PËRSE KAQ FRIKË NGA LËVIZJET NË PROKURORI – OPINION NGA PLATOR NESTURI

PËRSE KAQ FRIKË NGA LËVIZJET NË PROKURORI – OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Lëvizjet e fundit në nivelet e ndryshme në Prokurori, duket se kanë tërhequr vëmendje të shtuar si mediatike, por që nuk i ka rezistuar edhe vetë politika pa bërë komente mbi to. Vetë zgjedhja e Prokurores së Përgjithshme, Marku, me etiketimin i përkohshëm, natyrshëm do të sillte një fokusim më të madh mbi veprimet dhe emërimet e para në organin e akuzës. Kjo dhe për faktin se emërimi i drejtuesit të ri, u shndërrua në një betejë plot tension nga ana e politikës dhe se titullarja e re, mori vetëm votat e shumicës. Gjithsesi, ndonëse në këto javë nuk kanë munguar akuzat apo dhe frika se kryeprokurorja e re mund të përdoret nga ana e shumicës, duke ndikuar në shmangien për dosje pikante, apo hapje për çështje që mund të prekin kundërshtarët politikë, është tepër herët për ta gjykuar. Ca më tepër, të nxjerrësh konkluzione mbi bazën e lëvizjeve të fundit, që po bëhen në nivele të ndryshme të Prokurorisë.

Pavarësisht se kryeprokurorja është me statusin si e përkohshme, kjo nuk mund të pengojë funksionimin normal të institucionit, i cili ende është i centralizuar dhe piramidal, dhe ku të gjitha dosjet që do të përcillen, do të mbajnë firmën e titullarit më të lartë për të shkuar në gjykatë. Në këtë aspekt dhe lëvizjet që kryhen, janë në funksion të punës. Për më tepër kur janë pjesë e kabinetit apo janë të komanduar në poste të ndryshme. Nga sa vërehet, ndryshimet e fundit që janë përcjellë në media, janë bërë ose në Prokurorinë e Përgjithshme, ku një pjesë e tyre kanë qenë pjesë e kabinetit të dikurshëm të Llallës, ose për disa drejtues rrethesh. Për pjesën e kabinetit, është më se normale që çdo kryeprokuror të zgjedhë vetë stafin e ngushtë me të cilin do të ndajë prioritetet e punës që ka si vizion. Për prokurorët e rretheve, procesi i lëvizjeve të kryera ka pasur motiv tjetër. Edhe në këtë rast, prokurorët e rretheve të cilët janë lëvizur, kanë qenë të komanduar në këto poste, nga kryeprokurori i larguar. Që sapo mori detyrën e saj, në vetë stafin e prokurorisë, këto ndryshime ishin të pritshme, pasi për ta ishte e qartë se, personat që ishin të komanduar në ato poste dhe nuk kishin tagrin ligjor edhe nga KLD-ja si drejtues të prokurorisë në rrethe, ishin lehtë të zëvendësueshëm. Në këtë rast, nuk kemi asnjë lloj shkelje të ligjit dhe as nuk ka se si të atakohet Marku. Të komanduarit në rrethe thjesht kishin marrë një opsion besimi nga ish - kryeprokurori, për të drejtuar provizorisht këto struktura, porse propozimi për ta për të marrë një emërim si titullar me tagër të plotë, nuk ishte çuar në KLD. Dhe nuk ishin pak emrat që ishin të komanduar dhe në rrethe jo pak të rëndësishme. Duke filluar që me Prokurorinë e Tiranës ku, që prej disa vitesh, drejtuesi ishte i komanduar.

Fakti i emërtimit si i përkohshëm, duket se po përdoret si argument se, titullari i organit të akuzës nuk duhet të bëjë asgjë, por veç të mbaj zyrën e ajrosur, deri sa të caktohet drejtuesi i ri, sipas kushtetutës së re. Dhe çdo lëvizje e kryer, po përcillet me një lloj paniku. Por askush nuk është interesuar se çfarë mendimi ka trupa e prokurorëve për emërimet që ishin kryer dhe sidomos për ata që ishin me status të komanduar. I kanë vlerësuar emërimet që kishte bërë Llalla dhe a ishin të pranueshme në bazë të meritokracisë? Ky argument nuk ka gjetur vend ende në media, pasi nuk kemi patur ende ndonjë gjykim kundra të prokurorëve, për ndryshimet e kryera, përveç nga ata që janë prekur nga këto lëvizje. Ndërkohë që, jo shumë kohë më parë, nuk kanë munguar rastet e atakimeve direkt të prokurorëve të ndryshëm me ish - drejtuesin e prokurorisë, si për raste lëvizjesh apo shkarkimesh.

Ndërkohë duhet të presim. Duhet të presim, si do të nisë apo do të vijojë puna në organin e akuzës, mbi çështje të veçanta, që duket se do të ketë plot në muajt në vijim. Gjykimin mbi punën apo frikën për përdorjen e Kryeprokurores, do të duhet ta nxjerrim nga mënyra si do hetohen e menaxhohen dosjet, si dhe rezultatet mbi çështjet konkrete. Ndërsa kemi patur një prokurori që, për kaq vite, nuk ka ngacmuar askënd nga peshqit e mëdhenj e të vegjël, konkluzionet për çka do të ndryshojë apo jo, do të duhet pak kohë të presim. Pasi në pritshmëritë e këtij viti, besohet se do të kemi jo pak çështje të bujshme, që mund të prekin politikën apo zyrtarë të lartë. Duke mos anashkaluar dhe një tjetër pritshmëri, atë të vetingut, që do të kalojë vetë trupa e prokurorëve, dhe nga ku mund të dalin dhe çudira të tjera, se si mund të jenë pasuruar, në mënyrë të papritur, ata që kanë të veshur togën e drejtësisë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: