Rovena Stefa: Luftoj kundër diskriminimit të femrës me rebelizëm artistik

Rovena Stefa: Luftoj kundër diskriminimit të femrës me rebelizëm artistik
Intervistoi për Albanian Free Press: Juela Meçani

Kam shumë vite që e njoh këngëtaren Rovena Stefa, që në fillimet e saja. Gjithmonë më ka bërë përshtypje për natyrën e qetë e faktin se ishte një vajzë shumë e kultivuar, uleshe e bisedoje me të me shumë ëndje. Më pas e humba disa vite, ndërsa ajo këndonte me sukses këngët e saja. Rikthimi i Rovenës, veshur me të bardha, në skenën e “Këngës Magjike” me një baladë shumë profesionale, tregoi përsëri atë që unë e dija me kohë, që ajo mbetet një nga këngëtaret më prodhimtare të skenës shqiptare, e mbi të gjitha, shumë dimensionale, e gjen në dasma por edhe me balada, i këndon eposit por edhe lidhjeve “të ndaluara” në dashuri, me guxim por edhe sensualitet. Ajo na jep një rrëfim të gjerë të jetës së saj, që rrallë e ka bërë, që nga rrënjët, familja, dëshirat dhe sfidat.

Shumë pak dihet për pikënisjen tënde. Si ka qenë fëmijëria, çfarë kujton prej saj?

Kam lindur në Fier, në një ditë të bukur prilli, nga nëna ime vlonjate dhe babai im me origjinë korçare, nga qytetërimi e vjetër i Voskopojës. Nëna ime, Vita Hajdini, duke qenë basketbolliste e ekipit të parë të femrave në Vlorë, por edhe e shkolluar për gjuhë-letërsi, si dhe një dashamirëse e madhe e artit, na ka rritur mua dhe motrat e mia, Elisa dhe Irva me shumë dashuri për artin në përgjithësi. Në moshën 5-vjeçare kam recituar poezi, të krijuar prej saj, në konkursin kombëtar të poezisë për fëmijë, një poezi që ndërmjet vargjesh, mbante një strofë muzikore, të cilën e këndova dhe u shpërbleva nga juria e asaj kohe. Ky ka qenë kontakti im i parë me skenën, por pa e pasur idenë se kjo do të bëhej rruga e jetës sime. Prindërit na dhanë prioritet shkollën, librat, muzika ishte thjesht brenda meje.

Kur ke ngjitur skenën për herë të parë dhe si je ndjerë?

Gjatë studimeve të shkollës së mesme, pata kontakt krejt rastësisht me kompozitorin Edmond Rrapi, në një shfaqje të shkollës “Luigj Gurakuqi”, në Elbasan. Ai, i impresionuar nga vokali im, u bë edhe shkas, iniciator, që unë të këndoja në skenën e Teatrit “Skampa”, këngën “Without You” të Mariah Carey dhe pak më vonë, në Konkursin e Këngës të shkollave të mesme në Elbasan, ku unë me interpretimin e këngës së Vaçe Zelës, u shpalla fituese, “Princeshë e Maratonës”. Ishte një fillim mjaft inspirues për mua, që erdhi surprizë dhe që më solli këngën në Festivalin e Pranverës, “Mashtrim që nuk të vret”, po me kompozim të Edmond Rrapit dhe tekst të Alqi Boshnjakut, këngë që fitoi vendin e dytë. Pata fatin të takoj edhe të mëdhenjtë e muzikës shqiptare, Alqi Boshnjaku, Zhani Ciko, të cilët lanë mbresa të thella në formimin tim si artiste.

Në cilin vit dhe si ishte dalja e parë në TV?

Ishte pikërisht Festivali i Pranverës në TVSH, viti 1996, me këngën e lartpërmendur.

Kur u ndërgjegjësove që ishe tashmë një personazh publik? Si reagonte publiku kur të shikonte në rrugë?

Sigurisht, fillimet ishin me pjesëmarrje të rralla në festivale, sepse koha ishte e tillë, mirëpo popullaritetin e madh e ndjeva menjëherë pas publikimit të albumit të parë “Më bën magji”. Ishte viti 2002, dhe hiti me të njëjtin titull, i cili theu rekorde në shitje brenda e jashtë Shqipërisë. Ishte një stuhi suksesi e fansash, që më bllokonin në çdo dalje në rrugë apo skenë, një ndjenjë e bukur e një dashurie masive, e përbashkët, e njëjtë, e pastër. Filloi aty rrugëtimi im i gjatë mes njerëzve, popullit tim të dashur, të cilët më shoqërojnë edhe sot në daljet e mia artistike e që u jam falënderuese, mirënjohëse për dashurinë e pakushtëzuar.

Kur ishin fillimet e bashkëpunimet me motrën tënde edhe në art?

Pas albumit të parë, ndërsa edhe Elisa ishte në përfundim të studimeve për Financë në Tiranë, na lindi natyrshëm ideja të bashkonim forcat tona, duke qenë se edhe ajo ka pasur gjithmonë pasion për muzikën, madje disa nga këngët e mia kanë dorën e saj. Ajo është mikja ime më e ngushtë, ajo të cilës i besoj gjithçka.

Je dalluar gjithmonë edhe për veshjet skenike dhe krehjen, me kujdes deri në detaje. Kush të kuron e sa merresh me këtë aspekt?

Është një sagë e madhe e gjithë atyre që kanë marrë pjesë në ngritjen e shijeve të mia estetike, të shfaqjes sime skenike, duke filluar që nga emrat më të njohur të stilimit, makeup-it, fotografisë, kamerës, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni por edhe më gjerë. Por natyrisht, fjala e fundit, idetë e para, të gjitha janë të miat, sepse kam dashur të shpreh vetveten në çdo çast të jetës sime.

Si kanë qenë marrëdhëniet me kolegët këngëtarë, prezantuesit ose regjisorët? A është e mundur miqësia në art?

Kodi i marrëdhënieve të mia me kolegët është dashuria, unë jam mjaft optimiste në çdo kontakt të parë me secilin prej tyre dhe jap shumë dashuri e pozitivitet, megjithatë jetëgjatësia e këtyre raporteve varet nga dëshira e përbashkët për miqësi. Ka nga ata me të cilët kam mbetur mike edhe pas shumë vitesh e jam e kënaqur për këtë.

Je një interpretuese me përvojë të gjatë në festivale. Sot si i shikoni ato?

Festivalet janë festa të një bukurie të veçantë, për mënyrën e prezantimit dhe performacat live, për një mundësi takimi të përbashkët të artistëve e krijuesve të muzikës, takime këto të rralla, por me interes. Megjithatë, ne jemi më afër me publikun përmes aktiviteteve tona private, videove e koncerteve.

Sa sakrifica i duhen një femre që është marrë aq shumë me profesionin?

Çdo profesion ka në vetvete mjaft sakrifica, të natyrave të ndryshme. Shqipëria, si një vend që aspiron perëndimin e demokratizuar, por me një prapambetje akoma të madhe në mentalitet, sjell vështirësi të pamata, veçanërisht tek femra. Unë, që të vazhdoja rrugën time, nuk e kam parë veten si femër, por si një luftëtar me një mision të shenjtë, atë të mbrojtjes ndaj diskriminimit të femrës. Këtë e kam bërë përmes rebelizmit tim artistik. Vetëm kështu u kam bërë ballë pengesave, paragjykimeve, diskriminimit. Për fat, në rrethet tona më të larta, por edhe në mesin e njerëzve të thjeshtë, ka njerëz të hapur, të zgjuar e të mirë, të cilët e kanë dhënë vazhdimisht përkrahjen e tyre për femrën në përgjithësi.

Hyn tek këngëtaret me më shumë turne në diasporë, ndër vite. Sa të kanë dhënë këto turne dhe si ndihesh kur udhëton kaq shumë?

Po, në fakt u bënë shumë vite që vazhdoj me muzikë, koncerte e mbrëmje familjare në gati çdo vend të botës, ku ka shqiptarë. Çdo herë është një eksperiencë e bukur, sepse takoj njerëz të rinj, dashamirës të muzikës shqiptare, të përmalluar për vendin e tyre. Gjithashtu, më vjen mirë që gjatë këtyre udhëtimeve të mia, të shoh sesa shumë kanë avancuar shqiptarët nëpër botë. Në vitet që unë fillova koncerte në diasporë, 2002, shumica e koncerteve kanë qenë të përqendruara atje edhe për arsye ekonomike, pasi në Shqipëri në atë kohë, tregu në përgjithësi, por ai muzikor në veçanti ka qenë akoma në fillim dhe i paorganizuar, ndërsa diaspora jonë kishte vite e organizuar në komunitete të rregullta. Tashmë jam mësuar me  këtë rutinë pune. Më pëlqen e nuk më pengon aspak ana fizike e punës.

Ke pasur gjithmonë përkrahjen e prindërve në karrierë?

Me zemër e shpirt, ata gjithmonë e kanë dashur muzikën e janë bërë pjesë e karrierës sime çdo herë, e shpesh, kur kanë mundur, edhe më kanë shoqëruar në rrugëtimet e mia edhe jashtë Shqipërisë. Ata janë krenarë e të lumtur për talentin që kam trashëguar, por edhe për përkrahjen e madhe që unë kam gjetur në popullin tim.

Ti vetë, çfarë muzike dëgjon, ose preferon? Po ndonjë idhull në muzikë e ke?

I dëgjoj të gjitha rrymat muzikore, të gjitha kulturat muzikore, nga të gjitha kontinentet. Më tërheq larmia e muzikës, ashtu siç është vetë jeta e tillë, natyra plot ngjyra. Njerëzimi ka bërë muzikë të mirë në çdo kohë, e unë jam fansja më e madhe e muzikës së bukur, e harmonisë universale. Muzika klasike, etnike, rrok, pop, etj..., të gjitha janë mrekulli pa të cilat njerëzimi nuk do të ishte ky që është.

Publiku shqiptar ka treguar që nuk harron, edhe pse dalin këngëtare çdo ditë. Pse mendon se ndodh kjo?

Siç e thashë edhe në fillim, janë ata të cilëve unë u ndihem shumë mirënjohëse, që më kanë falur dashuri që në fillim. Ata e kanë zgjedhur këngën time pa imponim nga ndonjë klan i caktuar, ajo është bërë pjesë e jetëve të tyre në mënyrë natyrale, e gëzimeve e hidhërimeve të tyre, për të ngelur gjithmonë aty. Prandaj ata ma shpërblejnë çdo herë me respekt, përkrahje e dashuri.

I keni kaluar festat në aktivitet, jashtë e brenda kufijve. Nuk ju losh ndonjëherë kjo jetë kaq e ngarkuar?

Sigurisht ka lodhje fizike e tejmbushje emocionale herë pas here, por gjithmonë unë gjej forcë rikuperuese sepse edhe nga natyra, eci gjithmonë përpara me optimizëm. Në thelb, Zoti më ka bekuar me shumë energji dhe jam e lumtur për këtë.

Cilat janë vendet ku arrin të prehesh e qetë dhe ku do të preferoje të jetoje?

Më pëlqejnë shumë vendet malore, shpesh shkoj në mal, sepse ka qetësi, ajër të pastër, që të rimbush me energji e kreativitet. Qyteti nganjëherë bëhet i rëndë e i padurueshëm.

I ke kënduar dashurisë së bukur, por edhe dhimbjes së saj, me guxim, edhe për tema që askush nuk i prek. Ka qenë një zgjedhje e jotja?

Po, sepse më prekin temat të cilat janë plagë të shoqërisë sonë, të cilat pakkush dëshiron t’i trajtojë. Unë dua të jap mesazhet e mia për të sjellë sadopak ndryshim në jetën tonë. Muzika jep kontakt të drejtpërdrejtë me shpirtin e njeriut, edhe për këtë është forma më e shpejtë për të ndikuar në bindjet e mendimet e tyre.

Kur ulesh e flet me ty nga afër, je aq e shtruar, e paqtë, e mençur. Ka ardhur nga përvoja kjo apo sepse ndihesh e plotë?

Faleminderit për vlerësimin, Juela! Ndoshta gjithë këto vite në komunikim të vazhdueshëm me njerëzit e skenën, të japin një pjekuri natyrale, një ndjenjë paqeje e dashurie, të cilën e kam ndjerë veçanërisht prej sa mbaj mend. Unë gjithmonë i kam dashur dhe i dua njerëzit, e dua të bukurën, të drejtën, estetikën. Këto janë ndjenja që u paraprijnë të gjitha të tjerave gjatë gjithë jetës sime. Sigurisht që pikërisht për këtë arsye, vijnë debate të shpeshta kudo dhe kurdo, por lufta është  e madhe për të triumfuar e mira. E mira është në gjenezë, por duhet luftë për të qenë edhe në finale.

Zgjodhe bardhësinë në festivalin “Kënga Magjike” dhe një inskenim teatror. Si ju lindi ideja e kësaj dhe vetë kënga, si rrodhi që erdhi në festival?

Është një këngë ku mesazhi është dashuria, një ndjenjë që na mban në këtë jetë dhe sigurisht që duhej të ishte e veshur nga e bardha, nga hyjnorja, nga trupat e akullt të statujave që vetëm dashuria mund t’i sillte në jetë. Dashuria e shkrin edhe gurin, dashuria është hyjnore, është paqe e shpirtit dhe trupit, është madhështore, është dhurata më e madhe që i është bërë njerëzimit. Ndërsa melodia më erdhi para rreth një viti, kur isha në Prishtinë, e flinte në sirtar derisa shumë rastësisht, gjatë pjesëmarrjes në “Dance with me”, ditëve të provave, pashë lajmërimin e shpallur për festival. Kështu e dërgova këngën, kështu filloi gjithçka.

Ke menduar ndonjëherë të luash në film, ose a ke pasur ndonjë ofertë?

Dëshira ime e parë që fëmijë, ka qenë të bëhesha aktore filmi. Kam pasur propozime, por ende nuk e kam parë të arsyeshme të bëhem pjesë deri tani, sepse dua që filmi të përshtatet me konceptet e mia kinematografike.

Je kaq elegante. Gjenetika, apo merresh shumë me sport? Nuk ke ti një ushqim të preferuar, sepse nga linjat duket sikur ushqehesh vetëm më sallatë...

Sallatë pule, (ha ha ha). Sigurisht nuk e teproj me ushqim, sidomos me yndyrën e sheqerin, shkoj edhe në palestër, por jo çdo ditë. Edhe nga natyra kam gjene të mira, faleminderit prindërve!

E do luksin, lufton për të?

Luksi në parametrat e mia është një jetë plot gjallëri, njerëz e gjëra të bukura, e natyrisht që luftoj për këtë. Luksi për mua vlen deri aty sa nuk dëmtohet shpirti.

Jeni tre motra. Sa ndikon raporti mes jush edhe në karrierën tënde? Cila është lidere e grupit?

S’mund të flasim për lidere, sepse ne çdo gjë e ndërtojmë bashkë, madje herë pas here kemi edhe debate për më të mirën, për suksesin e mbarëvajtjen e punës, por gjithmonë ia dalim të biem në marrëveshje, edhe pse unë nganjëherë i nxjerr “brirët”e mi si dem që jam në horoskop.

Mund të na zbulosh disa nga planet e tua në të ardhmen e shpejtë?

Klipe së shpejti, shumë. Këtë vit do të realizoj shumë klipe.

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: