Paketa anti-shpifje/ OSBE fshikullon qeverinë: AMA s’mund të zëvendësojë gjyqësorin e pavarur

Paketa anti-shpifje/ OSBE fshikullon qeverinë: AMA s’mund të zëvendësojë gjyqësorin e pavarur
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, publikoi sot një shqyrtim ligjor të Projektligjit për Shërbimet e Medias në Shqipëri, pas disa konsultimeve mbi procesin e hartimit me përfaqësuesit e Qeverisë në muajt e fundit.

Duke u ndalur te paketa antishpifje e miratuar pak ditë më parë nga qeveria, OSBE vëren kompetencat e shtuara për AMA-n, duke theksuar se ky institucion nuk mund të vihet në rolin e Gjykatës, për të vënë gjoba dhe bllokuar artikuj në internet.

Përfaqësuesi i OSBE-së theksoi se "Autoriteti i Mediave Audiovizive nuk duhet të zëvendësojë gjyqësorin e pavarur apo mekanizmat vetërregullues për çështjet e lirisë së shprehjes", duke shtuar se kjo vlen edhe për bllokimin për përmbajtjen, gjobat për shkelje të ligjit dhe modalitetet e së drejtës për t'u përgjigjur.

OSBE thekson se "Është e nevojshme që legjislacioni i ardhshëm të respektojë standardet ndërkombëtare dhe angazhimet për lirinë e shprehjes dhe që të mos ndikojë negativisht në lirinë e medias në vend".

Po ashtu përfaqësuesi i OSBE-së vuri në dukje se kompetencat e AMA lidhur me "bllokimin e përkohshëm apo kufizimin e aksesit në internet" mund të zbatohen vetëm në tre raste të qarta të përcaktuara në ligj: pornografia e fëmijëve; inkurajimi i akteve terroriste; dhe shkeljet e sigurisë kombëtare dhe kur masat e tilla konsiderohen si të nevojshme dhe proporcionale, duke marrë parasysh ekzistencën e një rreziku të afërt. /l.k./

Foto Google

loading...
loading...