Miratohet lista e re me 36 barna të rimbursueshme, kush përfiton

Miratohet lista e re me 36 barna të rimbursueshme, kush përfiton
Medikamenti për kancerin e gjirit, “Herceptinë”, është përfshirë në këtë listë dhe pacientet do ta marrin edhe në spitale të tjera të vendit, për të lehtësuar procedurat

 Sonila Isaku

Zgjerohet me 36 barna të reja lista e rimbursimit, për të gjithë pacientët të cilët janë përfitues së saj. Në këtë listë, 16 prej barnave janë principe aktive, kurse 20 të tjera janë alternativa që i shtohen listës së rimbursimit për kurimin e sëmundjeve të ndryshme kronike. Kjo listë përfshin skemën e mbulimit me barna të rimbursueshme nga shteti, më tepër diagnoza, më shumë alternativa barnash dhe, mbi të gjitha, krijon mundësinë që të përfitojnë më tepër qytetarë, në lidhje me trajtimin e sëmundjeve akute dhe kronike.

Barnat me rimbursim

Pas dy vitesh mungesë në tregun farmaceutik, qeveria ka miratuar listën e re të barnave të rimbursueshme. Risia e listës që pritet të hyjë në fuqi më 1 maj, është shtimi i 16 principeve aktive dhe 20 të tjera alternative.

“Lista e barnave të rimbursueshme e miratuar nga qeveria, përfshin 36 barna të reja, që trajtojnë diagnoza si, forma të ndryshme të leuçemisë, kancerit të pulmonit, si dhe për herë të parë përfshin barna për diagnoza të patrajtuara më parë, si demenca dhe alzhaimer. Lista e re e barnave, përveç barnave për sëmundje të rënda, përmban dhe barnat për sëmundjet kronike si hipertension, trajtimin e hepatitit C, për trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare, neurologjike, psikiatrike etj.,” - ka pohuar ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastriliu. Sipas saj, shtimi i alternativave, si dhe futja e barnave të reja në këtë listë, pritet të sjellë përmirësime të ndjeshme në shëndetin e të sëmurëve kronikë, për vetë faktin se barnat e shtuara janë prodhime të këtyre viteve të fundit.

“Herceptina”

Një lajm i mirë vjen për pacientet me kancer gjiri. Në listë është përfshirë një formë-dozë e re e medikamentit Herceptine (subcutane), që mund të merret me shiringë, edhe në spitale të tjera të vendit. Tanimë, gratë me kancer gjiri që trajtohen me herceptinë, do të mund ta marrin atë me shiringë edhe në spitale të tjera të vendit, pa u dashur të marrin rrugën për në spitalin e QSUT-së në Tiranë. Kjo formë doze e herceptinës, shkurton edhe kohën e trajtimit për to. Nga 4 orë që duhej të qëndronte pacientja në spital, tanimë ajo merret për 20-30 minuta.

“Është një premtim i mbajtur. Nuk do të ketë më mungesa për trajtimin me herceptinë, të grave që vuajnë nga tumori i gjirit. Me futjen e këtij bari në LBR, si dhe me kontratën e posaçme të lidhur mes MSHMS dhe prodhuesit të autorizuar, na ka lejuar që të mbulojmë trajtimin me këtë bar, për të gjitha gratë me tumor të gjirit që kanë nevojë për këtë medikament”, - ka pohuar Manastirliu.

Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë gjatë mbledhje së qeverisë që u zhvillua në qytetin e Fierit, ka qenë vetë kreu i qeverisë i cili bëri me dije miratimin e listës së barnave në këtë mbledhje, si dhe përfshirjen e herceptinës në listën e barnave të rimbursueshme dhe zgjidhjen përfundimtare për herceptinën, medikament për trajtimin e kancerit të gjirit.

“Lista e barnave të rimbursueshme është zgjeruar, për të mbuluar shtresat në nevojë. Janë 36 barna të reja që do të rimbursohen nga shteti, ku do të përfshihet si një zgjidhje përfundimtare edhe herceptina, medikament jetik për kancerin e gjirit, që ka një trajtim të shtrenjtë”, - tha Kryeministri.

Pacientet me kancer gjiri duhet të trajtohen me “Herceptinë”, një herë në tre javë, pa ndërprerje. Herceptina është medikament shumë i shtrenjtë. Një seancë me “Herceptinë” kushton 2000 euro. Një grua e diagnostikuar me kancer gjiri, kërkon 18 të tilla.

 

Barnat e reja të cilat futën në listën me rimbursim, i përkasin grup-sëmundjeve:

Barna për forma të ndryshme të leuçemisë;

Barna për kancerin e pulmonit (mushkërisë);

Barna për demencën;

Barna për alzheimer;

Barna të reja për hipertensionin;

Barna për Hepatitin C;

Barna për sëmundjet kardiovaskulare;

Barna për sëmundjet neurologjike;

Barna për trajtimin e sëmundjeve psikiatrike.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: