Çerdhet dhe kopshtet, hiqet pagesa e reduktuar për fëmijën e dytë dhe të tretë

Çerdhet dhe kopshtet, hiqet pagesa e reduktuar për fëmijën e dytë dhe të tretë
Tashmë, përfitues të shërbimit falas, do të jenë fëmijët në nevojë, ata me prindër të divorcuar, me probleme të veçanta shëndetësore ose kategori të tjera

Sonila Isaku

Duke filluar nga ky muaj, të gjitha familjet të cilat përfitonin nga pagesat e reduktuara në rastet kur kishin më shumë se një fëmijë në kopshte apo çerdhe, tashmë do t’u duhet të kryejnë pagesa të plota për secilin nga fëmijët. Vendimi nr.  40 dt. 29.03.2018, i marrë pak ditë më parë në këshillin bashkiak, ka përcaktuar tashmë se, cilat do të jenë kategoritë e reja përfituese të shërbimit falas, si në kopshte dhe çerdhe, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me familje në nevojë.

Heqja  e pagesës

Një vendim i marrë më 30 dhjetor të vitit 2015, ku përcaktohet tarifa ditore për fëmijët e çerdheve dhe kopshteve, përkatësisht 160 lekë/dita në kopsht dhe 130 lekë/dita në çerdhe, kishte të përcaktuar edhe një tjetër lehtësi për familjet me më shumë se një fëmijë, të cilët frekuentonin institucionet publike të arsimit parashkollor. Kështu, nëse një familje që kishte më shumë se një fëmijë në kopsht ose në çerdhe, do të paguajë 50% më pak të tarifës, ndërsa për fëmijën e tretë, nuk paguhet asnjë tarifë. Ndërkohë, duke filluar nga ky muaj, të gjithë ata prindër të cilët kishin pagesa të reduktuara, nëse kishin më shumë se një fëmijë në arsimin parashkollor publik, do t’u duhet të paguajnë 160 lekë në ditë për kopshtet dhe 130 lekë për çerdhet, për çdo ditëqëndrimi të fëmijës në këto institucione, duke rritur kështu kostot familjare.

Përfituesit e rinj

Por vendimi i fundit i marrë nga bashkia e Tiranës, përjashton nga tarifa mujore e ushqimit në çerdhe dhe kopshte, fëmijët që vuajnë nga sëmundje të rënda, autik dhe me sindromën down. Kjo tarifë është 130 lekë në ditë në çerdhe dhe 160 lekë në ditë në kopshte.

“Fëmijët e vegjël që kanë vetëm një prind, nënat e divorcuara që kanë në kujdestari fëmijët, ata që vuajnë nga sëmundjet e rënda, çrregullime të spektrit autik ose sindromi down, do të përjashtohen nga tarifa e ushqimit në çerdhe dhe kopshte. Bashkia e Tiranës propozoi në këshillin bashkiak, zerim të tarifës 160 lekë/ditë për kopshtet dhe 130 lekë ditë/për, çerdhet për kategoritë në nevojë” - thotë vendimi. Sipas këtij të fundit, do të jenë 7 kategori të fëmijëve të cilët përfitojnë kopsht dhe çerdhe pa pagesë.

 

Kategoritë e fëmijëve që përfitojnë

  1. Fëmijë me statusin e jetimit.
  2. Fëmijë të familjeve ku kujdestari ligjor ka statusin e jetimit.
  3. Fëmijë me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike dhe me sëmundje të rënda, sipas raportit të komisionit mjeko-ligjor.
  4. Fëmijë ku kujdestari ligjor është më aftësi të kufizuar mendore dhe fizike, me sëmundje të rënda, sipas raportit të komisionit ligjor.
  5. Fëmijë të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike
  6. Fëmijët e familjeve me një prind, ku kujdestari ligjor e ka pagesën në/nën nivelin e pagës minimale të miratuar me aktin ligjor përkatës.
  7. Fëmijët e familjeve ku kujdestari ligjor i fëmijës është i divorcuar ose i ve (sipas certifikatës së gjendjes familjare), por që është në/nën pagën minimale në shkallë, vërtetuar me dokumentacionin përkatës.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: