“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Kristiano Ronaldo ndau Shpëtim Idrizin nga Rama

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Kristiano Ronaldo ndau Shpëtim Idrizin nga Rama
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Shkrimtari ynë i shquar, shoku Ismail Kadare ka folur për rrezikshmërinë në shkëmbimin e territoreve me Serbinë.

Themi lajm i mirë, pasi fakti që Ismaili foli tregon që nuk është sëmurë, siç menduam se ishte kur lindi çështja e Kullave te Teatri. Më atë rast, Kadareja nuk foli dhe e mori çështjen me sportivitet.

E meqë ra llafi te sporti. Antena jonë ka mundur që të kapë bashkëllafosjen e bërë para disa ditësh, midis udhëheqësit Edi Rama dhe Ronaldo futbollistit.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Edi Rama: O Kristiano! Kam dëgjuar se ke bërë 400 milionë euro pasuri.

Kristiano Ronaldo: Eeeee, e vërtetë është, ama më është dashur shumë punë. 4-5 orë në ditë punë, stërvitje. Ti e di ç'do të thotë të stërvitesh kaq gjatë, se ke qenë sportist vetë.

Edi Rama: Edhe unë, po të punoja 4-5 orë në ditë nuk do kisha 400 milionë sa kam tani... Ama i fortë je! 4-5 orë stërvitje në ditë. Unë 4-5 minuta stërvitesha, se pastaj më kapte dhe nuk më lëshonte kollaj, dhimbja e kokës.

Ronaldo: Punë e vështirë kjo e jona. Unë pi 3-4 litra ujë në ditë, p.sh., se ndryshe më shkrihet fare trupi.

Edi Rama: Edhe unë marr 3-4 shishe me verë, kur ulem në tavolinë.

Ronaldo: Pi 3-4 shishe me verë?! E çuditshme!

Edi Rama: O pallë, kush të tha që i pi. Thashë "marr". Ua marr atyre miqve biznesmenë, që më ftojnë për drekë. Për të pirë, pi vetëm një gotë. Edhe atë gotë që pi, e pi që të më trullosë, e mos të dëgjoj trapllëqet që më thonë ata që më kanë ftuar për të ngrënë.

Ronaldo: Capito!

Edi Rama: Shishet e falura i mbaj koleksion. Kur të heq dorë nga posti që kam, do i pi një e nga një. Po të them diçka. Në Shqipëri ka me mijëra fëmijë, që kanë veshur uniformat me emrin tënd.

Ronaldo: Nuk e dija këtë gjë. Mesa di unë e me ç'më ka thënë menaxheri im, nga Shqipëria nuk marr asnjë të ardhur, nga shitja e uniformave. Ndoshta ma ka me hile menaxheri, e i merr paratë për veten e tij?

Edi Rama: Duhet ta kontrollosh, jo vetëm të besosh. Ja unë p.sh., vërtet kam besim te Endri, por ama kontrollin ia bëj çdo javë. Ta jap unë me garanci që me emrin tënd, 200 mijë uniforma ka në Shqipëri. Edhe femra madje. Kur hipa dje në aeroplan, pashë nga lart disa femra me kazmë që po punonin tokën, që kishin veshur uniformë sportive, me emrin tënd.

Ronaldo: Po më çudit! Femra me kazmë, që mbajnë uniformën time.

Edi Rama: Se mos vetëm femra. Edhe meshkuj që mjelin lopët. Është mbushur vendi me Ronaldo.

Ronaldo: Po largohem pak, sa të marr menaxherin në telefon.

Edi Rama: Rri sa të duash në telefon, se me avion personal kam ardhur, e më pret...

Ronaldo: Fola me menaxherin tim. Kompania e veshjeve, vetëm disa qindra uniforma shet në dyqanin zyrtar që ka në Tiranë. Ia fut kot ai Kryeministri i Shqipërisë, -më tha.

Edi Rama: Ashtu?! Ia fus kot unë?! I thuaj atij menaxherit që po i lëshova gazetarët miq e mi, do ta diskretitoj dhe meroj fare.

Ronaldo: Mbase shiten në rrugë e janë bluza fallco, jo origjinale, më tha.

Edi Rama: Po që janë fallco, dihet ajo punë. Te Tregu Çam shiten. I shesin çamët dibranë të Shpëtim Idrizit. Nuk kemi çfarë t'ju bëjmë, se shpeshherë bashkon votat e tij, me mua. Po vetëm në e takofsha! Mirë që bën pará, por do edhe post në ministri, pale.

Ronaldo: Kush do post? Menaxheri im? Noooo, ai vetëm pará do.

Edi Rama: E kisha llafin për Shpëtimin që do edhe para edhe post. Tani po e marr në telefon, e të qërohet nga unë. Më turpëroi para teje dhe mbarë opinionit sportiv ndërkombëtar. Do thonë bota, që në Shqipëri lulëzon pirateria...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: