Astma, ajri dhe mjedisi ku jetojmë, shkak për shfaqjen e sëmundjes

Astma, ajri dhe mjedisi ku jetojmë, shkak për shfaqjen e sëmundjes
Mjekët alergologë ngrenë alarmin se, gjatë viteve të fundit, është rritur ndjeshëm numri i të prekurve nga astma dhe mes tyre ka edhe shumë fëmijë

Sonila Isaku

Astma bronkiale është një sëmundje e përhapur shumë kohët e fundit dhe të dhënat tregojnë se, rreth 300 milionë persona vuajnë nga kjo sëmundje në të gjithë botën. Kjo lloj sëmundje prek si fëmijët, ashtu edhe të rriturit. Në ndryshim nga shumë sëmundje të tjera alergjike, të cilat prekin shumica të rriturit, kjo është një sëmundje që prek edhe fëmijët, ndaj është shumë  e rëndësishme vendosja e diagnozës sa më shpejt. Organizata Botërore e Shëndetësisë pranon se, astma është problem madhor për shëndetin publik. Në prag të ditës botërore të kësaj sëmundjeje, specialistët  e Shëndetit Publik japin këshillat për parandalimin dhe mjekimin e kujdesshëm të saj.

Sëmundja

Astma është një nga sëmundjet kryesore jo të transmetueshme, e karakterizuar nga kriza të përsëritura të vështirësisë në frymëmarrje dhe fishkëllima gjatë saj, të cilat ndryshojnë në ashpërsi dhe frekuencë nga personi në person. Tek individët e prekur, simptomat mund të shfaqen disa herë në ditë ose në javë, dhe për disa të tjerë ato mund të përkeqësohen gjatë aktivitetit fizik ose gjatë natës. Gjatë krizës së astmës, tubat bronkial ënjten, duke shkaktuar ngushtimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe zvogëlimin e lëvizjes së ajrit brenda apo jashtë mushkërive. Simptomat e përsëritura të astmës, shpesh shkaktojnë pagjumësi, lodhje, reduktim të aktivitetit jetësor të individëve, sidomos në shkollë dhe në punë. Astma ka një shkallë relativisht të ulët të vdekshmërisë, në krahasim me sëmundjet e tjera kronike. Astma është e nën diagnostikuar dhe e nën trajtuar. Ajo krijon barrë të konsiderueshme për individët dhe familjet.

Shkaqet

Shkaqet kryesore të astmës nuk janë kuptuar plotësisht. Faktorët më të fuqishëm të rrezikut për zhvillimin e astmës, janë një kombinim i predispozicionit gjenetik, me ekspozimin mjedisor ndaj substancave dhe grimcave që mund të thithen nëpërmjet ajrit, të cilat mund të provokojnë reaksione alergjike ose mund të acarojnë rrugët e frymëmarrjes, si: alergjenët e brendshme - pluhurat në shtëpi, (në shtretër, qilima dhe mobiliet) - ose parazitët e ndryshëm si furrtarja e zezë; alergjenët në natyrë (të tilla si poleni dhe myku); kafshët shtëpiake; tymi i duhanit; alergjenët kimikë në vendin e punës; ndotja e ajrit etj.

Shkaktarë të tjerë që provokojnë krizat e astmës, mund të jenë ajri i ftohtë, ngacmimet ekstreme emocionale, si zemërimi ose frika, dhe aktiviteti fizik. Edhe medikamente të caktuara mund të shkaktojnë astmë: aspirina dhe medikamente të tjera josteroide antiinflamatore dhe betabllokuese (të cilat përdoren për të trajtuar presionin e lartë të gjakut, zemrën dhe migrenën). Urbanizimi është shoqëruar me një rritje të astmës, por natyra e saktë e kësaj lidhjeje, është ende e paqartë.

Menaxhimi i astmës

Megjithëse astma nuk mund të shërohet, menaxhimi i duhur mund të kontrollojë sëmundjen, duke u mundësuar njerëzve me astmë të gëzojnë një cilësi të mirë të jetës. Medikamentet me efekt afatshkurtër, përdoren për lehtësimin e simptomave gjatë krizave të astmës. Medikamente të tilla si kortikosteroidët aerosole janë të nevojshme për të kontrolluar përparimin dhe përkeqësimin e astmës, si dhe vdekjet e lidhura me të.

Njerëzit me simptoma të vazhdueshme duhet të marrin medikamente afatgjata, çdo ditë, për të kontrolluar pezmatimin bazë dhe për të parandaluar simptomat dhe përkeqësimin. Qasja e papërshtatshme ndaj medikamenteve dhe shërbimeve shëndetësore, është një nga arsyet kryesore për kontrollin e dobët të astmës në shumë vende.  Por medikamentet nuk janë mënyra e vetme për të kontrolluar astmën. E rëndësishme është gjithashtu shmangia e shkaktarëve të astmës. Çdo pacient me astmë, duhet të mësojë se cilët janë shkaktarët e mundshëm të krizave të astmës dhe t’i shmangë si një masë parandaluese.

Komplikacionet

Komplikacionet e astmës kanë të bëjnë me evizemat pulmonare, takikarditë te personat të cilët janë me sëmundje kardiake, aritmi të thjeshta, deri në takikardi të cilat rrezikojnë jetën e pacientit. Një tjetër komplikacion i astmës mund të jenë edhe pneumonitë, që vijnë si pasojë e sekrecioneve të tapave mukoide, që ndodhen në rrugët e bronkeve, duke mbivendosur një infeksion. Kjo e fundit është më e  dukshme te fëmijët e moshës 1-5 vjeç, ose infeksionet virusale. Nga mosha 5-30 vjeç janë infeksionet e mykoplazmës dhe mbas moshës 30 vjeç, janë infeksionet nga pneumokoku. Pneumonitë janë një nga këto shkaqe që vijnë nga mos mjekimi i astmës në kohë.

Rreziku dhe parandalimi

Megjithëse astma nuk vret në atë nivel sa sëmundjet pulmonare obstruktive kronike (SPOK) ose sëmundjet e tjera kronike, neglizhimi ose dështimi i përdorimit të medikamenteve të përshtatshme, neglizhimi i trajtimit mund të çojë në vdekje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë luan një rol të rëndësishëm në koordinimin e përpjekjeve ndërkombëtare kundër kësaj sëmundjeje. Qëllimi i strategjisë së saj, është të mbështesë shtetet anëtare në përpjekjet e tyre, për të reduktuar aftësinë e kufizuar dhe vdekjen e parakohshme që lidhen me astmën.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se, parandalimi parësor për të zvogëluar nivelin e ekspozimit ndaj faktorëve të zakonshëm të rrezikut, veçanërisht tymit të duhanit, infeksioneve të shpeshta të frymëmarrjes gjatë fëmijërisë dhe ndotjes së ajrit (ekspozimi i brendshëm, i jashtëm, dhe në vendin e punës), duhet të jenë objektiva të programeve të parandalimit të astmës.

 

Faktet kryesore rreth astmës

Astma është një nga sëmundjet kronike jo të transmetueshme të rrugëve të frymëmarrjes, gjatë të cilës ato pezmatohen dhe ngushtohen.

Rreth 235 milionë njerëz aktualisht vuajnë nga astma. Kjo është një nga sëmundjet më të shpeshta te fëmijët.

Astma është një problem i shëndetit publik jo vetëm për vendet me të ardhura të larta; ajo ndodh në të gjitha vendet, pavarësisht nga niveli i zhvillimit. Shumica e vdekjeve të lidhura me astmën ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Sipas vlerësimeve të fundit të OBSH-së, në vitin 2015 kishte 383.000 vdekje për shkak të astmës. Shumica e vdekjeve ndodhin tek të rriturit.

Faktorët më të fuqishëm të rrezikut për zhvillimin e astmës janë substancat dhe grimcat e thithura nëpërmjet ajrit, të cilat mund të shkaktojnë reaksione alergjike ose mund të acarojnë rrugët e frymëmarrjes.

Medikamentet mund të kontrollojnë astmën, ndërsa shmangia e shkaktarëve të astmës mund të zvogëlojë ashpërsinë e saj.

Menaxhimi i duhur i astmës u mundëson njerëzve të gëzojnë një cilësi të mirë jetese.

 

Shakatarët që ndikojnë te sëmundja

Alergjenët e brendshme si pluhurat në shtëpi, (në shtretër, qilima dhe mobiliet) ose parazitët e ndryshëm si furrtarja e zezë;

Alergjenët në natyrë (të tilla si poleni dhe myku);

Kafshët shtëpiake;

Tymi i duhanit;

Alergjenët kimikë në vendin e punës;

Ndotja e ajrit etj.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: