Rreziku i rënies së dyfishtë, Kraja: Besoj te mbijetesa e Vllaznisë

Rreziku i rënies së dyfishtë, Kraja: Besoj te mbijetesa e Vllaznisë
Trajneri i Vllaznisë B, Ervis Kraja, pranon faktin se, skuadra e drejtuar prej tij edhe pse fitoi ndaj Korabit dhe siguroi mbijetesën në Kategorinë e Parë, mund të bjerë nëse bie nga Superiorja Vllaznia e drejtuar nga Ernest Gjoka 

Aranit Muraçi

Humbja e fundit në “Loro Boriçi” 2-0 e Vllaznisë ndaj Luftëtarit, ndeshje e vlefshme për javën e 30-të në Superiore, shton rrezikun e rënies nga kategoria të një prej ekipeve historike në futbollin shqiptar.

Kamza fitoi 2-1 ndaj Lushnjës, fitore që e largoi 4 pikë nga Vllaznia, ndërsa Teuta, para se të përballej mbrëmjen e djeshme me Flamurtarin në Vlorë, kishte po aq pikë sa të besuarit e trajnerit Ernest Gjoka.

Rënia e mundshme e Vllaznisë, shton rrezikon e rënies edhe të Vllaznisë B, pavarësisht se skuadra e drejtuar nga Ervis Kraja, arriti një fitore të rëndësishme 3-1 gjatë fundjavës ndaj Korabit. Kjo fitore ndaj një rivali direkt për qëndrimin në Kategorinë e Parë, siguron mbijetesën e Vllaznisë B, por sezonin tjetër, qëndrimi në këtë kategori do të jetë në varësi edhe të qëndrimit të Vllaznisë A, në Superiore.

Trajneri i Vllaznisë B, Ervis Kraja, për “Albanian Free Press” tregon rastin e paprecedentë që mund të ndodhë në futbollin shqiptar, ndërsa shprehet optimist se, të dyja ekipet do t’i arrijnë objektivat dhe nuk do të rrezikojnë rënien.

“Arritëm një fitore bindëse, kundër një kundërshtari që s’e meriton këtë kategori. Prandaj, shpresoj të luajë në kategorinë e dytë vitin tjetër”, - thotë Kraja. Por ekipi që ai drejton, Vllaznia B, edhe pse mori një fitore premtuese ndaj Korabit në betejën për mbijetesë, mund të penalizohet nëse Vllaznia A nuk arrin të qëndrojë në elitën e futbollit shqiptar.

Sipas rregullores, dy ekipe të të njëjtit klub, nuk mund të luajnë në të njëjtën kategori, çka do të thotë se rënia e Vllaznisë A në Kategorinë e Parë, zbret automatikisht në kategorinë e dytë Vllazninë B, ekipin e drejtuar nga Ervis Kraja.

Skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka pas humbjes me Luftëtarin këtë fundjavë, duhet të sigurojë mbijetesën për të lënë pas njërën prej dy ekipeve të tjera të rrezikuara, Teutën ose Kamzën.

Por megjithatë, pavarësisht situatës së krijuar, Kraja beson fillimisht te mbijetesa e Vllaznisë A.

“Mendoj që Vllaznia nuk do të bjerë nga kategoria, sepse është një ekip shumë i mirë, (rregullorja thotë qartë se ekipet me një emër A-B, nuk mund të luajnë në një kategori). Prandaj, besoj se do t’ia arrijmë objektivave, si A ashtu dhe B,” – shprehet Ervis Kraja.

Kategoria Superiore

Java e 30-të/ Të shtunën

Vllaznia-Luftëtari              0-2

Kamza-Lushnja                  2-1

Dje

Laçi-Kukësi                        0-0

Flamurtari-Teuta              3-1

Sot

Partizani-Skënderbeu   19:00

Klasifikimi

Skënderbeu     66

Kukësi               55

Luftëtari           47

Partizani           45

Flamurtari        43

Laçi                    43

Kamza                37

Vllaznia              33

Teuta                  33

Lushnja              10

Shpërndajeni me miqtë tuaj: