Mbi 5 mijë të rinj, të mbledhur për këtë festival, po shijojnë ditët e pushimeve edhe përmes këtij festivali, nën ritmet e muzikës moderne që elektrizoi brigjet e Dhërmiut.
Shumica e të rinjve që i janë bashkuar festes vijnë kryesisht nga Britania e Madhe, por edhe vende te tjera të Europës, ndërsa biletat e festivalit janë shitur të gjitha që në ditët e para të organizimit.
Për ministrin e Turizmit dhe mjedisit Blendi Klosi, festa te tilla mbeten kartolina me e bukur per Shqipërinë, ndërsa premtoi se vitin e ardhshëm organizimi do te jete edhe me masiv.
“Këto ditë të gjesh hotel për t’u akomoduar ne Dhërmi dhe fshatrat përreth ishte një mision i pamundur.” Sipas ministrit Klosi “festa të tilla janë një mundësi e artë edhe për biznesin që ofron shërbime për turistët e huaj.”
Krahas atmosferës festive, turistët shprehen të mahnitur edhe për surprizat dhe bukuritë që ofron vendi ynë. “Është hera e parë që vij këtu. Nuk e dija qe Shqipëria është kaq e bukur dhe ka njerëz kaq të mirë. Premtoj se do kthehem sërish”, u shpreh një turiste britanike.
“Mua ma sugjeruan disa miq dhe jam e mahnitur. Bregdeti është i mrekullueshëm dhe çdo gjë tjetër.”
Edicioni i dytë i “Kala Festival” po tërheq gjithnjë e më shumë interes ndërkombëtar.