Mokra, vendi i mullinjve që mbart mbi supe historinë

Mokra, vendi i mullinjve që mbart mbi supe historinë
 

Në vend të një reportazhi/  Historia, magjitë, misteret dhe legjendat e vendit që trashëgon edhe sot traditat e të parëve dhe ku prej shumë kohësh është kultivuar edhe rritja e krimbit të mëndafshit

 

Nga Gjergji Gusho*

 

Përshkrim i përgjithshëm dhe disa të dhëna historike

Pozicioni gjeografik pranë liqenit të Ohrit dhe kushtet e favorshne gjeo-klimaterike, e kanë favorizuar këtë krahinë që të popullohet që në kohët antike. Për këtë dëshmojnë gjurmët e vendbanimeve të vjetra si p.sh. në Selcën e Poshtme, gjetjet arkeologjike të fshatit Vërri etj. Për prejardhjen e emrit “Mokër” ka disa të dhëna interesante. Nga burimet e shkruara arkivore, krahina e Mokrës përmendet për herë të parë në shekullin XI. Në një letër, ku perandori Justiniani i Dytë i Bizantit i dërgonte në vitin 1019 kryepeshkopit të Ohrit, Joahanit, përmendet një krahinë e populluar dhe me shumë mullinj (mokra). Për këtë arsye e emërton me emrin “Mokër”.

Kurse në testamentin e lënë nga Gjin Muzaka, kur përmendet emri i krahinës së Mokrës, shkruhet se Mokër do të thotë “vendi i mullinjve”. Në gjuhën shqipe, fjala “mokër” do të thotë “gur mulliri”. Në të vërtetë, kjo krahinë shumë e populluar, është e pasur në përrenj me ujë të bollshëm dhe ka qënë e përmendur për mullinj të shumtë. Në zonën e Mokrës Sipër ndodhen burimet e lumit Shkumbin, me të cilin bashkohen më poshtë edhe përrenj të tjerë, që e zgjerojnë lumin më shumë. Në dokumentet e Turqisë për vitin 1583, ku dalin të regjistruar emrat e kryefamiljarëve dhe detyrimet që ka fshati për të paguar ndaj shtetit, del i regjistruar dhe numri i mullinjve për secilin fshat. Kështu, në krahinën e Mokrës pothuajse të gjitha fshatrat kanë nga  një, dy, bile, disa janë edhe me katër mullinj, si p. sh. fshatrat: Potkozhan, Trebinjë, Dunicë, Rodokal e Velçan.

Një tjetër dukuri interesante për t’u përmendur është se në këtë krahinë prej shumë kohësh është kultivuar edhe rritja e krimbit të mëndafshit. Në dokumentet e Turqisë për vitin 1583, veç detyrimeve të tjera nga të ardhurat e prodhimeve bujqësore e blegtorale, është regjistruar edhe detyrimi që kanë fshatarët për rritjen e krimbit të mëndafshit. Ja emrat e fshatrave që kanë kultivuar rritjen e krimbit të mëndafshit. Në Mokrën Sipër fshatrat: Çezmë e Madhe, Çezmë e Vogël, Potkozhan. Malinë,Trebinjë, Pleshisht, Çorodol, Selcë Sipër, Homezh, Hoshteçë. Për Mokrën Poshtë fshatrat: Velçan, Slatinë, Slabinjë, Proptisht, Laktesh, Debrovë, Selcë Poshtë, Rodokal, Homçan.

Mokra, sipas Barletit

Në shekullin XV, Barleti e përmend Mokrën si një krahinë mjaft të madhe. Ai thotë për Mokrën se: “Është një vend fort i bukur, shumë i populluar dhe plot me katunde të dendura”. Sipas përshkrimit të tij, ajo shtrihej përtej kufijve të sotëm, duke përfshirë fushën e Domosdovës (Përrenjasin e sotëm) dhe deri te vendi që sot quhet “Sofra e Skënderbeut”. Mokra në atë kohë ishte nën zotërimin e Gjergj Aranitit. Barleti thotë se, sa qe gjallë Gjergj Araniti, turqit nuk mundën të hyjnë asnjëherë në Mokër, se jovetëm që ishte vend me shumë male e shkëmbenj, por sidomos se në çdo shteg kishte mokrarë që e ruanin natë e ditë vendin nëpër rrugët kryesore të krahinës. Emri i Mokrës përmendet në historinë e Shqipërisë edhe në kohën e Skënderbeut. Në betejën e Torviollit, që u zhvillua në fushën e Domosdovës, pranë Mokrës Poshtë, kanë marë pjesë edhe luftëtarë nga krahina e saj. Deri vonë, në Rodokal e në Pleshisht këndohej një këngë që përjetëson këtë kohë të lavdishme. Në të thuhej:

“Gjorg Golemi na çoi fjalë, (1)

Angjelini të më dalë,

Me nj’ata trima mokrarë,

Kush më këmbë e kush më kalë,

Të marrë udhën përpjetë,

Të dalë te Gurët e Gjetë”.

Angjelini ishte kapedani i Pleshishtit dhe besnik i Gjergj Aranitit.

(1) P.S. GjergjAraniti në Mokër quhej edhe Gjorg Golemi. “golem” në gjuhën sllave do të thotë “i madh”.

Faktin që është bërë një betejë në Mokër e dëshmon edhe toponimi i një fushe pranë Selcës së Sipërme, që i thonë “Varret e Jeniçerëve”. Këto varre, nga pamja e jashtme, ndryshojnë shumë nga varret e tjera të fshatit. Siç duket, jeniçerët e vrarë, i kanë tërhequr deri këtu e pastaj i kanë varrosur në këtë vend.

Degëzim i rrugës Egnatia

Dikur, në këtë krahinë ka kaluar edhe një degë anësore e rrugës Egnatia, që fillon nga Mokra e Poshtme, në kufi me rrethin e Librazhdit. Gjurmët e kësaj rruge duken që në fshatin Golik. Rruga merr përpjetë, duke ndjekur buzën e lumit Shkumbin. Pranë fshatit Golik, tek lumi, ndodhen mbetjet e disa urave të vjetra që bënin të mundur kapërximin e lumit. Pranë fshatit Selcë e Poshtme, rruga ndahet në dy drejtime: njëri shkon drejt fshatit Selcë, ngjitet në Jamë, del pranë fshatit Çervenakë e pastaj merr poshtë nga liqeni, duke dalë në majë të kodrës së Kalasë të Pogradecit e vazhdon më tej ...

Drejtimi tjetër kalon pranë fshatrave Vërri, Proptisht, Slabinjë, del pranë fshatit Shpellë (ku është gjetur një fragment i rrugës së lashtë i shtruar me kalldrëm me gurë të mëdhenj), pastaj merr drejtimin e fshatit Llëngë (pranë të cilit ndodhet një urë e vjetër), kalon në fshatin Niçë (të dy fshatrat e fundit janë të populluara me banorë arumunë), e më pas rruga të çonte në Voskopojë.

GJUHA

Toponime që nga koha e pushtimit romak

Në këtë zonë kanë mbetur edhe disa toponime nga koha e pushtimit romak (me origjinë latine), si p.sh.: “Fëngë” (baltë), mbi fshatin Kriçkovë; “Fëngovë”, pranë Bishnicës; fjala “Bishnicë”, nga “bosco” (pyll); “Laktesh”, nga “lactum est” (është qumësht); “Shpellë”, nga “speleo” (shpellë); “Niçë”, nga  “noce” (arrë), etj. Krahina e Mokrës ndahet në dy zona: Mokra Sipër dhe Mokra Poshtë, të cilat kanë karakteristika të përbashkëta midis tyre, por edhe disa tipare të veçanta që i dallojnë ato nga njëra-tjetra. Dallimet janë si në folklor, veshjet popullore, ashtu edhe në të folur. E folura e Mokrës Poshtë është më afër gegërishtes se Mokra Sipër. Nga toponimia e fshatrave kuptojmë se feja e krishtere, ka qenë e përhapur që shumë shekuj më parë dhe se myslimanizimi i popullsisë është bërë vonë dhe gradualisht, veçanërisht gjatë periudhave të krizave ekonomike, kur pushteti qendror otoman inkurajonte myslimanizimin e popullsisë, duke i premtuar asaj, se nuk do të paguante taksat e se do të kishte të drejtë të mbante armë. Të dhënat e mëposhtme e përforcojnë mendimin që fshatrat e Mokrës janë kthyer vonë në fenë myslimane: 1. Nga toponimia e pothuaj gjithë fshatrave të kësaj zone, dalin emra vendesh, ku përmendet jo vetëm fjala “tek kisha”, por edhe vetë emri i kishës me varret, të cilat binin në sy deri vitet e fundit. 2. Folklori i përbashkët në fshatrat me fe të ndryshme. 3. Myslimanizimi nuk ndikoi shumë në veshjet tradicionale popullore. 4. Disa fise të fshatrave, të mbetura në fenë e krishtere, mbajnë mend se gjyshërit apo stërgjyshërit e tyre, kishin ardhur nga fshatrat e tjera të Mokrës, sepse fshati i tyre i mëparshëm ishte kthyer në fenë myslimane. Ata ishin shpërngulur në fshatrat pranë, sepse nuk kishin pranuar të ndërronin fenë.

KARAKTERISTIKAT

Mokra sipër, si i ka

ruajtur traditat sot?

Zona e Mokrës Sipër, është zona më e lartë e rrethit, me një territor mjaft të thyer e malor, ku mbizotëron mali i Kozicit (dikur me emrin Kozion), poshtë të cilit janë fshatrat Dunicë e Potkozhan. Nga mali i Kozicit rrjedhin përrenj të shumtë që bashkohen me lumin e Shkumbinit. Ka të dhëna që para pushtimit të vendit nga Turqia dhe më vonë, kjo krahinë të ketë pasur si qendër kishtare fshatin Dunicë. Ky fshat, duke u bazuar në toponiminë e vendeve të tij, duhet të ketë qenë i madh (mbase qytezë), me disa kisha dhe një manastir.Në zonën e Mokrës Sipër, janë të pakta fshatrat që mbetën të krishtera.Përmendim këtu fshatrat Llëngë, Potkozhan, Pevelan, Pleshisht dhe lagja e krishterë në fshatin Hoshteçë. Por, në të gjitha fshatrat e tjera, gjenden emra vendesh që dëshmojnë për praninë e kishave. Në kujtesën e popullit të kësaj zone, bëhet fjalë edhe për largimin e disa fshatrave të krishtera, gjë që mendohet se ka ndodhur në kohën e reformeve të Tanzimatit, për arsye të pasigurisë ose të ndonjë grindjeje me autoritetet qeveritare të asaj kohe. Kështu, p.sh. bëhet fjalë për fshatrat Vemiran (poshtë Pevelanit), Çorodol (poshtë Pleshishtit) e Remçidol (pranë Selcës Sipër). Gratë e krishtere të këtyre fshatrave kanë mbajtur deri vonë, rreth viteve ‘60 të shekullit XX, veshjen karakteristike për zonën.

Tjetër karakteristikë e këtyre fshatrave është edhe folklori i pasur dhe ruajtja e këngëve të vjetra legjendare, të përhapura në të gjithë Shqipërinë, si p.sh. kënga e murosjes, e Ymer Agës, e Dhoqinës etj, të cilat këndoheshin ditën e Pashkëve të Mëdha nga gratë e këtyre fshatrave, duke hedhur valle në oborrin pranë kishës. Fshatrat e kësaj zone janë: Trebinja (qendër administrative), Kalivaç, Potkozhan, Malinë, Pevelan, Pleshisht, Hoshteçë, Selcë Sipër, Zemçë, Dunicë, Çezmë e Madhe, Çezmë e Vogël, Hondisht, Llëngë.

 

 *Studiues

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: