Ndryshimet e reja që pritet t’i bëhen Kodit Rrugor rëndojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë financiarisht mbi kostot e biznesit dhe jetesës së qytetarëve shqiptarë. Prandaj, Kuvendi nuk duhet që t’i miratojë aspak ato.
Një apel i tillë publik i është drejtuar dje këtij të fundit nga organizata e njohur e biznesit, Konfindustria, sipas së cilës, ai vlen edhe për Presidentin, që ai të mos i dekretojë më pas ato.
“Disa nga ndryshimet e propozuara në projektligj cënojnë interesin publik dhe janë me tipare të qarta klienteliste të tipit “kapje e shtetit”, pohon ajo. Duke shtuar se këto ndryshime janë kaluar për miratim në Kuvend pa u debatuar më parë me grupet interesit dhe duke shfrytëzuar gjendjen e trazuar politike në vend, apo edhe funksionimin jo normal të organit legjislativ.
Madje, sipas Konfindustria-s, gjendja bëhet edhe më e rëndë në kushtet kur Gjykata Kushtetuese prej kohësh është praktikisht jofunksionale.
“Penalitetet për zotëruesit e mjeteve mund të shkojnë në vlera prej shumë miliona euro/vit, që do të shkojnë në përfitim të dyfishtë të kompanive të sigurimit. Së pari, rrisin në mënyrë të padrejtë të ardhurat e operatorëve nga primet e sigurimit të detyrueshëm pavarësisht, nëse mjetet përdoren ose jo nga qytetarët dhe bizneset. Së dyti, shkojnë për të plotësuar detyrimet ligjore financiare në miliona euro, që kompanive e sigurimit nuk kanë derdhur prej vitesh në Byronë e Sigurimeve”, sqaron më tej Konfindustria.
Duke përfunduar se “problematika të tilla janë pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së konkurrencës dhe gjendjes së organizimeve të tipit “kartelit” në tregun e sigurimeve, të vërejtur edhe nga Autoriteti i Konkurrencës”.