Vetingu në polici, ICITAP: Përfshirja jonë në dobi të procesit

Vetingu në polici,  ICITAP: Përfshirja jonë në dobi të procesit
Vetingu në radhët e policisë, SHÇBA-së dhe Gardës së Republikës, është diskutuar në një tryezë me trupin diplomatik dhe misionet e huaja të akredituar në Shqipëri, ICITAP dhe PAMECA.

Ambasadorët u njohën me detajet për realizimin e procesit të Vettingut në Policinë e Shtetit, shprehën mbështetje, vlerësim për punën e kryer dhe besim për rezultate të shpejta.

Drejtori i ICITAP deklaroi se tani që i përfshinë në këtë nismë do të japin edhe kontributin e tyre.

“Ju keni nisur tani të na përfshini ne dhe institucionet e tjera në zhvillimin e këtij plani. Unë ju komplimentoj në zhvillimin e këtij procesi. Mendoj që kjo formë do të jetë e dobishme në termat e përshtatjes dhe plotësimit të draftit dhe t’i përgjigjeni pyetjeve të rëndësishme, veçanërisht në fushën e komunikimit, teksa shkojmë përpara. Përtej komplimenteve, ne jemi këtu. Jemi me ju. Jemi të interesuar dhe do të vijojmë të jemi”, deklaroi Steve Bennett, Drejtor i ICITAP.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj tha se asistenca ndërkombëtare ndaj organeve të vlerësimit që realizojnë këtë proces, do të shërbejë për të garantuar cilësinë dhe standardet më të mira të këtij procesi.

“Besojmë se mbështetja e kësaj ekspertize do të shërbejë edhe si garanci, edhe si inkurajim, edhe si motivim nëse dëshironi ta them edhe këtë, për organet e vlerësimit që do të përfshihen, për njerëzit që do të përfshihen në këtë proces vlerësimi, sepse ato do të investohen në një proces të vështirë, shumë të vështirë. Sepse nuk besoj se është e lehtë, dhe ju që e njihni sadopak realitetin, edhe në vendin tonë, edhe në rajonin tonë, në ndërmarrje të kësaj natyre, ku do të duhet të japësh verdiktin për të larguar nga radhët e Policisë së Shtetit, individë që deri më sot mund të jenë konsideruar edhe shumë të fuqishëm brenda kësaj organizate”, deklaroi me të tjerave ministri i Brendshëm, Xhafaj.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: