PORTRET/ Viktor Gjoka, “Artisti i Popullit” që u ndëshkua vetëm pse dashuroi

PORTRET/ Viktor Gjoka, “Artisti i Popullit” që u ndëshkua vetëm pse dashuroi
Një udhëtim i shkurtër në jetën e larmishme e plot ngjarje të aktorit të mirënjohur, “Artistit të Popullit”, Viktor Gjoka, në përkujtim të ditës së tij të lindjes. Një in-memoriam mbi aktorin që, pavarësisht se idiotësia e kohës dhe sistemit komunist e dënoi me punë në prodhim vetëm pse dashuroi një tjetër grua dhe u martua për herë të dytë, nuk arriti ta mposhtte ose t’i largonte dashurinë e thekshme për teatrin

“Artisti i Popullit”, Viktor Gjoka, lindi më 4 korrik të vitit 1922 në Peshtan të Tepelenës dhe vdiq më 26 tetor 2007 në Itali. Aktivitetin artistik e filloi në rininë e tij me lëvizjet amatore. Në vitin 1946, nisi punë në Teatrin Popullor (sot Kombëtar) dhe punoi deri në vitin 1971. Pa mbushur 20 vjeç, realizon rolet e para, pas provave të shumta me idhullin e tij, Mihal Popi.

Ndër rolet më të suksesshme përmendim Hliestakovin ne veprën “Revizori” të Gogolit (1952), “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Fytyra e dytë”, “Karnavalet e Korçës”. Pas rreth 13 viteve punë në teatër, në vitin 1959 mundi të marrë një bursë studimi për regjisurë në Bashkimin Sovjetik për dy vjet. Me ndërprerjen e marrëdhënieve në vitin 1961, kthehet në Tiranë, për t’i vazhduar ato në Konservatorin e Tiranës. Rikthehet në Teatrin Popullor në vitin 1991, me këmbënguljen e drejtorit Artur Zheji, ku vishet me rolin e Spirakes në komedinë rumune, “Valsi i Titanikut”, premierën e luan Roland Trebicka, Gjoka aktron në natën e dytë - pasi ishte dublant dhe më pas me rikthimin e komedisë që i dha suksesin në fillimet e tij në teatër “Revizori”, këtë radhë në regjinë e vetë Gjokës.

Filmi artistik ka qenë më pak i lëvruar, por edhe aty kemi një mori personazhesh si të zhanrit të komedisë, ashtu edhe të atij dramatik. Kujtojmë këtu “Kush është vrasësi”, “Vdekja e burrit”, “Zëvendësi i grave”, “Babai i studentit”, “Historiani dhe kameleoni”. Nga punët në teatër janë të regjistruara vetëm me audio disa nga veprat e vëna dhe ndodhen në arkivat e Radio-televizionit Shqiptar. Kujtojmë “Rrëshqitjen” e Besim Levonjës . Pristanda e Karaxhales,”Një letër e humbur”, “Shërbëtorin e dy zotnive” të Karlo Gordonit, “Banjën” e Majakovskit në rolin e Ivan Ivanoviçin e Majakovskit, etj. Në veprën “Majlinda” të Xhemal Brojës, Viktori si i persekutuar pati një rol të vogël, por prezenca e një kritiku polak bëri që pena e tij të shkruajë për ‘atë infermierin brilant, i cili ngjasonte me Aleksandër Moisiun’.

Mundi të marrë titullin “Artisti i Popullit”, por nuk e mbrojti dot nga ajo çka do t’i ndodhte. U ndëshkua dhe u dëbua, por shpirti i tij nuk u shkëput asnjëherë nga skena. Dashuria për teatrin dhe spontaniteti i tij si aktor dolën më të forta se burgu i persekutimit artistik dhe njerëzor.

I dënuari nga dashuria

Aktori i madh bëri një “faj”, që për kohën ishte më i rëndë se sa rëndonte talenti i tij në skenë. Ai u dashurua me një vajzë shumë më të re se vetja, teksa ishte rreth të pesëdhjetave. Me të u martua, duke u larguar nga familja që kishte me bashkëshorten e parë. Sot me këtë ngjarje thjesht do të buzëqeshnim por në ato vite dashuria qorrazi për këtë bukuroshe gjimnaziste, vetëm 17 vjeçare, e degdisi për shumë vite në Bërzhitë. Vendimi për ta larguar nga teatri ishte pas disa mbledhjesh me kolektivin. Por a do të mundej aktori të shkëputej nga ai teatër që i dha aq emocione? Flitej se kur binte shi dhe njerëzit mbylleshin në strehëzat e tyre, nga lagja e Tiranës së re nga ku ai banonte, dilte dore për dore një çift duke bredhur rrugëve për t’i mbajtur këmbët nga Teatri Popullor nën pishat e errësirës me një hije trishtimi. Mbanin vesh, njëri shkëputej, tjetri rrinte në këmbë dhe ai që ish shkëputur puthte dyert dhe muret e teatrit, pastaj binte në gjunjë, pëshpëriste dhe bënte kryq. Ishte kjo periudhe kur “armiku” Viktor Gjoka nuk mundej të siguronte as bukë në shtëpi, madje vete ai ka pohuar se shkonte dhe rrëmonte në kazanët e mbeturinave kotheret e bukës për t’i pastruar e servirur si ushqimin e ditës.

Bezdisjet e njerëzve të policisë ishin normalitet për netët e tyre, pasi komenteve të turpshme me zë të lartë i bashkohej edhe grushtimi i dyerve shoqëruar me fjalë fyese për të nxitur reagimin e çiftit. Fëmijët shiheshin rrallë, ndërsa gruaja e tij e re, dilte pak dhe kurrë vetëm. Pas kësaj nisi një “rehabilitim” i Gjoka-ve. E shoqja nisi punë si shitëse buke, ndërsa Viktori filloi të aktivizohej tek-tuk me ndonjë film. Kjo ishte edhe koha më e qetë për të projektuar edhe fëmijët e tyre.

Largimi nga atdheu

Në vitin 1997 Viktor Gjoka largohet në Itali, aty nis gjithçka nga e para, deri në momentin kur njihet me një konteshë romane, e cila u tërhoq nga elektriciteti i aktorit tonë, duke bërë që t’i siguroje strehë atij dhe familjes si shpërblim për artin e bukur. Pas kësaj shkruhet një histori më e qetë për Viktorin. Nis të jetë i lirë me aktivitetet që zhvillonte me emigrantë, krijon shoqatën e artistëve në pension “DEA”, vendos pjesë dhe bën të tërheqë vëmendjen e gjithkujt që interesohet për teatrin. Realizon filmin artistik “Tirana në Europë” pa humbur në asnjë moment kontaktin me Shqipërinë. Shoqata “Dea” i krijoi mundësi të realizonte të pamundurat e së shkuarës, e megjithëse në një moshë jo shumë optimale, ai vazhdoi të dominojë. Interpretoi në shqip, italisht, greqisht.

“Jam i sigurt se teatri bën pa mua, por unë nuk bëj dot pa teatrin” – thotë Kadri Roshi dhe po i të njëjtit mendim ishte edhe Viktori. Për të qenë pranë teatrit, ai i pranoi të gjitha sfidat.

Kujtimet nga Bërzhita dhe rikthimi në teatër

Në një fshat të Tiranës ai duhet të vuante dënimin. Nuk do të lejohej asnjë lloj luksi për aktorin e famshëm të kohës. Mendohej se në gjirin e “klasës punëtore” ai do të edukohej me normat e shoqërisë komuniste. Komunistët nuk harronin edhe ta kontrollonin herë pas here. Shkon në Bërzhitë drejtori i teatrit, Riza Hajro, dhe një përfaqësues nga Komiteti i Partisë. Viktori edhe atje në fshat mundohej të punonte me grupet artistike. “Urdhëroni që të shihni punën që kam bërë”, u thotë atyre. “E dimë, e dimë punën që ke bërë ti”, i thonë ata. Ne kemi ardhur për ty këtu. Viktori po punonte në fushë atë të dielë, sepse ishte një nga ato aksionet vullnetare të kohës së diktaturës. Si përgjegjës i kulturës duhej të bënte “Emulacionin Socialist”. Kishin ardhur edhe disa të tjerë nga Tirana. Viktori u mundua t’i përshëndeste, por asnjeri nga ata nuk i ktheu përgjigje. Atëherë ai kthehet dhe u thotë, “Si u duket kjo punë që kam bërë?”. “Ti bën mirë që të rrëmbesh atë bishtin e kazmës dhe të fillosh të gërmosh atje”, iu hakërrua njeri nga komunistët e Tiranës. “Pse kështu?!”, u tha Gjoka. “Atje!, iu hakërrua ai egër, atje të gërmosh, jo të rrish me këtë aparatin që më ke varur në qafë” dhe gërthet sa ta dëgjonin të gjithë rreth e rrotull. Viktori lëndohet rëndë dhe u thotë, “Dëgjo, unë do t’ju them një fjalë, por mund t’ju vijë rëndë juve”. “Po ti, more qen bir qeni, kush je ti që i thërret Viktor Gjokës kështu”. Dhe fjalët e pakontrolluara të thëna me një guxim të çmendur ngritën krye. “Prit, prit, vazhdoi Viktori i zemëruar dhe i papërmbajtur të të bëjë edhe një fotografi meqë kam aparatin dhe të të ruaj si kujtim. Ku do të vesh ti, more qen bir qeni. Prit, prit, çdo të të bëj, se unë një jetë kam!”. Gjithë qenia e tij dridhej nga nervozizmi fatal. Të gjithë kishin mbetur të habitur. Drejtuesi i nxjerrë përpara shoferin për ta kërcënuar, i cili ishte njëherësh edhe sekretar i Partisë. “Qërohuni!”, u bërtet atyre Gjoka, duke u ndjerë në atë moment i rrezikshëm për të pranishmit. “Pritmëni, more pritmëni, pse po më ikni?!” u ka bërtitur nga pas komunistëve. Ata kërcasin e ikin. “Mirë, ua bëra unë atyre, po ku do të futem unë i mjeri tani”, mendonte me vete. “E kisha mirë bodrumin ku banoja në Bërzhitë”. Viktori po mendonte se nuk kishte më kthim mbrapa, e ku do ta më çonin më keq. Kthehet tek banesa-bodrum dhe i thotë Elenës për incidentin fatal. Ajo mundohej ta qetësonte. Zhurma u bë e madhe dhe kur Gjoka rrëfen këtë histori fillon të interpretojë karakterin humoristik të sekretarit të Partisë në Bërzhitë që i mbahej goja. Për një fije peri shpëtoi nga një ndëshkim më i rëndë. “Do të arr-arrestojnë, more. Pa, pa ma thu-thuaj bio-biografinë... Epo mirë, mirë, s’paske bio-biografi të keqe. Bo, bo! Ç‘bëre kështu mor Viktor...?! Ja kështu shpërthente Viktor Gjoka kur i rrëmbyen skenën, duke thelluar dramën e jetës së tij. Kanë bërë një mbledhje të madhe më pas me tërë fshatin për ta ndëshkuar më tepër, por këtë herë artistit fjala i ka zënë vend, duke rrëfyer me sinqeritetin e tij dramatiko-komik se kush është Viktor Gjoka. Edhe pse u end kaq gjatë drama e jetës së tij, Viktor Gjoka u bë për fshatarët e Bërzhitës njeriu më i dashur, dhe ai do ta quante këtë fshat të Tiranës vendlindja ime e dytë, ndërsa e para do mbetej shumë larg, në Jug. “Mirë tragjedia që më kishte ndodhur, por unë doja që një pjesë të jetës që më kishte mbetur ta jetoja”, thotë Gjoka. “Unë doja t’i kthehesha teatrit. Kisha mall për të. Më 1990, ja Artur Zheji, që unë sot e përshëndes me gjithë zemër dhe e quaj si një nga drejtorët më progresivë të RTSH-së, dhe që për mua është një nga penat më me vlerë, dëgjon nga goja e nënës së tij, aktores Besa Imani, për jetën time. Edhe pse Arturi s’më kishte parë në skenë, i nisur nga ato që kishte dëgjuar, ngulte këmbë që unë të kthehesha në teatër. Ai këmbënguli dhe unë vendosa të vi. Më kishte marrë malli, por u deziluzionova se më vunë në skenë si dublant. Për mua dublanti është rol përgjysëm. Unë doja një rol vetëm, sepse dy gjysma siç e kishin parashikuar ata do të binim në reminishenca. Ky është zhgënjimi i fundit i Viktor Gjokës për të pasur një rol të madh, pasi ia rrëmbyen njëherë skenën. Iku përtej detit dhe atje në Romë bënë projektet e tij si regjisor shqiptar. Është duke nisur zhirimet e para për filmin “Kanina”. Me grupin e vogël të xhirimit do të udhëtojë drejt Vlorës, duke zgjuar nga gjumi kalanë e lashtë të Kaninës.

Filmi, kinematografia

Filmi i mësoi aktorët e kastit për të qenë më të vërtetë dhe më të besueshëm, duke bërë që interpretimi i tyre të ishte më i natyrshëm dhe larg teatralitetit. Viktor Gjoka, duke mos e pasur mundësinë e realizimit të asnjë filmi, rrezikohej më shumë nga kjo lojë, gjë që e ndeshim pjesërisht në filmat e pakët që mundi të realizonte.

Viktori nuk e pati shansin t’i filmoheshin shfaqjet, apo t’i organizohej diçka speciale në teatrin ku ai u formua dhe la aq shumë, madje nuk ka të mbjellë as edhe një pishë me emrin e tij, siç e kanë një pjesë e kolegëve të teatrit, pasi ishte ende gjallë kur u mbollën në atë oborr ku orët ishin të pallogaritshme.

Shiritat e regjistruar në radio dhe koleksioni modest i filmit, vetëm sa munden të na kujtojnë se dikur ka qenë edhe një aktor, i cili për shkaqe banale, persekutohet dhe i ndalohet ushtrimi i profesionit që donte aq shumë, nga teatri.

Vlerësimet nga kritika

Viktor Gjoka ishte aktor me temperament të shprehur, vrullues, i ndryshueshëm. U shqua për qëndisjen e karaktereve të mirëfillta, me elemente të një realizimi të thellë. Sado që theksonte dhe zmadhonte qëllimisht anë të caktuara komike, mbetet i vërtetë dhe i besueshëm. Përdorte rëndom disa rrafshe interpretative brenda po të njëjtit rol, madje po të njëjtës skenë, dialog. Kishte të veçante përshtatjen e shpejtë, gati të përsosur me karakterin e personazhit, si dhe llojet e veprimeve të tij; sillte gjendje të ndryshueshme ne shpërfaqjen e figurës artistike, duke e vlerësuar situatën komike si gjasë parësore për zbërthimin e psikologjisë dhe të sjellurit të saj. Veçse kjo mënyrë paraqitjeje ngaherë bëhej duke e trajtuar seriozisht dhe në mënyrë thuajse “dramatike” bëmën e personazhit, çka sillte vetiu shkaktimin e humorit nga pranëvendosja e të kundërtave: të vërtetës dhe të shtirurit, rëndësisë reale dhe asaj fiktive, atributit të pretenduar dhe thelbit që e kundërshton atë etj. Ka fituar tre herë çmimin si “Aktori më i mirë” si dhe mban titullin “Artist i Popullit”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: