Shërbimet dentare, gati çmimet e njehsuara për gjithë stomatologët

Shërbimet dentare, gati çmimet e njehsuara për gjithë stomatologët
Presidenti i Urdhrit të Stomatologut, Nikoll Deda, ka pohuar se çmimet dysheme do të shmangin abuzimet, ndërkohë që, për herë të parë, pacientët do të pajisen me një fletëgaranci, e cila ju jep të drejtë të ankohen ose t’i nënshtrohen edhe njëherë shërbimit, në rast se janë të pakënaqur dhe diçka nuk ka shkuar si duhet, nga ana e dentistit

Sonila Isaku

Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë, po përgatit një projekt-propozim për vendosjen e çmimeve dysheme për shërbimet dentare në vend.  Kreu i këtij urdhri, Nikoll Deda, ka pohuar se, për hartimin e këtij projekti u morën për bazë çmimet e afishuara në mbi 300 klinika e kabinete dentare, në të gjithë Shqipërinë, 10% e gjithë dentistrisë. Ky projekt do të kalojë me ndryshimet e nevojshme dhe përfundimtare nga Këshilli Kombëtar të U.S.SH., në fillim të vitit tjetër dhe pas miratimit në Këshill Kombëtar, lista e çmimeve dysheme, do t’i dërgohet ministrisë së Financave për regjistrim në kasat fiskale. Krahas listës së çmimeve, projekti parashikon edhe vendosjen e disa rregullave të reja, ku përfshihet fletëgarancia për pacientin.

Propozimi

Jo rrallëherë, pacientët kanë denoncuar çmimet e ndryshme që përdorin klinikat dentare për të njëjtat shërbime. Dikush e ka më të lartë, dikush më të ulët. Por duket se, parregullsisë me çmimet do t’i jepet fund. Së fundmi, po diskutohet për një projekt-propozim për vendosjen e çmimeve të reja dysheme për shërbimet dentare.

“Shërbimi stomatologjik ka kërkuar që të kemi çmime dysheme, për një standard minimal të ofrimit të shërbimit. Shërbimi stomatologjik ka disa komponentë, ka dorën edhe dijet. Stomatologu ka infrastrukturën e klinikës e cila shkëlqen në vendin tonë, ka materialet që përdoren të mira, por edhe të standardeve të ulëta që mund të përdorën. Tashmë, po vendosim rregulla loje për tregun e shërbimit dentar dhe të krijojmë bindjen te qytetarët, të cilët kërkojnë çmime jashtë këtij standardi, të jenë të bindur se cilësia e materialeve që përdoren nuk është e mirë” - thotë Deda.

Sa i takon kontrollimit të këtyre çmimeve, kreu i Urdhrit të Stomatologut pohon se, inspektimet do të jenë ato që do të konstatojnë rastet, por edhe ankimimet e qytetarëve do të jenë një tjetër mënyrë kontrolluese.

“Ne si urdhër kemi autoritet licencues, kontrollues, inspektues për ushtrimin e profesionit si dhe marrim në konsideratë edhe ankesat e qytetarëve. Ajo që dua të them është se, 90%  e ankimimeve te ne, vijnë nga klinika të cilat bëjë reklama poshtë kostos” - pohon Deda.

Garancia

Për herë të parë, pacientët do të pajisen me një fletëgaranci, e cila ju jep të drejtë të ankohen ose t’i nënshtrohen edhe njëherë shërbimit, në rast se janë të pakënaqur dhe diçka nuk ka shkuar si duhet nga ana e dentistit.

“Vendosja e këtyre çmimeve është vendosja e një standardi për shërbimin stomatologjik, por edhe për shëndetin tonë. Ajo që do të jetë risi në këtë rregullore që po vendosim, është edhe fletë-garancia. Për të gjitha punimet ortopedike, dentisti duhet të marrë nga laboranti dy fletëgaranci 5 -vjeçare, një  fletëgaranci i jepet pacientit dhe një fletëgaranci e mban dentisti në protokollin e mjekimit” - pohon Deda.

Sipas tij, një fokus i veçantë do t’i vendoset edhe turizmit dentar, ku shumë të huaj preferojnë Shqipërinë për të kryer shërbimet dentare. Sipas kreut të urdhrit të Stomatologëve, kjo është fitimprurëse për bizneset, por shërbimi që duhet të ofrohet, të jetë sa më cilësor.

Për të gjitha punimet ortopedike, dentisti duhet të marrë nga laboranti dy fletëgaranci 5-vjeҫare, një  fletëgaranci i jepet pacientit dhe një fletëgaranci e mban dentisti në protokollin e mjekimit.

Tabela

Çmimet dysheme për shërbimet dentare në vendin tonë

1-Vizita                                500 Lekë

2- Terapi

  1. Mbushje grada II - 4000 Lekë
  2. Mbushje grada III - 5000 Lekë
  3. Pastrim gurëzash - 3000 Lekë

3- Ortopedi

  1. Protezë klasike (komplet) - 40 000 Lekë
  2. Protezë parciale (e thjeshtë) - 15 000 Lekë
  3. Protezë e lëvizshme e skeletuar - 35 000 Lekë

ç. Këllëf porcelani- 9000 Lekë

  1. Zirkon - 18 000 Lekë

4- Kirurgji

  1. Ekstraksion - 1.000 Lekë
  2. Implant - 70 000 Lekë

5- Ortodonci

  1. Aparat i lëvizshëm i thjeshtë - 30 000 Lekë
  2. Aparat fiks - 100 000 Lekë

Shpërndajeni me miqtë tuaj: