Miratohet rregullorja e maturës 2018, Formulari A1 gati në 9 mars

Miratohet rregullorja e maturës 2018, Formulari A1 gati në 9 mars
Rregullat dhe afatet që duhet të zbatojnë të gjithë maturantët, të cilët dëshirojnë të ndjekin studimet e larta në universitetet e vendit. Edhe këtë vit, matura do të jetë një proces dalës, më pas do të jenë vetë universitetet të cilat do të përcaktojnë notën mesatare dhe kushtet e pranimit të studentëve të rinj

Sonila Isaku

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, me anë të urdhrit 672 të datës 29 dhjetor 2017, ka marrë vendimin për miratimin e rregullores së Maturës shtetërore, dokument i cili përcakton afatet dhe procedurat që duhet të ndiqen për miratimin, publikimin e formularëve, si dhe mënyrën e administrim të testeve dhe kryerjes së provimeve të maturës shtetërore. Sipas kësaj rregulloreje, formularët A1 dhe A1Z do të miratohen në datën 9 mars 2018, kurse publikimi i tyre do të jetë në datën 12 mars. Nëpërmjet këtyre formularëve, maturantët do të bëjnë përzgjedhjen e dy lëndëve që do të japin si provim me zgjedhje. Veç afateve për plotësimin e Formularit A1, në këtë dokument janë përcaktuar edhe procedurat se si do të procedohet me individët që kanë mbaruar shkollën e mesme para 2011-ës, dhe duan të aplikojnë në universitet. Kandidatët që kanë marrë dëftesë pjekurie para vitit 2011, dhe dëshirojnë të aplikojnë për studime në universitet, t’u njihen provimet e detyruara ose provimet e njëvleftshme me to, të njehsuara nga DAR/ZA-të. Këta kandidatë, në rastet kur nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje, ose i kanë dhënë dhe nuk kanë rezultuar kalues, kanë të drejtën të japin provime me zgjedhje kur e kanë të nevojshme për plotësimin e kritereve të pranimit, të përcaktuara nga universitetet, përcaktohet në nenin 11 të rregullores. Sipas rregullores, maturanti nuk quhet kalues, nëse ka marrë më pak se 20% të pikëve të testit.

Formulari  A1

Rregullorja e maturës parashikon edhe afatet për kryerjen e aplikimit dhe plotësimit të formularit, që fillimisht kryhet online, më pas pranë shkollave ku çdo maturant vazhdon shkollën e mesme. Kështu, aplikimi do të bëhet fillimisht online, në portalin qeveritar e-albania, në periudhën 15-30 mars 2018, dhe më pas në portalin “Matura Shtetërore 2018, në periudhën 26 mars- 10 prill 2018, sipas një plani kalendar, që do të publikohet nga QSHA-ja. Pas plotësimit online, në periudhën 11-20 prill, Komisioni Shkollor i Maturës Shtetërore dhe Komisioni i Maturës Shtetërore pranë drejtorive apo zyrave arsimore, plotësojnë online bazën e të dhënave me fushën përkatëse, e më pas i afishojnë këto të dhëna pranë shkollave, në mënyrë që nxënësit të kenë mundësi të korrigjojnë të dhënat e pasakta. Pas këtij procesi, bëhet dhe plotësimi i Formularit A1, procedurë që kryhet pranë shkollave përkatëse.

Rregullat e provimit

Maturanti paraqitet në qendrën e provimit, 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të provimit. Në momentin e paraqitjes në mjediset e provimit, duhet të ketë dokumentin e identifikimit dhe mjetet e nevojshme, si: laps, vizore, kompas, makinë të thjeshtë llogaritëse.

Kandidati plotëson testin me stilolaps me një ngjyrë. Në pyetjet me alternativa, maturanti/kandidat rrethon vetëm shkronjën përbri përgjigjes së saktë. Nëse kandidati rrethon më shumë se një alternativë, ose nuk rrethon asnjë alternativë, vlerësohet me 0 pikë. Maturantët e seksioneve dygjuhëshe shkollore, vendosen nga AKP-ja në një mjedis për shkak të monitorimit nga përfaqësitë përkatëse dhe në zbatim të marrëveshjeve dypalëshe. Për ata që nuk mund të lexojnë apo të shkruajnë, PAP-i autorizon një person jo të profilit për plotësimin e testit sipas përgjigjeve të dhëna me gojë nga maturanti

Maturantët që dorëzojnë testin, firmosin për dorëzimin e tij në listën që disponon AP-ja. Kandidatët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk mund të dalin nga qendra e provimit, para kohës së përfundimit të provimit. Ata grumbullohen brenda qendrës së provimit, në një mjedis të përcaktuar më parë. Kur maturanti vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit, ai ka të drejtë të informojë AP-në, PAP-in dhe përfaqësuesit e MAS-it. Kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij pas përfundimit të të gjitha provimeve. Kërkesa me shkrim për fotokopjen e testit, paraqitet në KSHMSH, e cila do t’i kthejë përgjigjen.

Përjashtimi

Maturanti përjashtohet nga provimi, kur:

Ndryshon vendin që i është caktuar.

Merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantët e tjerë.

Bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit.

Mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi, në mjedisin e provimi.

Refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjatë hyrjes në qendrën e provimit.

Maturantit nuk i njihet rezultati:

  1. a) Nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra, jo si atë të përcaktuara ose përdor më shumë se sa një ngjyrë, në plotësimin e testi.

b)Nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin).

  1. c) Nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal.
  2. d) Nëse vërtetohet kopja, e pjesshme ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED-i.
  3. e) Nëse është marrë masa e përjashtimit nga provimi.

Mjediset e provimit

Mjediset ku do të zhvillohen provimet, duhet të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara. Të kenë të instaluara në vende të sigurta, bllokuesit e valëve të telefonisë celulare, për të siguruar bllokimin e plotë të tyre. Të jenë të mjaftueshme për të paktën 50 maturantë, përveç rasteve të veçanta Largësia ndërmjet çdo maturanti/kandidati, të jetë jo më pak se 120 cm, në të katër drejtimet. Maturantët/kandidatët të ulen me fytyrë, në të njëjtin drejtim.

Sipërfaqja që maturanti/kandidati ka në dispozicion për të shkruar, është të paktën 40x30 cm. Në ditën e provimit, në qendrat ku zhvillohet provimi, nuk parashikohen veprimtari të tjera. Në mjediset ku zhvillohet provimi, nuk duhet të ketë tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim. Çdo  qendër që përzgjidhet për zhvillimin e provimeve, duhet të ketë  komunikim me rrugët automobilistike.

Vlerësimi i testeve

AKP-ja shpall skemën e vlerësimit të testit, jo më vonë se sa tri orë pas përfundimit të çdo provimi të Maturës. Vlerësimi i përgjigjeve të maturantit bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë të përshkallëzuar. DAR/ZA  që mbulojnë qendrat e vlerësimit, vënë në dispozicion të AKP-së dhe DAPU-së, brenda muajit mars 2017,listat e të gjithë mësuesve të shkollave të mesme për lëndët e provimeve të Maturës, sipas modelit të dërguar nga AKP-ja.

 

NENI 10

Provimet e Maturës zhvillohen vetëm me shkrim. Struktura, datat dhe kohëzgjatja, caktohen me udhëzim të MAS-it. Maturanti nuk quhet kalues, nëse ka marrë më pak sesa 20% të pikëve të testit.

 

NENI 11

  1. Provimet e maturës i jep maturanti që ka përfunduar me sukses, vitin e fundit të shkollës së mesme dhe ka plotësuar formularin A1. Këtu përfshihen edhe individët që e kanë përfunduar me sukses, vitin e fundit të shkollës së mesme vitet e mëparshme, por nuk janë të pajisur me diplomën e Maturës.
  2. Kandidatët që kanë marrë dëftesë pjekurie para vitit 2011 dhe dëshirojnë të aplikojnë për studime në universitet, tu njihen provimet e detyruara ose provimet e njëvleftshme me to, të njehsuara nga DAR/ZA-të. Këta kandidatë, në rastet kur nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje ose i kanë dhënë dhe nuk kanë rezultuar kalues, kanë të drejtën të japin provime me zgjedhje kur e kanë të nevojshme për plotësimin e kritereve të pranimit, të përcaktuara nga universitetet.

 

NENI 14

  1. Plotësimi i Formularit A1 për maturantët e këtij viti shkollor, bëhet në shkollat ku kryejnë arsimin e mesëm të lartë.
  2. Plotësimi i Formularit A1Z për maturantët e viteve të mëparshme, bëhet në shkollat ku kanë kryer arsimin e mesëm të lartë

Shpërndajeni me miqtë tuaj: