FORUM/ FRROK ÇUPI: ATË ÇFARË HUMBI NJËRI E FITUAN TË DY

FORUM/ FRROK ÇUPI: ATË ÇFARË HUMBI NJËRI E FITUAN TË DY
Kryetari i mazhorancës së majtë Edi Rama dhe kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, arritën më 18 maj një marrëveshje e cila i dha fund krizës së tejzgjatur dhe i hapi rrugën zhvillimit normal të zgjedhjeve parlamentare të qershorit.

Gazeta “Albanian Free Press” organizon sot këtë forum me analistët e saj, duke shtruar pyetjen: “Kush doli më i fituar nga marrëveshja e 18 majit, Rama apo Basha dhe pse?”

Në këtë forum të sotëm flasin për gazetën “Albanian Free Press”, opinionistët Alfred Peza, Frrok Çupi, Sonila Meço, Eduard Zaloshnja, Roland Qafoku, Plator Nesturi, Apollon Baçe dhe Edison Ypi.

Frrok Çupi ndalet te një këndvështrim tjetër i situatës. Ai thotë se “mesa duket një gjë e kanë humbur dhe fituar të dy palët: LSI-në” dhe e çon më tej idenë e tij: “Ka mijëra zëra që thonë 'kur do të na hiqet qafe!"”. Për Çupin, “me sa duket kujdesi i aleatëve është që krijesa LSI të mos bëjë më 'king Maker', por ama e kanë humbur dhe kanë fituar të dy palët”. Analisti i mirënjohur paralajmëron se mund të ndodhë që të humbin të dy palët nëse LSI rikthehet në qeveri.

Analiza e plotë:

Çfarë fitoi Basha e çfarë humbi Rama?- kjo është pyetja. Nuk mund të thuash se është pyetje e vështirë, por se si është; një pyetje që do përgjigje të menduar. Ose nuk do përgjigje, do analizë të gjatë...

A humbi ndonjëri?... Kjo nuk ishte një betejë Mesjetare, as e mëvonshme. Për shembull, sot e kësaj dite nuk mund të thuash se cili e fitoi Luftën e Dytë... Ata që fituan (Stalini, etj.), humbën; në fakt betejën e fituan të humburit, perëndimorët...

Le të kthehemi te 'beteja' jonë që nuk ishte luftë. Ajo u zhvillua dhe u 'fitua' nën kujdesin e aleatit më të madhe të vërtetë, Shtetet e Bashkuara. Si mund të vinte SHBA në një fushëbetejë ku do të humbte opozita antikomuniste e vitit 1990?!... Pak më tej, si mund të vinte Amerika për të 'shuar' me një gisht qeverinë e një vendi aspirant për BE dhe aleat i Amerikës?!... Këtu nis arsyetimi se nëse njëri humbi, fituan të dy.

Por praktikisht çfarë humbi njëri që më vonë e fituan të dy?

Qeveria: A nuk humbi ca arrogancë që e ka me shumicë? Humbi... A nuk humbi kontrollin mbi gjithçka? E humbi. A nuk humbi 'të drejtën' për të blerë votat e zgjedhjeve të Qershorit?... Me siguri, qeveria do të bëjë të pamundurën për ta bërë këtë, por do të jetë me zarar... autorët mund të shkojnë shtatë vjet në burg... A nuk e humbi qeveria të drejtën që të kultivojë e trafikojë narkotikë edhe vitin e ardhshëm e njëmijë vjet të tjerë?!... E humbi, sigurisht. Qeveria kishte menduar njëmijë vjet në pushtet..., por e humbi...

A nuk i fituan së bashku këto vlera? Nëse populli shqiptar ka një mundësi të marrë frymë lirshëm, kjo është vlerë për të dy krahët.

Po Opozita a nuk humbi? Sipas disa analistëve dhe militantëve- humbi. Humbi kauzën- thonë, sepse deklaroi që nuk largohet nga Çadra, por u largua. Nëse do të ndodhet kjo (që të mos largohej), sigurisht do të ishte një gjë pa kuptim. Che Gue Varen e vranë sepse rezistoi pa kuptim... Domethënë fitoi qeveria por edhe opozita.... A nuk humbi Opozita partitë e vogla? I humbën të dy palët; por mendoj se ka fituar një 'mungesë demokracie' liberale dhe ka fituar një demokraci e tejkëqyrur.

Me sa duket një gjë e kanë humbur dhe fituar të dy palët: LSI-në.

Ka mijëra zëra që thonë 'kur do të na hiqet qafe!". Jo për gjë, por shumë irrituese kjo parti. Po t'i thotë dikush bodyguard-it ose pastrueses së Metës se 'ma zhduk fqinjin', ai e zhduk. Me sa duket kujdesi i aleatëve është që krijesa LSI të mos bëjë më 'king Maker'.

Por ama e kanë humbur dhe kanë fituar të dy palët.

Mund të ndodhë që të humbin të dy palët nëse LSI riciklohet në qeveri.

Për të lexuar analizat e plota të tetë opinionistëve që shkruajnë ekskluzivisht për “Albanian Free Press” klikoni këtu.

Për versionin anglisht klikoni këtu. English version click here.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: