Numri dy i qeverisë shqiptare tha se “të gjithë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale duke nisur nga dy të parët që janë vënë në pranga shtuar me administratorë kompanish, administratorë të pikave të karburanteve dhe administratorë dhe përgjegjës të kompanive të kasave fiskale, duhet ti jepen drejtësisë pavarësisht emrit, madhësisë së kompanisë, parave që kanë akumuluar, miqve dhe shokëve në politikë, drejtësi dhe jo vetëm”.
Zëvendëskryeministri shqiptar Braçe tha se administrata doganore ka shtrirë kontrollet në magazinat e lira të kompanive të mëdha të karburanteve. “Në 48 orët e fundit janë zbuluar diferenca të rëndësishme në inventaret e këtyre magazinave, kryesisht në produktin benzinë që arrin në dhjetëra ton. Administrata doganore po llogarit detyrimet fiskale të munguara dhe penalitetet në të njëjtën vlerë për secilën pa këto kompani. Dy administratat janë udhëzuar të bëjnë bilancin e naftës së importuar, naftës së prodhuar këtu dhe hedhur në tregun e brendshëm, shitjeve të deklaruara për ti dhënë fund evazionit, por mbi të gjitha edhe mishelimit që cënon rëndë cilësinë e karburantit, një tjetër formë e qartë e grabitjes së qytetarëve thuajse në çdo pikë apo stacion ku shitet apo tregtohet ky produkt” tha zoti Braçe.
Ai bëri të ditur ndërkohë se Drejtoria e tatim-paguesve të mëdhenj ka bllokuar llogaritë e 22 kompanive të mëdha që kanë akumuluar borxhe të detyrimeve fiskale. “Disa kanë reaguar duke shlyer detyrimet dhe llogaritë e tyre janë zhbllokuar. Të tjera kanë paguar një pjesë të detyrimit dhe llogaritë e tyre vijojnë të jenë të bllokuara deri në shlyerjen përfundimtare të detyrimit të gjithë vlerës”.
Zëvendëskryeministri Erion Braçe paralajmëroi se askush nuk do ti ndihmojë ata që nuk kanë paguar detyrimet fiskale. “Prej tyre kanë rënë telefonat e drejtorëve, deputetëve, kryetarëve bashkive dhe disa ministra. E përsëris, harxhojnë kohën kot. Nuk do ti ndihmojë askush. Ndihmoni veten dhe paguani detyrimet fiskale të njohura. Mos krijoni borxhe të reja. Asnjë nuk do ju shpëtojë nga pagesa e këtyre detyrimeve” tha zoti Braçe.