Ministrja Xhaçka dekoron Atasheun Ushtarak amerikan në largim me “Medaljen e Mirënjohjes”

Ministrja Xhaçka dekoron Atasheun Ushtarak amerikan në largim me “Medaljen e Mirënjohjes”
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka dekoruar me  “Medaljen e Mirënjohjes”, Atasheun Ushtarak amerikan në largim, Kapiten i Rangut të Dytë Sam G. Wartell, i cili përfundoi mandatin e tij dy vjeçar.

Gjatë një ceremonie të organizuar, me pjesëmarrjen edhe të Ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu, Xhaçka uroi mirëseardhjen Atasheut të ri Ushtarak, Kapiten i Rangut Dytë James Hilton.

Ministrja falënderoi dhe vlerësoi kontributin e Kapiten Wartell lidhur me rritjen e nivelit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke i cilësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partnerin kryesor strategjik në fushën e mbrojtjes, Ministrja Xhaçka nënvizoi faktin se këto marrëdhënie tashmë kanë hyrë në një fazë të re dhe më cilësore.

“Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Mbrojtjes është e angazhuar në një proces modernizimi të FA, me synim rritjen dhe përmirësimin cilësor të kapaciteteve operacionale të strukturave tona ushtarake dhe veçanërisht të atyre strukturave që janë pjesë e mbrojtjes kolektive të NATO”, u shpreh ministrja Xhaçka. /f.ç/Albanian Free Press Online/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: