Kujtojmë sakaq, se një vit më parë rritja e çmimeve të konsumit për muajin prill ka qenë më e lartë, deri në nivelin prej 2.1%. E duke folur kështu për një moderim të tyre gjatë këtij viti. Një dukuri kjo që sipas Bankës së Shqipërisë ka lidhje me efektet direkte të luhatjeve që ka pësuar së fundmi kursi i brendshëm i këmbimit valutor.
“Në këndvështrimin makroekonomik, ngadalësimi i inflacionit pasqyroi përcjelljen më të plotë të mbiçmimit të kursit të këmbimit”, pohoi dje lidhur me një dukuri të tillë, Guvernatori i bankës qendrore, Gent Sejko. Duke shtuar këtu në të njëjtën kohë edhe efektin e ngadalësimit të inflacionit në vendet partnere, si edhe efektin e goditjeve të ofertës në çmimet bujqësore. Sipas tij, në tërësi, inflacioni regjistroi një normë mesatare vjetore prej 1.6% në tremujorin e parë të vitit, duke u reduktuar nga vlera e shënuar në tremujorin paraardhës.
“Rritja që pësuan çmimet e qirave dhe ujit, një vit më parë, u shua në fillim të këtij viti, duke sjellë uljen e kontributit të këtyre grupeve në inflacion. Krahas këtij efekti, rritja e çmimeve të shërbimeve u ngadalësua dhe inflacioni i çmimeve bujqësore shënoi një reduktim të fortë në muajin mars”, sqaroi gjithashtu kreu i BSH-së.