“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Shoku Ismail Kadare: Çmimin Nobel do ma japin këtë vit për zbulimin e naftës!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Shoku Ismail Kadare: Çmimin Nobel do ma japin këtë vit për zbulimin e naftës!
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" ju uron të keni një vit të mbarë! Të keni shëndet dhe të fitoni para, njëlloj si disa biznesmenë shqiptarë. E kuptojmë që kjo është e vështirë, pasi kërkon më së shumti që të jeni me shkollë 8-vjeçare, por jo e pamundur. Duhet edhe pak fat.

E meqë ra llafi te fati... Për fat të mirë, këtë radhë Tirana e festoi ndërrimin e viteve në errësirë, vetëm për pak orë. Dikush pa nishan, kishte nxjerrë kallashin, e kishte shtënë mbi telat. Themi "pa nishan", pasi po të kishte diçka të tillë, do kishte prerë shumë tela, e veç kryeqytetit, pa drita do kishin mbetur edhe qytete të tjerë. Policia po heton nëse kjo gjë është bërë qëllimisht, apo thjesht, sepse kështu është krijuar traditë që prej vitit 1997.

Ne mendojmë se ky veprim është bërë me paramendim. Armiqtë janë përpjekur përherë të bëjnë akte sabotazhi në vendin tonë. Shumë herë ia kanë dalë të përmbushin planet e tyre, por edhe atëherë ata janë zbuluar. Nëse nuk janë zbuluar dot nga organet që merren me këtë punë, i ka zbuluar vetë populli, apo njerëz të shquar të dalë nga gjiri i tij.  Në disa raste, këtë zbulim e kanë bërë shkrimtarët, apo skenaristët e filmave.

E meqë ra llafi te shkrimtarët ... Po ju japim lajmin e mirë se shkrimtari shqiptaro-francez Ismail Kadare, do të fitojë këtë vit çmimin Nobel. Këtë na e pohoi vetë.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena - Përshëndetje shoku Ismail! Së pari, gëzuar 2018-ën! Antena jonë zbuloi se para disa ditësh, ju telefonuan nga Suedia. Neve na ikën dritat, e nuk na punoi antena, që ta kapnim tërë bisedën tuaj. A mund të dimë ç'llafosët?

Ismail Kadare  - Më paskeni spiunuar domethënë! Nejse, nuk ju mbaj mëri, sepse jam oksidental. Lidhur me pyetjen, po ju jap lajmin se këtë vit do fitoj çmimin Nobel.

Antena - Do fitoni çmimin? U, sa mirë! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Ua thanë ata të komisionit, besoj?

Ismail Kadare - Po, ata ma thanë, teksa folëm së bashku në telefon.

Antena - Nuk po ndjej që të jeni shumë i lumturuar... Çfarë ju ka ndodhur?

Ismail Kadare - Një gjë e çuditshme, në kufirin e të hatashmes. Diçka të tillë besoj do e përjetonte edhe Aristofani, nëse do merrte vesh, që i humbën tragjikisht shumica e komedive të tij. Është një ndjenjë simbioze, midis tragjizmit që përmban komizmi dhe anasjelltas.

Antena - Pak më i qartë ju lutem, shoku Ismail! Nuk i kuptoj këto gjëra kaq...

Ismail Kadare - Më kërkuan falje që nuk e kishin lexuar më parë komedinë time "Emblema e Dikurshme". "Po ta kishim lexuar, do të ta jepnim kohë më parë çmimin Nobel",- më thanë.

Antena - Komedinë tuaj?! Po ai libër nuk është komedi, mesa di unë.

Ismail Kadare - Eee, ta dish ti sa kanë qeshur ata të komisionit, kur e lexuan. Desh u ra infarkt, disave prej tyre, madje. Ma thanë në telefon këtë fakt dhe përsëri qeshnin. Unë ngriva, siç ngrinin në mitologjinë greke, ata që shikonin Meduzën.

Antena - Qeshnin? E përse?! Mos kishin pirë me rastin e festës së...?

Ismail Kadare - Qeshnin me faktin që në atë libër, në emblemën mesjetare, fshihej kodi i ekzistencës së naftës, në kohën e tashme. "I fortë je! Naftën që nuk e zbulojnë dot sondat qindra-milionë dollarëshe, e zbulon një emblemë! Bravo!", më thoshin, e vazhdonin të qeshnin.

Antena - Po ju, ç'u thatë? A nuk u thatë që ajo vepër letrare nuk është komedi?

Ismail Kadare - E përse t'u thosha, apo t'i prishja punë vetes! Fundja, e tillë është bota dhe historia e njerëzimit. Shumë gjëra janë ngritur dhe përfituar mbi keqkuptimin.

Antena - Mirë thoni. Kështu është!

Ismail Kadare - A nuk ishte shpikja e barutit një keqkuptim, madje i tragjikshëm? Teksa shpikësit kinezë përpiqeshin të krijonin një ilaç që do bënte të mundur që Perandori i tyre të jetonte përjetësisht duke bashkuar kohët, krijuan një mjet vrastar. Veçse, emri ju shënua në histori, si shpikës ushtarakë, e jo si shpikës mjekësorë.

Antena - Për ne, e rëndësishme është që të merrni çmimin Nobel. Sesi, nuk ka rëndësi...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: