Në auditore do të ulen me dhjetëra mijëra studentë, por si i gjet ky sezon i ri akademik studentët, gati një vit pas protestave të tyre masive?
Pas 5 muajsh janë publikuar disa nga të dhënat e Sondazhit Kombëtar të Studentëve.
Gjetjet tregojnë se më shumë se gjysma e studentëve janë të pakënaqur me mbështetjen e ofruar nga institucionet e Arsimit të Lartë.
Rreth 52% e studentëve janë të pakënaqur me institucionet, bazuar në prezantimin e gjetjeve të Sondazhit Kombëtar të Studentëve.
Ministrja e Arsimit Besa Shahini tha se të dhënat duhet të angazhojnë drejtuesit e universiteteve për rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe përmirësimin e infrastrukturës.
"Mendoj që ky është një porosi e rëndësishme për të menduar për të. Pra çfarë mund të bëjmë ne për të mirësuar gjendjen në universitetet publike. Si gjendjen infrastrukturore, por si edhe në cilësinë e arsimit që realisht i takon universiteteve që ta përmirësojnë urgjentisht", u shpreh Shahini.
Sondazhi u zhvillua gjatë muajve prill-maj të këtij viti. Janë rreth 89 mijë pyetësorë të dërguar studentëve, mesatarja e plotësimit të të cilëve në nivel kombëtar thuhet se ishte 31.2%. /Afp.al/