Esmeralda Tuci: Pasionin e kam nga mamaja, volejbolli është jetë, shëndet mbi të gjitha

Esmeralda Tuci: Pasionin e kam nga mamaja, volejbolli është jetë, shëndet mbi të gjitha
Intervista/ Volejbollistja e talentuar e Kombëtares dhe e Partizanit, Esmerlada Tuci flet mbi traditën e dikurshme dhe gjendjen aktuale të volejbollit në vendin tonë si dhe për karrierën e saj nga Minatori te ekipit e kryeqytetit

Minatori i Rrëshenit është gjithashtu një model suksesi për volejbollin shqiptar. Aty ku ka pasur vëmendje, volejbolli ka pasur sukses. Pikërisht falë qytetit të vogël të Rrëshenit, sot Shqipëria ka disa volejbolliste të talentuara që janë bërë pjesë e Kombëtares sonë. Esmeralda Tuci është një ndër to. Këtë sezon volejbolliste e Partizanit, ajo pasionin e ka trashëguar nga e ëma, Marte Reci Tuci, ish-volejbolliste e shquar e Minatorit. Sikur të kishin vëmendjen edhe qytetet e tjera të vendit e sigurisht të ruhej tradita e dikurshme, sot volejbolli shqiptar do të kishte një tjetër histori. Në një intervistë për “Albanian Free Press”, Esmeralda Tuci flet për karrierën e saj personale dhe gjendjen e volejbollit në vendin tonë:     

Intervistoi: Aranit Muraçi

Esmeralda, si nisi karriera juaj dhe pasioni për volejbollin, në një kohë kur ky sport ishte neglizhuar dhe lënë  në harresë?

Eh karriera ime ka nisur në fund të klasës së tetë. Pasioni për volejbollin ka ardhur nga mamaja ime, e cila ka qenë volejbolliste. Insistimi i trajnerit tim të parë, Haki Halili, ka qenë shumë i madh që unë të filloja volejbollin. Kanë qenë vite të arta dhe të paharruara falë edhe mbështetjes së madhe të sponsorit tonë, Fran Kacorri, që shumë vajza ta ngrinin volejbollin e Rrëshenit si më parë. Më pas erdha me studime në Tiranë dhe karrierën time si volejbolliste e vazhdova me ekipin e Studentit. Edhe te ky ekip u gjenda si në shtëpinë time, falë mbështetjes së shefit të klubit, Besim Risvanolli, dhe trajneres sime Aida Shehu, e cila më është gjendur pranë si shoqe, motër dhe si prind.

Si një ndër volejbollistet më të mira në vend dhe pjesë e ekipit tonë kombëtar, sa e kënaqur jeni me karrierën e deritanishme?

Faleminderit për konsideratën. Për volejbollin mendoj se  kam kontribuar mjaftueshëm. Jam shume e kënaqur sepse kam arritur çfarë kam dashur në karrierë. Por e mira nuk ka fund. Pas çdo arritjeje, gjithmonë mendoj se kam ende akoma për të dhënë.

Dikur volejbolli ka qenë sport me traditë në vend. Përse u prish kjo traditë?

Volejbolli ka qenë dhe mendoj se mbetet sport me traditë, ndonëse kërkohet më shumë. Nuk mendoj se është shuar kjo traditë. Pothuajse çdo qytet i Shqipërisë ka një ekip volejbolli. Çdo ekip ka talentë që përfaqësojnë apo mund të përfaqësojnë denjësisht Kombëtaren. Më kryesorja ka dëshirë për të luajtur volejboll. Sigurisht ka vend për më shumë vëmendje dhe progres. Mendoj se duhet më shumë vëmendje nga sponsorët që vajzave të volejbollit, t’u krijohen kushte minimale .

A e keni ndjerë faktin se pavarësisht pasionit dhe përpjekjeve, shpesh rezultatet tuaja apo të ekipit kanë mbetur jashtë vëmendjes?

Jashtë vëmendjes nuk mbetet asnjë rezultat, si fitorja si dhe humbja. Te gjitha kanë vendin dhe kritikat e veta.

A keni dëgjuar për Dinamon e volejbollit të femrave dikur dhe si e shpjegoni faktin se kjo traditë nuk ekziston?

Kam dëgjuar sigurisht dhe akoma flasim dhe bisedojmë për ekipin e Dinamos. Mëgjithatë t’i gëzohemi të tashmes, sepse Dinamo ka një ekip simpatik te rejash.

Ela Tase, Moza Ibrahimi e volejbolliste të tjera para viteve ’90 ishin të njohura kudo në vend madje kujtohen me nostalgji ende sot, apo jo...

Po, këto lojtare mbeten të paharruara dhe akoma bëhen krahasime me këto ikona të Volejbollit tonë.

Megjithatë, ju personalisht nuk jeni bërë ndonjëherë pishman që zgjodhët volejbollin si profesion?

Nuk më shkon ndërmend të bëhem pishman sepse volejbolli është pasioni dhe dëshira ime. Kur një punë bëhet me pasion dhe me dëshirë, të duket sikur s’lodhesh kurrë.

Mesazhi juaj për vajzat e reja që kanë nisur karrierën e volejbollit dhe strukturat shtetërore për këtë sportiv masiv e të dashur kudo në botë...

Të merren sa më shumë me sport sepse sporti dhe volejbolli është jetë, është shëndet mbi të gjitha. Duhet të punojnë sa më shumë që të arrijnë atë që duan. Pa punë nuk vjen asgjë.

Karriera e Esmeralda Tucit:

Minatori

Studenti

Teuta

Minatori

Kosove

UMB Volej

Tirana

Partizani (aktualisht)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: