FORUM/ ROLAND QAFOKU: BASHA NUK KA MË ALIBI NËSE HUMBET ZGJEDHJET

FORUM/ ROLAND QAFOKU: BASHA NUK KA MË ALIBI NËSE HUMBET ZGJEDHJET
Kryetari i mazhorancës së majtë Edi Rama dhe kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, arritën më 18 maj një marrëveshje e cila i dha fund krizës së tejzgjatur dhe i hapi rrugën zhvillimit normal të zgjedhjeve parlamentare të qershorit.

Gazeta “Albanian Free Press” organizon sot këtë forum me analistët e saj, duke shtruar pyetjen: “Kush doli më i fituar nga marrëveshja e 18 majit, Rama apo Basha dhe pse?”

Në këtë forum të sotëm flasin për gazetën “Albanian Free Press”, opinionistët Alfred Peza, Frrok Çupi, Sonila Meço, Eduard Zaloshnja, Roland Qafoku, Plator Nesturi, Apollon Baçe dhe Edison Ypi.

Roland Qafoku beson se nga marrëveshja, “së pari, fituan të dy, por më shumë fitoi gjithë Shqipëria që prej 90 ditësh ishte e tensionuar”. Ai pohon se “nëse nuk do ishte arritur kjo marrëveshje, mundësia e trazirave shtohej dhe me zgjedhje pa opozitën, Shqipëria do ishte nën tension”. Qafoku rendit çfarë fitoi kreu i PD Lulzim Basha, i cili

mbi të gjitha fitoi edhe ndaj kritikëve të vet në PD”. Duke u ndalur te Rama, z.Qafoku thotë se ai fitoi “për faktin se Basha nuk ka më alibi nëse humbet zgjedhjet”.

Analiza e plotë:

Së pari, fituan të dy por më shumë fitoi gjithë Shqipëria që prej 90 ditësh ishte e tensionuar dhe ne gazetarët po artikulonim gjithnjë e më shpesh shprehjen “pika e vlimit”. Të gjithë kishim një frikë që situata mund të precipitonte në kaos, trazira dhe eksese që në këto 27 vjet ne shqiptarët i kemi aq të freskëta në memorie. Nëse nuk do ishte arritur kjo marrëveshje mundësia e trazirave shtohej dhe me zgjedhje pa opozitën Shqipëria do të ishte nën tension. Frazat e dala nga goja e Berishës dhe Bashës “revolucion demokratik”, “do t’ju tërheqim zvarrë”, “do t’ju shporrim nga zyra” e të tjera si këto ishin parathënie të një situate trazirash dhe këto kishin nisur të sillnin pasoja në ekonomi, turizëm dhe sfera të tjera të jetës.

Së dyti, fitoi kreu i PD Lulzim Basha, i cili tashmë ka të paktën në letër zgjedhje të garantuara parlamentare. Gardianët e këtyre zgjedhjeve janë gjashtë ministra, zëvendëskryeministri si dhe pesë drejtorë. E thënë më ndryshe zgjedhje më transparente të paktën në letër nuk kemi patur e as kemi për të patur ndonjëherë. Natyrisht ne do të presim për ta parë konkretisht, por konceptualisht kjo marrëveshje ka arritur një nivel të lartë të kontrollit të zgjedhjeve. Dhe Basha në këtë drejtim ka fituar jo pak.

Së treti Basha fitoi edhe ndaj kritikëve të vet në PD që morën poza prej demokratësh brenda PD dhe për të cilët askush nuk i besonte se e bënin në emër të parimeve, karakterit dhe nderit të tyre.

Së treti, fitoi kryeministri Edi Rama për faktin se kryetari i PD Lulzim Basha nuk ka më alibi nëse humbet zgjedhjet. Nëse PD humbet Basha duhet të bëjë një veprim xhentëlmeni si politikan i diplomuar në Perëndim, që duhet të marrë në telefon Ramën dhe ta urojë për fitoren. Më pas a do qëndrojë apo jo në krye të PD, kjo është një çështje e forumeve të PD.

Së treti, fituan të dy si Basha dhe Rama por edhe gjithë vendi sepse vijimësia e reformës në drejtësi është një arritje shumë e madhe. Askush nuk duhet të rrahë gjoksin se është ai autor i reformës në drejtësi. Madje pyetjes së madhe se cili e ka frikë reformën në drejtësi duhet të kenë vetëm një përgjigje: Të gjithë duhet ta kenë frikë në kuptimin që askush nuk është imun për shkak të postit politik dhe shtetëror.

Së katërti, Basha dhe Rama janë të dy humbës të mëdhenj në raport me aleatët e tyre. Edhe pse kryetari i PD ka vendosur në lista emrat e disave prej tyre, partitë e vogla janë kthyer thjesht në vasale për të mos thënë me ketë marrëveshje zhduken. Por ashtu dhe për Edi Ramën. Edhe pse LSI e ka mbështetur arritjen e kompromisit dhe vazhdon të deklarojë si arritje këtë marrëveshje, për mënyrën se si u krye dhe me ato tre orë të Ramës dhe Bashës vetëm për vetëm në një zyrë, për LSI ka shumë pikëpyetje.

Për të lexuar analizat e plota të tetë opinionistëve që shkruajnë ekskluzivisht për “Albanian Free Press” klikoni këtu.

Për versionin anglisht klikoni këtu. English version click here.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: