse ashtu i këshillon mënyra e tyre e të menduarit dhe të jetuarit prej plebeu komunist, në bashkësi të ngushtë nepotike, klanore. E bëjnë, sepse të duan maxhordom, kujdestar, kuzhinier t’u gatuash, shërbëtor t’u pastrosh shtëpinë, dado t’i mbash në pëqi si bebe. Madje, t’ua dashurosh mamin, që t’u dukesh si babi.

Pashë një video në Youtube. Një bir sheiku apo diçka e tillë, brenda një makine Ferrari, i bëri naze policit që po e gjobiste për parkim të gabuar. Polici, pa iu dridhur aspak qerpiku, një ta kapur dhe r nxori nga Ferrari, e plasi në mes të rrugës si qen i zgjebosur, tamam si punëtori i pastrimit të gjirizëve, nxjerr nga brima e ngushtë e WC-së, një palë brekë që, në atë brimë, kanë rënë aksidentalisht dhe kanë bllokuar banjën. Vazhdo të na ndihmosh, t’u bëjmë peshqve të mëdhenj e të vegjël, gjarpërinjve, nepërkave, gaforreve, minjve, atë që polici amerikan i bëri halabakut me Ferrari.

Bela me këta që u ka mbetur ora! Janë aq jo-falënderues, sa nuk duan të dinë që, për hir të shqiptarëve, Amerika pa pyetur për OKB-në dhe komunitetin ndërkombëtar, nuk përfilli asnjë burokraci, por bombardoi Serbinë dhe na asiston në çdo hap. E pabesueshme, por e vërtetë se, plehrat në fjalë janë të zhytur e të mbytur aq thellë në mendësi komuniste, sa habiten edhe sepse, sipas tyre, "Amerika nuk na ka falur asnjë fabrikë". Madje, bëjnë sikur çuditen, edhe sesi Reformën në Drejtësi mund ta bëjë superstruktura politike juridike e tashmë dhe pyesin të habitur: "Si do ta fusin veten e vet në burg, politikanët dhe prokurorët e sotëm?! Nuk e kanë idenë se, Ligji është buldozer që merr përpara gjithçka.

Prej atyre që të përgojojnë, ka që thonë se, nga Amerika nuk duam gjë tjetër, veçse ta bëjë Shqipërinë shtetin e 51 të Amerikës. Pra, që pisanjosat të kenë mundësi ta ndotin Washington-in si Laçin, ta dhjesin New York-un si Cërrikun, ta vdesin Kaliforninë si Mokrën. Po takove ndonjë prej këtyre thuaj: Si urdhon, shoku Mazllum! Do bëjmë si thua ti, pasi t'i rrasim në burg shejtanbudallenjtë si ty!

Tani që ke mësuar shqip, aman, merru pak me Zërin e Amerikës! E keni lënë pas dore. Ka mbetur barakë plot me Sigurim, kinezë dhe kinezërira, që s’i rrok mendja.

Vazhdo, i dashur Ambasdor! Na ke me vete. Ti para, ne pas Teje. Nuk duam kolkoz, cirilicka, ferexhera! Duam të ndjekim Diellin! Mos u ndal! Po u ndale, do bëhet kataklizëm. Për ne dhe për ju.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: