“Së bashku për futbollin”, Duka shpall kandidaturën dhe ndez sfidën...në pritje të Finos

“Së bashku për futbollin”, Duka shpall kandidaturën dhe ndez sfidën...në pritje të Finos
Ajo që pritej, ndodhi. Kreu i FSHF-së, Armand Duka hedh zyrtarisht kandidaturën për një mandat të pestë në krye të këtij institucioni, me moton “së bashku për futbollin”.

“Ndihem jo vetëm i detyruar, por mbi të gjitha i vlerësuar dhe i respektuar që një pjesë e konsiderueshme e komunitetit të futbollit dhe anëtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit ka kërkuar rikandidimin tim në rolin e presidentit të këtij institucioni.”

“Pas konsultave me faktorë të rëndësishëm dhe grupe interesi që përfaqësojnë të gjitha kategoritë, moshat dhe gjinitë vendosa të rikandidoj i bindur se të gjithë bashkë përfshirë dhe ju që nuk keni të drejtë vote mund të vazhdojmë se bashku një rrugë e cila në mënyrë të pashmangshme na ka dërguar te progresi.”

“Masivizimi i futbollit, fëmijët, të rinjtë, femrat, rezultatet e skuadrës Kombëtare me objektivin madhor për kualifikimin në EURO 2020 dhe Kupën e Botës 2022, arritjet e klubeve në arenën ndërkombëtare, politikat e futbollit dhe e ardhmja e garantuar më japin besim se sërish do vendosim për një futboll shqiptar gjithnjë e më të mirë.”

“Që nga ky moment jam në dispozicion te të gjithë anëtarëve te Asamblesë Zgjedhore.”

Armand Duka shpall kështu zyrtarisht kandidaturën me premtimin e madhe se synon kualifikimin e Kombëtares së Shqipërisë jo vetëm në Euro 2020, por edhe në finalet e Botërorit, Katar 2022.

Bashkim Fino, i vetmi kandidat i mundshëm deri tani që mund të vihet përballë Dukës, ka paralajmëruar dorëzimin e mandatit si deputet i Partisë Socialiste, si detyrim për të kandiduar sepse ndryshe nuk i lejohet kandidimi. Ish-kryeministri socialist, megjithatë, është sfiduar nga Duka me moton “së bashku për futbollin,” duke qenë se rivali i tij i mundshëm vjen nga politika.

Igli Tare, drejtori sportiv i Lazio, ishte gjithashtu një kandidat potencial që u kërkua të kandidonte nga disa klube që nuk preferojnë Dukën në krye të FSHF-së, si Flamurtari.

Megjithatë, Armand Duka është zyrtarisht kandidati i parë i vetëm zyrtar për president të FSHF-së,  teksa kërkon nga votat e Asamblesë një mandat të pestë si askush tjetër në historinë e futbollit tonë.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: