“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoku Ilir Beqaj: Tani në Kukës nuk do thonë më, "ai e hëngri pataten"

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoku Ilir Beqaj: Tani në Kukës nuk do thonë më, "ai e hëngri pataten"
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot meqë ka radhën, me nën rubrikën e saj, PPSH (Përmbledhje Politike e Shartuar).

Një lajm i mirë vjen për anëtarët e Partisë Socialiste, të Qarkut të Dibrës, apo siç e themi në gazetari, të Qarkut Dibër.

Shoku Ilir Beqaj largohet nga ky qark dhe kalon jo shumë larg, në atë të Kukësit. Largimi është bërë nga vetë shoku Kryeministër.

Pas këtij largim-emërimi, ne kemi marrë vesh se te punësuarve në administratë në Kukës, ju kanë filluar ethet.

Nuk është e lehtë për ta. Tani do kenë si çekan mbi kokë, një njeri të devotshëm partie, që nuk ta bën të gjatë fare, e të uron "suksese në jetë!"

Ne si rubrikë, shpresojmë dhe urojmë që drejtuesve të punësuar në administratë, të jenë e pakta 5 minuta përpara kohe, në mbledhjet që do organizojë shoku Ilir. Të lënë çdo punë tjetër familjare apo private, ndryshe e qanë punën e shtetit!

Siç edhe e ka bërë traditë rubrika jonë, ne llafosëm me vetë të zotin e punës, shokun Ilir.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoku Ilir! Urime për detyrën e re!

Ilir Beqaj: Shumë faleminderit! Më falni se nuk kam kohë të llafos shumë! Jam në një dyqan të vogël, e s'po nxjerr dot kokën, se e ka derën e shkurtër.

Antena: Ç'doni në dyqan të tillë ju, shoku Beqaj?! Unë e dija se ju shkoni vetëm nëpër qendra të mëdha tregtare.

Ilir Beqaj: Ju lutem, mos nënvlerësoni biznesin e vogël! Unë për vete, nuk e kam bërë kurrë një gjë të tillë, as kur isha ministër i Shëndetësisë. Ju mbahet mend besoj, se koncesionet ja u jepja edhe aty që kishin qoftë edhe një copë kioskë, ku bëheshin qofte.

Antena: Po, po më kujtohet, shoku Ilir.

Ilir Beqaj: I tillë, parimor dhe pa paragjykime, do jem edhe në Kukës! Do lë emër të mirë edhe atje! Ju siguroj se, pas disa muajve, për dikë që do largohet nga puna, nuk do thuhet: "Ai e hëngri pataten", por edhe në këtë zonë të njohur për patate, do thonë shprehjen time "Suksese në Jetë!"

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: