Mateus Frroku: Uroj që “Syni m’qesh” të dhurojë kënaqësi dhe argëtim

Mateus Frroku: Uroj që “Syni m’qesh” të dhurojë kënaqësi dhe argëtim
Flet për Albanian Free Press këngëtari Mateus Frroku: “Kënga është ende në hapat e parë të saj, thjesht tani na duhet një laçim i mirë i saj, sa më shumë promocion i saj dhe sa më shumë hapësira transmetimi. Sigurisht që nuk është shumë e thjeshtë për mua këtë herë, që të vij vetëm, mungesa e Bujar Qamilit në këtë produksion, e vështirëson punën time. Por shpresoj që publiku ta marrë këtë këngë sa më shpejt si një këngë argëtuese, të lehtë si stina e verës, si një këngë të kërcyeshme.”

 

Mateus Frroku këtë verë trokiti në publik me hit-in e tij të ri, “Syni m’qesh” një këngë dashurie, një tjetër bashkëpunim me sukse i tij me Klejdi Bahitin. Pas suksesit të madh të këngës “Rrak-tak”, një bashkëpunim me të madhin Bujar Qamili, ky hit i ri veror duket të jetë pritur mirë nga të rinjtë. Djali gjysmë shkodran e gjysmë korçar, është ende shumë i ri, por ka mbi 13 vite në skenë. Përveç festivaleve dhe hiteve të herëpashershme, Mateus me zërin e tij të fuqishëm  këndon live në shumë skena të Tiranës dhe jo vetëm. Matesu vjen në këtë rrëfim mbi pjesë të jetës së tij që lidhet me aktivitetin në art por edhe me jetën jashtë skenës.

 

Intervistoi për Albanian free Press, Juela Meçani

 

Këtë verë erdhe me një këngë dashurie, ngacmuese dhe romantike. Si lindi kjo këngë?

Erdhi në momentin kur unë dëshirojë një gjë tjetër. Pas bashkëpunimit dhe këngës me Bujar Qamilin, unë isha në mëdyshje të madhe mbi stilin ose natyrën e këngës që do të vinte pas saj. Kjo më bënte që të isha  pak skeptik, por megjithatë vendosa që të vija këtë verë me një këngë të re dhe i kisha të gjitha energjitë edhe bashkë me kompozitorin, tekstshkruesin dhe producentin e të gjithë këngës, Kleidi Bahiti, vendosëm të vinim me këngën “Syni m’qesh”. Është një këngë që gjatë gjithë kohës që kemi punuar për të dhe me të, na ka falur shumë energji pozitive dhe shpresoj që kjo energji të transmetohet edhe tek publiku.

 

Si mendon se është pritur kënga?

Kënga është ende në hapat e parë të saj, thjesht tani na duhet një laçim i mirë i saj, sa më shumë promocion i saj dhe sa më shumë hapësira transmetimi.  Sigurisht që nuk është shumë e thjeshtë për mua këtë herë, që të vij vetëm, mungesa e Bujar Qamilit në këtë produksion, e vështirëson punën time. Por shpresoj që publiku ta marrë këtë këngë sa më shpejt si një këngë argëtuese, të lehtë si stina e verës, si një këngë të kërcyeshme.

 

Ka kaluar një vit nga bashkëpunimi yt me të madhin Bujar Qamili. Kënga është bërë hit. Na rrëfe më shumë si erdhi ky binom dhe pse mendon se pati kaq sukses?

Këngë “Rak-tak” është një material që pavarësisht punës, planeve dhe këmbënguljes që unë kisha në atë moment, është një këngë nga ato projektet që kur duhet të bëhen, bëhen patjetër se nuk ka nga shkon ndryshe. Ishte këngë që pati shumë energji dhe për mua e quaj një fat të jashtëzakonshëm që në jetën time artistike kam një bashkëpunim me këngëtarin Bujar Qamili. Gjërat u realizuan shumë thjeshtë. E them këtë sepse shumë njerëz mund të kenë menduar se ka pasur aty një strategji të mirëmenduar nga Mateusi e ku di unë se çfarë, por u bënë thjeshtë e bukur dhe publiku mori një këngë që unë kam kënaqësi që edhe sot e kësaj dite e dëgjon shumë. Më vijnë shpesh video nga performanca nga njerëz që e këndojnë dhe e kërcejnë në gëzimet e tyre familjare. Kjo është një nga ato kënaqësitë e vështirë për t’u shprehur por e vërtetë kur ndihet.

 

Je vazhdimisht në turne. Çfarë vlere të shtuar kanë koncertet live me publik të gjerë?

Mua më pëlqen shumë kjo periudhë e verës, pavarësisht se më lodh shumë dhe mëngjeset janë të vështira pas një nate me plot harxhim energjish dhe adrenaline, është e mbushur me turne e koncerte. Në fund të fundit kjo është ajo çfarë unë dua të bëj dhe që gjithmonë ndihem ma fat që edhe kam mundësinë ta bëj. Pra për hir të rrethanave ose kushteve të tjera nuk jam i detyruar të bëj një punë që nuk e dua por bëj atë që kam pasion.

Performancat “live” në një hapësirë me shumë njerëz sigurisht janë një ngjarje shumë e bukur sepse ti e ke më të thjeshtë përfshirjen me ta, mund të këndosh bashkë me ta. Unë gjithmonë kam qenë pro performancave “live”. Edhe kur kushtet teknike janë të tilla që më duhet të këndoj playback, unë, ha ha ha, jam aty duke dhënë maksimumin tim, prapa mikrofonit, përsëri.

 

Kohë pas kohe të shohim më elegant. Ke një rutinë që ndjek për formën fizike?

Kjo ka të bëjë me një fakt që tani së fundmi unë po e ndjej shumë në përditshmërinë time, sepse ka të bëjë me kujdesin ndaj vetes, më pëlqen të jem me sa më shumë energji e sa më në formë në skenë. Kjo nuk ka të bëjë aspak me sa i bukur e i pashëm dua unë të dukem, por sepse unë nuk bija më në paqe me veten time e me atë që isha. Prej 8 muajsh unë bëj një regjim tjetër në jetën time, bëj rreth 18 km ecje, kam një kujdes të veçantë me ushqimin që konsumoj e kjo më ka bërë që unë të ul shumë kilogramë në kaq pak muaj. Ndihem mirë e më pëlqen kjo që bëj. Nuk kam bërë kurrë kaq shumë aktivitet fizik konstant por nuk më ka bërë që të bezdisem e të më dalë nga qejfi, përkundrazi, kam energji të mjaftueshme për ta vazhduar. Edhe pas një nate të lodhshme, paraditja më gjen me energji e në formë për të vazhduar aktivitetin e ditës tjetër.

 

A ja dole të shkosh me pushime? Si i preferon ato?

Unë pushime të dedikuara kisha kohë që nuk bëja. Mundohesha që gjatë udhëtimeve për punë në vendet bregdetare të gjeja mundësinë edhe për pak plazh ose pak pushim, por sigurisht që aty nuk merr dot qetësinë që duhet. Këtë herë shfrytëzova kampionatin botëror dhe që në qershor nuk kishte nisur edne sezoni. Ndaj këtë herë kam bërë disa pushime fantastike që më bënë të reflektoja e të shikoja shumë gjëra pozitivisht. Isha në rivierën franceze dhe ishte një eksperiencë shumë e bukur që pse jo edhe më frymëzoi e nga shtatori e tetori do të shohim edhe disa gjëra të tjera të bukura ha ha ha, kjo në ndjesi, por të shpresojmë që po.

 

Si ka qenë ky vit aktiviteti artistik për ty?

Ka qenë një vit i bukur sepse kam lëvizur në shumë vende, ka qenë hera e parë që nuk isha në format që interpretoja në një vend, lëviza dhe gjërat nuk ishin monotone. Kam udhëtuar shumë edhe me Bujar Qamilin. Shpresoj të vazhdojë kështu dhe që kënga e re, “Syni m’qesh” të dhurojë kënaqësi mes njerëzve dhe unë të vazhdoj të punoj edhe për produksione të tjera.

 

Sapo u mbyll kampionati botëror. Bëre tifo për ndonjë skuadër?

Një personi që quhet Mateus t’i drejtohet pyetja me kë bën tifo është gabim ha ha ha. Unë jam tifoz gjerman, emrin e kam nga Lotar Mateus, legjenda e Gjermanisë por këtë vit nuk e pata fare ndjesinë pozitive dhe nuk ishte një kampionat që e ndoqa shumë kampionatin. Nuk pata përfshirje. Sigurisht më erdhi keq për ekipin gjerman se na ka falur emocione pa fund por ja që çdo gjë e ka një cikël e jemi në pritje të një lloj kombëtareje tjetër që të na fali emocione të bukura përsëri.

 

Po duket të jetë një verë me këngë të reja. Mendon se kënga jote ka veçanti?

Nuk shikoj dallimet e këngës time nga të tjerat, materialin që unë bëj e shikoj si momentin apo botëkuptimin si unë i shikoj gjërat ose se si dua unë ta bëj muzikën time. Nuk bëj krahasime me këngët e tjera, veçanërisht në stinën e verës, por unë shpresoj që kënga “Syni m’qesh” të shijohet nga publiku dhe pse jo, kjo këngë mund t’i këndohet një partnereje dhe e bën sa më të bukur festën. Ky është qëllimi.

 

Shumë këngëtarë i kanë "konfliktuale" raportet me alkoolin. Po ti?

Unë nuk i kam pasur kurrë konfliktuale marrëdhëniet me alkoolin, kurrë nuk kam pasur probleme për shkak të alkoolit. Kur kam pasur pirë dikur e jetoja mirë dhe lija një atmosferë të mirë edhe në njerëzit që më rrethonin, kjo ishte diçka që na pëlqente. Tani për shkak të përditshmërisë tjetër që po kaloj, më mbetet pak kohë, në pjesën tjetër të ditës merrem me sport dhe nuk ka shumë sens. Edhe në punë thuajse nuk konsumoj më alkool për të mos thënë edhe se ka disa kohë që unë nuk e gjej më kënaqësinë si më parë, kur edhe pija, ndoshta më ka dalë nga qejfi.

 

Po punon ndërkohë për ndonjë këngë të re?

Jam gjithë kohës në kontakt me studion, jam gjithmonë në kontakt me mikun tim dhe bashkëpunëtorin tim Klejdi Bahitin, pra jam në krijim e sipër por pa plan. Periudha kur këngët e reja dalin nuk varet gjithmonë nga unë, janë një sërë faktorësh që ndikojnë. Di të them që për momentin kemi disa prodhime që i kemi të nisura e nuk e di se cila do të jetë ajo e radhës që do të publikohet por jemi në punë e sipër për të bërë gjëra të bukura.

 

Ku e gjen prehjen pas aktiviteteve të ngjeshura?

Makina, udhëtimet, ndryshon muzikën e dëgjon diçka ndryshe nga ajo që është performuar deri në atë moment, pak më klasike, më relaksuese. Edhe miqtë janë një prehje kur dal e rri me ta.

 

Pas teje, Bujarin "e rrëmbeu" Luana, u bëre xheloz? 

Jo fare. As që e mendova këtë. Kisha madje kuriozitet se si do të ishte ky projekt i përfunduar sepse Bujari më kishte folur për të më parë. Mos harrojmë që është një material i sjellë mirë i një prej këngëve më të bukura të Bujarit.

 

Çfarë do t'i uroje vetes për sezonin e ri?

Di të them që kam një ndjesi që më duhet ta harxhoj patjetër. Ndjej që ky do të jetë një vit shumë i fortë për sa i përket jetës time artistike. Më duhen energji pa fund që të punoj me të gjitha gjërat që janë në “dosjen Mateus” në studio. Është një investim shumë i madh që mua më duhet të bëj tani për të çuar emrin time dhe karrierën time në një tjetër stad. Kam dëshirën për të punuar e shpresoj që e gjitha kjo të përkrahet edhe nga publiku që më ka dhënë dashuri gjithë këtë kohë. Kam ndjesinë e një viti të mbarë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: