Me emra të papërsëritshëm të volejbollit, Dinamo përmes fotove ngjan si nëpër legjenda

Me emra të papërsëritshëm të volejbollit, Dinamo përmes fotove ngjan si nëpër legjenda
Mbetet e pashpjegueshme sesi një klub me ekipet e volejbollit, në radhët e së cilës bënë epokë djem e vajza të talentuara, që shkruan historinë me germa të arta në vendin tonë dhe konkurruan denjësisht për vite më radhë në kontinent, “u rrëzua e u rrokullis” bashkë me historinë si të mos kishte ekzistuar asnjë ditë. Kjo ndoshta shpjegon arsyen përse nuk kemi më një klub tjetër me emra legjendarë të përmasave si Rusi, Fagu, Tase, Ibrahimi etj. Tifozët e sportit dhe veçanërisht të volejbollit, në vend që sot të mbushin pallatet e sportit si dikur, kujtojnë me nostalgji ekipet e Dinamos dikur, me emra që nuk po përsëriten më.

Dinamo e meshkujve dikur

A ju kujtohet ekipi i Rusit, Fagut, Lenës me shokë?

Ka një klub volejbolli në Shqipëri, që duhet të ishte sot pikë referimi sesi ky sport jo vetëm që të mund të diskutonte ekzistencën e tij. Me ekipe si të Dinamos dikur, Shqipëria do të mund të arrinte sot majat e Ballkanit dhe të Europës. Ashtu si dikur. Në foton e Dinamos së Madhe të volejbollit të meshkujve janë emra të papërsëritshëm: Rusi, Fagu, Tartari, Bushati, Panteqi, Lena, Terihati, Gjerazi, Cironaku, Beriolli, etj, nën drejtimin e trajnerit të palodhur Vangjel Koja.

Në vitin 72’ ky ekip shkoi deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në Europë, duke u kthyer në një model suksesi dhe krenarie për sportin shqiptar. Emra të mëdhenj, të talentuar, ekip që ngjall emocion dhe ndjenjë krenarie për çdo sportdashës dhe çdo shqiptar. Fatkeqësisht nuk kemi më ekipe të tilla, por fatmirësisht këtij vendi nuk i ka munguar dhe nuk i mungon talenti. Për të pasur sportistë të këtij niveli duhet më shumë vëmendje nga strukturat shtetërore mbi masivizimin e tij dhe gjetjen e sponsorëve për të rikthyer emra të tjerë të mëdhenj.

Dinamo e femrave dikur

A mund të harrohet koha e Ela Tases me shoqe?

Nuk mbetej pas në arritjet ndërkombëtare Dinamo e Volejbollit të femrave. Nën drejtimin e Kreshnik Tartarit ishin emra të mirënjohur si  Tase, Ibrahimi, Duka, Babuli, Doçi, Qirici, Duni, Nishku, Gripshi etj. Dinamo e atyre viteve shkruante emrin në librin e artë, duke arritur gjithashtu në katërshen më të mirë të Europës. Ishin vajza të talentuara, kampione të lindura, që sot ngjallin të njëjtin emocion e rikthejnë nostalgjinë për të pasur sërish ekipe me kampione të tilla.

Por pikërisht sot edhe ato pak vajza të talentuara që pasioni i mban të lidhur me volejbollin, nuk janë më në vëmendjen e dikurshme të shtetit për të arritur të njëjtat suksese.

Pavarësisht se mediat janë shtuar shumë më tepër, në vend të volejbollisteve të suksesshme ekranet dhe faqet e gazetave mbushen shpesh me pseudo-personazhë që nuk përfaqësojnë asgjë.  Qoftë edhe pa ndihmën e shtetit, ekipet mund të sponsorizohen nga biznese të ndryshme, megjithatë volejbolli sot nuk tërheq vëmendje si dikur. Ashtu sikurse edhe pallatet e sportit nuk tërheqin vëmendjen e së kaluarës, çka duhet të ndryshojë.

/a.muraçi/

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: